Ish-ministri Baliq ishte akuzuar për ngacmim seksual edhe para dy vjetësh - Gazeta Express
string(73) "ish-ministri-baliq-ishte-akuzuar-per-ngacmim-seksual-edhe-para-dy-vitesh1"

Ish-ministri Baliq ishte akuzuar për ngacmim seksual edhe para dy vjetësh

Gazeta Express

13/08/2020 13:04

Ish-ministri i Shëndetësisë, Numan Baliq, është arrestuar të mërkurën nën dyshimin se ka sulmuar seksualisht një 23-vjeçare e cila po qëndronte në Spitalin e Pejës me vajzën e saj. Por, ky nuk është rasti i parë ku Baliq akuzohet për ngacmim seksual, raporton Express

Më 12 shtator të vitit 2018, një 17-vjeçare kishte akuzuar kirurgun Numan Baliq se e kishte ngacmuar seksualisht.

Lexo Edhe:

17-vjeçarja po ndiqte mësimet praktike në këtë spital, ku edhe pretendonte se ishte ngacmuar seksualisht nga ish-ministri.

Baliq këto i kishte quajtur montime të kundërshtarëve politikë.

Ai për T7 kishte deklaruar se e njeh vajzën dhe, sipas tij, familja e të miturës janë të afërt me rivalët e tij politikë, por për të cilët nuk ka përmendur emra.

“Rasti është shpifje, kjo nuk është e vërtetë. Unë vajzën e njoh, e kam pasur studente. Edhe familjen e saj, po ashtu, i njoh, e ata janë të afërt me rivalët e mi politikë për të cilët nuk dua të përmend emra. Po drejtësia shumë shpejt do ta zbardhë këtë rast”, ka thënë për T7 Baliq.

Baliq ishte suspenduar nga puna në shkurt të vitit 2019, pasi ndaj tij ishte ngritur aktakuzë për sulm seksual.

Në gusht të vitit 2019, Baliq ishte liruar nga aktakuza, duke u shpallur i pafajshëm.

Fiks një vit pas tërë këtyre ngjarjeve, Baliq po akuzohet përsëri për sulm seksual në vendin e tij të punës.

Ai të mërkurën e 12 gushtit është arrestuar nën dyshimin se ka ngacmuar seksualisht një nënë 23-vjeçare e cila po qëndronte në repartin e Ortopedisë me vajzën e saj.

62-vjeçari Numan Baliq po dyshohet se e kishte ftuar 23-vjeçaren në zyrën e tij, ku edhe e kishte ngacmuar.

“Ka hyrë në repart, gruaja e ka pasur vajzën që 16 ditë. Mjeku i ka thënë duhet të vish në zyrë për një aparat, pastaj ka filluar ta ngacmojë me fjalë dhe ka filluar ta prekë në trup. Ajo e ka thirrur sigurimin dhe policinë”, kanë thënë burime të Express.

Këtë rast për Express e kanë konfirmuar edhe nga Prokuroria e Pejës.

“Lidhur me rastin në fjalë është ndaluar një person nën dyshimin se ka kryer veprën penale sulm seksual në spitalin regjional të Pejës. Me urdhër të prokurorit është dërguar në ndalim 48 orësh, gjithashtu prokuroria në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës janë duke ndërmarrë veprime lidhur me këtë çështje”, ka thënë zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi. /GazetaExpress/