Lajm i trishtë ka tronditur botën e futbollit italian: ish-mbrojtësi i njohur Celeste Pin është gjetur i vdekur në banesën e tij në Firence të martën, në moshën 64-vjeçare, kanë bërë të ditur burime nga autoritetet.
Pin kishte një karrierë të gjatë me Fiorentinën, për të cilën luajti plot 200 ndeshje mes viteve 1982 dhe 1991. Ai ka qenë gjithashtu pjesë e klubeve si Perugia, Verona dhe Siena, duke lënë gjurmë të thella në futbollin italian të viteve ’80 dhe ’90.
Thuhet se trupi i tij u gjet nga policia pasi një anëtar i familjes ngriti alarmin. Nuk përjashtohet mundësia që bëhet fjalë për vetëvrasje, por hetimet janë ende në zhvillim për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.
Vdekja e Celeste Pin ka shkaktuar dhimbje të madhe në komunitetin futbollistik italian, ku ai ishte i njohur jo vetëm për aftësitë e tij në fushë, por edhe për karakterin e tij të qetë dhe profesionist.
Nëpërmjet një postimi prekës në rrjetet sociale, Fiorentina shprehu ngushëllimet e saj për ndarjen nga jeta të një prej figurave të saj historike:
“Presidenti Commisso, bashkëshortja e tij Catherine, drejtori i përgjithshëm Alessandro Ferrari, drejtori sportiv Daniele Pradè, trajneri Stefano Pioli dhe i gjithë klubi i Fiorentinës bashkohen me familjen Pin në këtë moment të dhimbshëm dhe shprehin ngushëllimet e tyre më të sinqerta për ndarjen nga jeta të Celeste.”
Celeste Pin nisi karrierën si profesionist me Perugian, por u bë figurë kyçe e Fiorentinës gjatë viteve 1980 dhe në fillim të viteve 1990. Ai ishte pjesë e ekipit që luajti finalen e Kupës UEFA në sezonin 1989-1990, të cilën e humbën ndaj Juventusit.
Gjatë kohës te Viola, ai ndau fushën me emra të mëdhenj si Roberto Baggio dhe trajneri aktual i Fiorentinës, Stefano Pioli./GazetaExpress/