Një incident i rëndë është regjistruar në Prishtinë, ku një person i kërkuar nga policia ka arritur të arratiset në mënyrë dramatike nga ambientet e stacionit policor.
Ngjarja ka ndodhur më 13 prill rreth orës 17:30, në Stacionin Policor “Jugu”.
Siç mëson Sinjali, bëhet fjalë për F.Islami, i cili ishte në kërkim policor dhe ishte shoqëruar për intervistim nga njësia e hetimeve.
Sipas informatave, gjatë qëndrimit në stacion, i njëjti fillimisht ka sulmuar zyrtarët policorë, e më pas ka arritur të arratiset duke kërcyer nga dritarja e katit të dytë.
Gjatë ikjes, ai ka dëmtuar edhe një automjet zyrtar të njësisë së trafikut, përpara se të largohej nga rrethojat e stacionit.
Burime bëjnë të ditur se i dyshuari është larguar në drejtim të lagjes “Kalabria”.
I njëjti konsiderohet recidivist i veprave penale dhe ndaj tij ka urdhër-arrest aktiv.
Njësitet policore janë vënë në ndjekje të tij, ndërsa kërkimet për kapjen e tij janë në vazhdim.