Ish-zyrtarja e OSBE-së pranon pasaktësi në raportet e saj për rastin "Panda" - Gazeta Express
string(74) "ish-zyrtarja-e-osbe-se-pranon-pasaktesi-ne-raportet-e-saj-per-rastin-panda"

Lajme

Gazeta Express

07/12/2023 13:09

Ish-zyrtarja e OSBE-së pranon pasaktësi në raportet e saj për rastin “Panda”

Lajme

Gazeta Express

07/12/2023 13:09

Sandra Mitchell, ish-vëzhguese e misionit të OSBE-së në Kosovë, e ftuar si dëshmitare në rastin e krerëve të UÇK-së, ka pohuar gabime në raportin e saj.

Mitchell po dëshmon në gjyqin kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit që po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Lexo Edhe:

Gjatë dëshmisë në Gjykatën Speciale në Hagë, Mitchell u përball nga avokati i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe, me raportin e saj lidhur me rastin ‘Panda’ i cili ndodhi më 14 dhjetor 1998.

“Ju keni publikuar një rrëfim për vrasjet në ‘Panda’ dhe besoni se ishte i mundshëm. Në atë raport është një deklaratë ku thuhet se u vranë 6 të rinj serbë dhe pas këtyre vrasjeve ishte UÇK-ja dhe shqiptarët?”- citoi avokati Kehoe.

Dëshmitarja e pohoi këtë.

Avokati më tej e pyeti dëshmitaren nëse artikujt mund të jenë të pasakta. Dëshmitarja e pranoi këtë.

“Nëse artikujt janë të vërtetë, deduktimi që keni bërë ju, është i pasaktë?- pyeti Kehohe.

Mitchell e pohoi këtë.  “Po, ashtu del” – tha ajo.

Avokati Gregory Kehoe tutje kërkoi nga dëshmitarja Sandra Mitchell të shpjegonte nëse kishte kryer hulumtime vetë në raste të tilla, apo thjesht kishte kopjuar të dhëna nga raportet ekzistuese.

Dëshmitarja Sandra Mitchell në deklaratën e dhënë, ka pranuar se, pasi ka dokumentuar pretendimet në raport, ajo vetë nuk ka kryer hetime të mëtejshme mbi to.

Ajo ka shtuar se përgjegjësia për kryerjen e hetimeve ka qëndruar te personat e tjerë.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse. Ndërkaq, Prokuroria ka propozuar mbi 300 dëshmitarë në këtë rast.

Çështja në këtë rast po drejtohet nga gjykatësit Charls Smith III (kryesues), Christoph Barth, Guénaël Mettraux dhe Fergal Gaynor.