Javën e kaluar u konfirmua se Lamine Yamal po vuan nga një dëmtim në legen, i cili u bë i ditur pas paraqitjeve të tij me Spanjën në kualifikueset e Botërorit 2026 kundër Bullgarisë dhe Turqisë. Ai mungoi në fitoren e Barcelonës ndaj Valencias të dielën dhe është gjithashtu në dyshim për ndeshjen hapëse të Ligës së Kampionëve kundër Newcastle United.
Hansi Flick kritikoi menaxhimin e përfaqësueses spanjolle me lojtarin gjatë pushimit ndërkombëtar, por sipas ish-futbollistit Santiago Cañizares (përmes Sport), dëmtimi ishte pjesërisht i vetë-shkaktuar.
“Harrojeni llojin e dëmtimit, por shikoni tërësinë e tij. Kalon nëntë ditë me kombëtaren, duke punuar, i mbyllur në hotel, duke udhëtuar dhe luajtur dy ndeshje… Puna e tij është që kur kthehesh, pushon. Këto gjëra mësohen. Nuk ka të bëjë gjithmonë me fitimin e parave, me reklamat.
Juan Gómez Juanito, i cili ishte trajneri im te Mérida, do të na qortonte rëndë nëse na shihte duke qëndruar në këmbë ditën e ndeshjes, do të zemërohej shumë. Ishte i fiksuar me këtë gjë. Na thoshte të pushonim, të shtriheshim sepse ndeshja është pasdite – ‘Nuk dua të shoh askënd këtu te recepsioni i hotelit duke qëndruar. Dua që të pushoni’.
Është e qartë që futbollisti duhet të ketë një ekuilibër mes pushimit dhe përpjekjes. Për më tepër, lojtarët e mëdhenj kanë një problem shtesë. Ata kanë një orar shumë të ngjeshur. Kur të tjerët pushojnë, ata bëjnë gjëra të tjera. Pastaj kthehet nga ky udhëtim dhe fillon xhirimet për një reklamë. Këto janë gjëra që ky djalosh duhet t’i mësojë. Në fund të fundit ai ka 18 vjet jetë. Nuk i di ende të gjitha…”
Kohët e fundit, Lamine Yamal lansoi edhe këpucët e tij të futbollit në bashkëpunim me Nike, për të cilat zhvilloi edhe një fotosesion. Pikërisht për këtë i referohej Cañizares, megjithëse nuk është e sigurt nëse kjo ndikoi drejtpërdrejt në shfaqjen e dëmtimit./GazetaExpress/