Ish-trajneri i Milanit, Arrigo Sacchi, mendon se Massimiliano Allegri ka një stil loje më të mirë se më parë, por paralajmëron “Rossonerët” për Parmën: “Nuk është një shëtitje në park.”
Milan viziton Parman në “Stadio Tardini” sonte, dhe një fitore do t’u lejonte Rossonerëve të ngjiteshin në krye të tabelës, duke pritur ndeshjet e Romës, Interit dhe Napolit nesër.
“Nëse dikush dëshiron të ndërtojë diçka të rëndësishme, duhet të shfrytëzojë çdo mundësi menjëherë,” shkroi Sacchi në kolumnën e tij më të fundit për “Gazzetta dello Sport”.
“Me një fitore në Parma, Milan ka mundësinë të ngjitet në krye të renditjes, duke pritur të shohë se çfarë do të bëjnë liderët aktualë. ‘Rossonerët’, që po përmirësohen ndeshje pas ndeshjeje, mund të vendosin seriozisht veten si kandidatë për titull. Ende është herët për të përcaktuar hierarkinë, por njëkohësisht është e vërtetë që deri tani Serie A nuk ka një skuadër dominuese të qartë. Ekipi i Allegrit ka një shans dhe nuk duhet ta humbasë”, vazhdon tutje ai.
Parma ka humbur dy ndeshjet e fundit dhe ka mbledhur vetëm dy pikë në pesë ndeshjet e fundit.
Milan, nga ana tjetër, është pa humbje në nëntë ndeshjet e fundit në Serie A, por Sacchi mendon se përballja e Tardinit sonte nuk duhet të nënvlerësohet.
“Milan nuk duhet ta trajtojë ndeshjen në ‘Tardini’ si një shëtitje në park,” vazhdoi ish-trajneri.
“Ndeshjet kundër Cremonese dhe Pisas duhet të shërbejnë si paralajmërim: vetëm një pikë e mbledhur, pavarësisht se ‘Rossonerët’ luajtën në ‘San Siro’. Kjo tregon se skuadra ende nuk ka arritur përsosmërinë. Nëse gjëra të tilla ekzistojnë, është e kuptueshme, pasi Allegri është në drejtim vetëm për katër muaj, dhe kërkon kohë për të projektuar dhe ndërtuar një projekt”, shkruan tutje Sacchi.
Sacchi ishte kritikuar shumë stilin e lojës së Allegrit në të kaluarën, veçanërisht gjatë mandatit të tij të dytë te Juventusi, por ish-trajneri i “Azzurrëve” ka vënë re përmirësim.
“Duket se Allegri është në harmoni të plotë me të gjithë grupin, dhe po vlerësoj gjithashtu cilësinë e lojës së tyre, e cila, sipas mendimit tim, është estetikisht superiore ndaj asaj të skuadrës së fundit të drejtuar nga trajneri toskan,” përfundoi Sacchi.
Sonte, Allegri do të zgjedhë Rafael Leao dhe Christopher Nkunku në sulm.
Christian Pulisic rikthehet pas dëmtimit, por do të startojë nga stoli./GazetaExpress/