Ish-ministrja: Qeveria Hoti i la prodhuesit e eksportuesit vendorë pa mbrojtje të shtetit - Gazeta Express

Lajme

Gazeta Express

06/06/2020 18:56

Ish-ministrja: Qeveria Hoti i la prodhuesit e eksportuesit vendorë pa mbrojtje të shtetit

Lajme

Gazeta Express

06/06/2020 18:56

Ish-ministria e Qeverisë Kurti në MEPTINIS (Ministria e Ekonomisë, Punës, Tregtisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike), Rozeta Hajdari, ka reaguar pas heqjes së reciprocitetit nga ana e Qeverisë Hoti. Pa reciprocitet, thotë ajo, s’ka shtet e as sovranitet.

Sipas ish-ministres, vendimi i kabinetit të Hotit ka lënë prodhuesit dhe eksportuesit pa mbrojtje të shtetit.

“Pa reciprocitet nuk ka barazi. Nuk ka shtet. Nuk ka sovranitet. Operatorët ekonomikë nga Serbia e pranuan shtetin tonë, duke kapërcyer kufirin shtetëror me dhjetëra maune dhe dokumente tregtare që na quajnë Republika e Kosovës. Kabineti Hoti nuk po e pranon Republikën tonë, andaj shfuqizoi sot vendimet e Qeverisë Kurti për zbatimin gradual të reciprocitetit si parim në marrëdhëniet me Serbinë”, shkroi ajo në Facebook.

“Reciprociteti është parim gjithësisht i pranuar i së drejtës dhe marrëdhënieve mes shteteve. Vendimet tona jetësuan këtë parim, të bazuar në aktet themeluese të Organizatës Botërore të Tregtisë”, thotë ajo.

Ajo thotë se Qeveria Kurti dëgjoi ekspertët dhe prodhuesit vendorë, kësisoj, më 20 mars, nxori vendimin 01/14 që liroi nga tarifa 100-përqind lëndën e parë që importohej nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina, duke paralajmëruar ndërkohë masa të reciprocitetit.

Vendimi 01/37 i 30 majit 2020, shkruan Hajdari në Facebook, e tha shkurt e shqip, “se asnjë mall e asnjë maune nga Serbia s’do të pranohet pa emrin Republika e Kosovës”.

“Vendimet e qeverisë Kurti dhanë fryt. Reciprociteti i hapi rrugë tregtisë së lirë, pa barriera. Tregtarët e pranuan Republikën e Kosovës, pa ngurrim. Dhjetëra mauna nga Serbia kaluan kufirin me dokumente që i referohen shtetit tonë si Republika e Kosovës. Sot Kabineti Hoti prishi gjithçka: prodhuesit dhe eksportuesit vendorë i la pa mbrojtjen e shtetit, ndërsa Kosovën pa Republikë”, shkruan ajo.

Sipas ish-ministres Hajdari, “Pa Republikë, dialogu me Serbinë është josimetrik”.

“Ai s’është dialog mes shteteve sovrane. Si do të shkoni në bisedime me Serbinë dhe kë do të përfaqësoni, z. Hoti? Pa reciprocitet s’mund të ketë barazi. Pa barazi s’mund të ketë liri. Pa liri s’mund të ketë zhvillim, as mirëqenie e as dinjitet për qytetarët”, përfundon Hajdari.

Pa reciprocitet nuk ka barazi. Nuk ka shtet. Nuk ka sovranitet.Operatorët ekonomikë nga Serbia e pranuan shtetin tonë,…

Publiée par Rozeta Hajdari sur Samedi 6 juin 2020