Ish - Ministri godet Komunën që ia dha kompanisë kushtet e ndërtimit te Liqeni i Badovcit - Gazeta Express
string(87) "ish-ministri-godet-komunen-qe-ia-dha-kompanise-kushtet-e-ndertimit-te-liqeni-i-badovcit"

Liridonë Çeta

14/01/2020 17:28

Ish – Ministri godet Komunën që ia dha kompanisë kushtet e ndërtimit te Liqeni i Badovcit

Liridonë Çeta

14/01/2020 17:28

Një projekt ndërtimor që u publikua nëpër rrjetet sociale nga kompania Kawa Group dhe 4M Group, ka ngjallur reagime të shumta në vend. Në postimin e bërë më 8 janar, këto dy kompani kanë njoftuar se te Liqeni i Badovcit do të ndërtohet një lagje e re banimi, e kjo ka mjaftuar që të reagojnë qytetarët, por edhe institucionet. Komuna e Prishtinës ka thënë se kompanitë në fjalë nuk kanë aplikuar për leje ndërtimi por vetëm për kushtet e ndërtimit. Pikërisht për këtë ish -Ministri i Ambientit Dardan Gashi ka goditur Komunën që drejtohet nga Shpend Ahmeti duke thënë se s’është dashur t’ia japë fare ato për shkak se bëhet fjalë për një zonë të mbrojtur.

Një hapësirë te Liqeni i Badovcit, vendi nga ku furnizohet me ujë pothuajse gjysma e Prishtinës si dhe fshatrat përreth Badovcit, mund të duket krejt ndryshe pas disa vitesh.

Lexo Edhe:

Kjo nëse kompanitë ndërtimore të cilat kanë bërë planin e një lagjeje të re, mund të marrin lejen e ndërtimit në zonën në afërsi te liqenit. 

Projekti “Lakeside Gardens” i cili parasheh të ketë 17 shtëpi, po kundërshtohet me të madhe nga qytetarët dhe institucionet.

Liqeni i Badovcit është shpallur zonë e mbrojtur në mbledhjen e 24 prillit të vitit 2013 të qeverisë së atëhershme.

Kjo do të thotë se në zonat e mbrojtura me Ligj, ndalohet ndërtimi për çështje rekreacioni apo çfarëdo arsye tjetër.

Ish-Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor i asaj kohe, Dardan Gashi, ka thënë për Gazetën Express se Liqeni i Badovcit është krijuar me qëllim të furnizimit me ujë të pijshëm dhe se është e ndaluar të ndërtohet në atë zonë.

“Pikërisht në kohën time është shpallur si zonë e mbrojtur, edhe Batllava edhe Badovci.  Është pak absurde sepse ne kemi ndërmarrë aksione për të rrënuar ndërtime në Batllavë, kanë qenë të ndërtuara pa leje, e tash dikush po tenton të ndërtojë në Badovc. Ligji është i njëjtë, ai është liqe artificial që është ndërtuar me qëllim të furnizimit me ujë të pijshëm, është absurde me mendu dikush me ndërtu aty, qoftë për rekreacion, qoftë për banim”, ka thënë Gashi.

Ai  ka treguar se Liqeni i Badovcit ka qenë zonë e mbrojtur qysh në kohën e ish-Jugosllavisë, ndërkaq ka theksuar se është e ndaluar çdo veprimtari e cila mund ta helmojë ujin.

“Edhe me ligjet e ish-Jugosllavisë ka qenë zonë e mbrojtur, ne vetëm kemi shtuar pak kualitet. Ajo është zonë e mbrojtur, dhe ka një arsye pse është zonë e mbrojtur, pra mos me leju ndërtim. Nuk e shoh si mundet të ndërtohet në një zonë të mbrojtur, sidomos kur është fjala për ujë të pijshëm.  Këtu nuk është në pyetje vetëm mbrojtja e natyrës, por ujit të pijshëm.  Edhe pak rekreacion që zhvillohet aty nuk është i lejuar, sepse mund të helmohet uji, me apo pa qëllim”, është shprehur Gashi që në qeverinë Haradinaj ka shërbyer si Ministër i Diasporës.

Ai ka theksuar se nëse kompania arrin ta marrë lejen e ndërtimit, mund të ketë probleme me gjykatat dhe banorët, pasi sipas tij, ligjet janë të qarta dhe nuk e lejojnë një gjë të tillë.

Ndërkaq, Komuna e Prishtinës i ka dhënë lejen për kushtet e ndërtimit kompanisë Kawa Group, e cila po pretendon të ndërtojë në zonën e Liqenit të Badovcit.

E për këtë, Gashi thotë se komuna ka bërë gabim.

“Natyrisht se ka qenë gabim, se s’mund të ketë të drejtë fare ta lëshojë. Nëse Komuna e Prishtinës ka shpikur ndonjë leje si ta lejojë ndërtimin aty, le ta aprovojë. Por nuk lejohet ndërtimi në zonë të dytë”, ka thënë Gashi.

Ndërkaq, Uran Haxha nga kompania ndërtimore Kawa Group, ka treguar për Gazetën Express se Komuna e Prishtinës më 20 dhjetor të vitit 2019 e ka lëshuar lejen për kushtet ndërtimore.

“Më 20 dhjetor të vitit 2019 ne i kemi marrë kushtet ndërtimore nga Komuna e Prishtinës. Ne e kemi vendimin e ministrisë, i cili është lëshuar në vitin 2018, ku i thotë Komunës së Prishtinës se është e detyruar ta lëshojë lejen për kushtet ndërtimore. Pa u lëshu këto kushte, ne e kemi pasur të pamundur të aplikojmë për leje, rrjedhimisht ne nuk kemi leje momentalisht. Ne nuk kemi pasur të ia nisim ndërtimit nesër, ne vetëm e kemi bë lajmërimin se jemi duke e bë një projekt. Ne kemi bërë thirrje që të gjithë mund të drejtohen për informacion, për çfarëdo dokumenti”, ka deklaruar Haxha.

Haxha ka thënë se leja e kushteve ndërtimore është bërë në përputhje me Planin Zhvillimor të Komunës së Prishtinës.

Ndërkaq Plani Zhvillimor i Komunës së Prishtinës është miratuar nga Kuvendi Komunal në gusht të vitit 2013, katër muaj pas vendimit të qeverisë i cili e kishte shpallur Liqenin e Badovcit zonë të mbrojtur.

Zona në të cilën kompanitë e ndërtimit bashkë me investitorin po planifikojnë të ndërtojnë lagjen e re, është zonë e cila përfshin brezin e akumulimit me gjerësi 200 metra nga kufiri i zonës së parë të mbrojtur. Në këtë zonë, ndalohet ndërtimi i objekteve të cilat mund të dëmtojnë cilësinë e ujit apo edhe ta rrezikojnë atë.

Përkundër kundërshtimeve të deritanishme për ndërtimin e lagjes te Liqeni i Badovcit, Haxha ka thënë se janë të bindur se do të arrijnë ta marrin lejën për ndërtim.

Tutje, Haxha ka thënë se kompania është e bindur se do ta marrë lejen e ndërtimit, pasi sipas tij do t’i plotësojnë të gjitha kushtet e ndërtimit të cilat janë caktuar nga Komuna e Prishtinës.

“Është e vërtetë se është sfiduese të ndërtojmë në një vend të tillë, por jemi të bindur se do të ia dalim. Sepse projekti është i menduar qe disa vjet. Kushtet ndërtimore përcaktojnë çka kemi me bo, ne jemi të bindur se do ta marrim lejen ndërtimore sepse do t’i përshtatemi secilit kusht i cili është te kushtet ndërtimore dhe secilit kusht që vendoset me Ligj. Nëse nuk i bëjmë gjërat mirë, nuk e marrim lejen, por ne jemi shumë të bindur që kemi me e marrë sepse është kohë e gjatë që po punohet për këtë projekt. Projekti është bërë në bazë të planit zhvillimor, e kemi vetëm një kusht që duhet ta plotësojmë e ai është pëlqimi mjedisor. Gjërat tjera janë në rregull”, ka thënë Haxha.

Derisa të gjithë janë kundër ndërtimit të lagjes te Liqeni i Badovcit, nga frika se mund të helmohet uji i pijshëm, Haxha ka thënë se projekti është menduar në atë mënyrë që të e rrezikojë ujin e pijshëm.

 “Nuk është asnjë pikë e projektit e cila e dëmton liqenin. Projekti e ka sistemin e kanalizimit i cili është i ndarë në dy sisteme, në sistemin e ujërave të zeza dhe atë atmosferik. Kjo zgjedhje është bërë pasi ka impiant për pastrimin e ujërave të zeza. Impianti do të ndërtohet, të gjitha ujërat e zeza brenda lagjes do të shkojnë aty, do të pastrohen dhe do të përdoren për mirëmbajtjen e lagjes. Teksa lagja është e projektuar në atë mënyrë që kur bie shi do të drenazhohet njëjtë si në natyrë, pasi rrugicat planifikohet të bëhen me kalldrëm. Ujërat atmosferike do të kolektohen nëpër kanale dhe do të shkojnë drejt liqenit”, ka deklaruar Haxha për Gazetën Express.

Ndërkaq, lidhur me shqetësimet rreth ndërtimit të projektit ndërtimor te Liqeni i Badovcit ka reaguar edhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

MMPH-ja ka thënë se nuk ka kompetenca të lëshojë leje ndërtimore, po ashtu thekson se nuk është dhënë pëlqimi për ndërtim në atë zonë e cila është e mbrojtur

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka njoftuar se as kompanitë ndërtimore e as pronari i tokës nuk kanë aplikuar për Pëlqim Mjedisor.

“MMPH nuk ka kompetenca që në këtë rast të lëshoj leje ndërtimore. Gjithashtu në bazë të gjitha të dhënave që kemi në MMPH, ju sigurojmë se as kompanitë në fjalë dhe as pronari i tokës, nuk ka aplikuar dhe nuk është pajisur me Pëlqim Mjedisor nga MMPH-ja”, bën të ditur MMPH-ja.

Ministria e Mjedisit thekson se çfarëdo zhvillimi i planifikuar në afërsi të Liqenit të Badovcit duhet të jetë në përputhje me legjislacionin dhe kriteret e parapara.

Po ashtu, bëhet e ditur se vetëm pas nënshkrimit të procedurave ligjore, mund të konstatohet se a mund të realizohet ndonjë projekt në atë zonë.

“Sipas kompetencave tona si ministri, përveç pjesës së Planifikimit Hapësinor ne gjithashtu jemi përgjegjës edhe për zonat e mbrojtura dhe në rastin konkret, Zonën e Mbrojtur Ujore të Liqenit të Badovcit, sipas Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Nr. 16/127 të datës 24.04.2013”, thekson MMPH-ja.

MMPH-ja bën të ditur se ka dërguar një shkresë për të kërkuar informata nga Komuna së Prishtinës, derisa ka theksuar se inspektorati i MMPH-së dhe Departamentet tjera përgjegjëse brenda MMPH-së do të jetë aktive në këtë çështje dhe do të kujdesen që të mos ndodhë asnjë veprim i cili mund ta cenojë zonën e mbrojtur të Liqenit te Badovcit dhe kualitetin e ujit.

Edhe Komuna e Prishtinës ka reaguar dje lidhur me çështjen e ndërtimeve te Liqeni i Badovcit.

Përmes një njoftimi ata kanë  konfirmuar se kompania nuk ka aplikuar për leje, vetëm për kushtet ndërtimore.

“Kompania në fjalë nuk ka leje ndërtimi dhe ende nuk ka aplikuar për leje ndërtimi. Kompania në fjalë ka aplikuar për kushte ndërtimore të cilat i paraprijnë aplikimit për leje. Në këtë procedurë është qe disa vite. Në Kushtet Ndërtimore i thuhet se para se të aplikojë për leje në Komunën e Prishtinës, duhet të aplikojë për pëlqimin për vlerësimin mjedisor në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, të cilën ende nuk e ka bërë”, theksohet në njoftim. /GazetaExpress/