Dy vite më parë, Kosovës iu pezullua pjesëmarrja në “Defender 23”, si pasojë e veprimeve të ndërmarra në veri.
Por rrethanat kanë ndryshuar, dhe këtë vit Kosova është njëra nga vendet nikoqire të stërvitjes më të madhe ndërkombëtare të aleatëve të NATO-s në Ballkan.
Forca e Sigurisë së Kosovës, përmes realizimit të këtij ushtrimi, do të tregojë gatishmërinë operacionale dhe shkallën e ndërveprueshmërisë luftarake me vendet partnere dhe ato të rajonit.
Ish-oficeri britanik Ade Clewlow vlerëson se Forcat e Sigurisë së Kosovës janë profesionale dhe tashmë mund të operojnë njësoj si shtetet fqinje të Ballkanit.
“Është lajm shumë i mirë që Forcat e Sigurisë së Kosovës kanë arritur një standard të tillë për t’u përfshirë në këto stërvitje. Lajmi kryesor këtu është se Kosova mund të operojë njësoj si vendet e tjera fqinje në rajon. Pos tjerash, kjo tregon më së miri se kontributi i forcave të FSK-së po vlerësohet lart, dhe se Kosova nuk është më vetëm konsumuese e sigurisë, por edhe kontribuon për shtetet aleate”, ka thënë ai për Tëvë1.
Pavarësisht faktit që Kosova ka një bashkëpunim të mirë në fushën e sigurisë me shtetet anëtare të NATO-s, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka paralajmëruar sërish për rrezikun që paraqet Serbia. Ai ka deklaruar se Beogradi ka vendosur 70 për qind të ushtrisë pranë kufirit me Kosovën.
Se Serbia vazhdon të përbëjë rrezik për Kosovën, e pohon edhe Clewlow.
“Nuk mund të komentoj me statistika, por është e vërtetë që ekziston rrezik nga Serbia, duke pasur parasysh problemet e brendshme me të cilat po përballet Vuçiq. Edhe nëse vetëm 30% e ushtrisë serbe është pranë kufirit me Kosovën, ajo përbën rrezik, sepse ushtria e tyre është e fuqishme. Është e çuditshme pozicionimi i tyre në atë pikë, kur Kosova nuk përbën rrezik për Serbinë. Këto janë lojërat që i luan Vuçiq, të cilat, në fakt, i ka shkruar Putini. Banjska është një shembull i freskët i rrezikut që Serbia paraqet për Kosovën”, thotë ish-oficeri britanik.
“Defender 25” është stërvitja më e madhe e ushtrisë amerikane në Evropë, me përfshirjen e mbi 25.000 trupave nga SHBA-ja dhe 25 vende aleate e partnere.