“Isha nën efektin e drogës”, dëshmia e grabitësit që shitësja i rrëmbeu armën nga dora - Gazeta Express

“Isha nën efektin e drogës”, dëshmia e grabitësit që shitësja i rrëmbeu armën nga dora

Ballina

Gazeta Express

19/02/2020 15:59

Gjykata e Durrësit la në burg pa afat grabitësin serial Astrit Thaçi, ndërsa vendosi lirimin dhe “detyrim paraqitjeje” për të dashurën e tij, Adelina Berisha, e akuzuar për përkrahje të autorit.

Para gjykatës, Thaçi deklaroi se është penduar dhe se gjithçka e ka kryer nën efektin e lëndëve narkotike dhe nën ankth. Sipas tij, pendimi erdhi menjëherë pas plagosjes së Rexhep Tereziut në Durrës, po vjedhjet me armë ai nuk i ndali dhe pas këtij krimi. Thaçi akuzohet për “vjedhje me armë e mbetur në tentativë”, “plagosje e rëndë me dashje”, “vjedhje me dhunë” dhe “vjedhje e bankave dhe arkave të kursimit”.

27-vjeçari nga Durrësi, i dënuar me 7 vjet burg në Itali për vjedhje me armë, u kap nga policia në zonën e Kombinatit, në Tiranë. Brenda harkut kohor nga data 8 deri më 15 shkurt, Thaçi kreu 8 vjedhje me armë dhe dhunë, nga të cilat 3 në Durrës, 4 në Tiranë dhe 1 në Elbasan. Më 8 shkurt ai vodhi me armë zjarri 100 mijë lekë nga dega e një institucioni financiar kredidhënës në Durrës, dy ditë më pas u fut me pistoletë në shtëpinë e Rexhep Tereziut në plazh të cilin dhe e plagosi në këmbë.

Nuk u ndal me aq, po pa mbushur 24 orë nga kjo ngjarje, grabit një market në Shkozet ku merr 100 mijë lekë të tjera dhe steka me cigare. Një ditë më vonë e zhvendos aktivitetin e tij kriminal në Tiranë, ku në zonën e Zogut të Zi dhe më pas në kombinat tenton të vjedhë një agjenci turistike dhe një market. Nën kërcënimin e armës tenton të vjedhë një market në rrugën “Kongresi i Lushnjes” dhe më pas godet me sende të forta një shtetas duke i vjedhur celularin dhe shumën prej 300 eurosh. Pas kësaj vjedhjeje, në të njëjtën ditë udhëton drejt Elbasanit ku me armë vjedh një sasi bizhuterish nga një argjendari. Në çastin e kapjes atij iu gjetën dhe sekuestruan bizhuteri të florinjta dhe një sasi parash, ndërkohë që në të njëjtën ditë u arrestua dhe e dashura e tij 20-vjeçare nga Tirana, të cilën e kishte njohur pak kohë më parë në rrjetet sociale.

Ajo u prangos “për përkrahje të autorit të krimit”, po nuk e ka pranuar këtë akuzë. Prokurorja e çështjes Anila Bebeçi kërkoi ndryshim të masës së sigurisë, gjë që u pranua nga gjykata e cila vendosi lirimin e saj në sallën e gjyqit./t.ch