Ish-presidenti i Bayernit, kundër vendimit të CAS për rastin e Man Cityt - Gazeta Express

Ish-presidenti i Bayernit, kundër vendimit të CAS për rastin e Man Cityt

Sport

Gazeta Express

07/08/2020 13:50

Ish-presidenti i Bayern Munichut, Uli Hoeness, e ka kritikuar vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (CAS) për ta shfuqizuar dënimin e Manchester Cityt të shqiptuar nga UEFA me dy vjet pezullim nga Liga e Kampionëve.

Manchester City u dënua nga UEFA me pezullim për dy sezone nga Liga e Kampionëve dhe Liga e Evropës në shkurt, pasi u shpall fajtor për shkeljen e rregullave të ndershmërisë financiare, mes viteve 2012 dhe 2016, transmeton Gazeta Express.

Klubi i Premierligës reagoi menjëherë duke e apeluar vendimin e UEFA-s në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS), që i shqyrtoi të gjitha dëshmitë para se ta merrte vendimin përfundimtar më 13 korrik.

Dënimi i Cityt në fund u shfuqizua dhe gjoba e tyre prej 30 milionë eurosh u zvogëlua në 10 milionë euro. Ky vendim bëri që të ngrihen pyetje të shumta në lidhje me rregullat e FFP-së dhe vendimin e CAS-it.

Hoeness thotë se vendimi i CAS-it është një goditje e rëndë për rregullat e UEFA-s dhe tha se gabimet e UEFA-s i përsëriti vetë CAS, duke mos dhënë mjaftueshëm dëshmi për ta mbrojtur vendimin.

“Kur unë e lexova arsyetimin nga gjykata ndërkombëtare sportive CAS se pse e ka shfuqizuar dënimin, unë u desh ta pyes veten se për çfarë është e gjitha kjo në të vërtetë”, ka thënë Hoeness.

“Në fund të fundit, arsyetimet e UEFA-s ishin thjesht të dobëta. Në princip, CAS e pa këtë në të njëjtën mënyrë, por nuk ofroi asnjë dëshmi të mirë për sjelljen e Manchester Cityt”.

“Nëse gjykatësit në CAS erdhën në përfundimin që UEFA s’bëri punë mjaftueshëm të mirë, s’ka nevojë as të mendohet se çfarë rezultati erdhi në fund. Vendimi ishte një shuplakë e fortë për UEFA-n”. /Gazeta Express/