Ish-lojtari i Premierligës zbulon se pse lojtarët shpesh i pështyjnë pijet - Gazeta Express
string(74) "ish-lojtari-i-premierliges-zbulon-se-pse-lojtaret-shpesh-i-peshtyjne-pijet"

Futboll

Gazeta Express

22/02/2026 16:41

Ish-lojtari i Premierligës zbulon se pse lojtarët shpesh i pështyjnë pijet

Futboll

Gazeta Express

22/02/2026 16:41

Një ish-futbollist i Premierligës ka shpjeguar pse lojtarët shpesh e pështyjnë pijen që konsumojnë, pas shumë pikëpyetjeve nga tifozët.

Ata që luajnë në nivelin më të lartë të futbollit anglez janë gjithmonë në kërkim të atyre përfitimeve të vogla shtesë që mund t’u japin një avantazh të nevojshëm dhe të përmirësojnë performancën.

Ka metoda të ndryshme që përdoren nga atletët elitarë, dhe Hal Robson-Kanu, i cili ka zhvilluar 94 ndeshje në Premierligë me Reading dhe West Bromwich Albion, ka dhënë një shpjegim mbi një “sekret” performance që shumë e përdorin.

Ish-reprezentuesi i Uellsit, i cili shënoi një gol të paharrueshëm në çerekfinalen e UEFA Euro 2016 kundër Belgjikës, publikon rregullisht video në rrjetet sociale mbi shëndetin dhe fitnesin.

Ai gjithashtu ka themeluar një markë pijesh hidratuese që shitet në “Selfridges” dhe “Sainsbury’s”.

Aktiv në këtë fushë, në një video të fundit të publikuar në “TikTok”, Robson-Kanu foli për atë se çfarë pinë futbollistët.

Në veçanti, 36-vjeçari shpjegoi pse shpesh sheh lojtarë që e pështyjnë lëngun që konsumojnë.

Sipas tij, kjo u lejon atyre të përfitojnë nga shpëlarja me sheqer në gojë, pa e ngarkuar trupin.

Duke e pështyrë dhe jo duke e gëlltitur, ata shmangin ndjesinë e stomakut të rënduar gjatë një ndeshjeje me intensitet të lartë, por sërish arrijnë të përfitojnë dhe të reduktojnë lodhjen.

“Shumë futbollistë e shpërlajnë gojën me Lucozade, e pështyjnë dhe më pas hanë një banane, sepse e dinë që konsumimi i sheqernave të Lucozade në atë formë nuk është i mirë për trupin,” tha ish-analisti i Kupës së Botës për “ITV”.

“Por nga një këndvështrim ndijor, duke e shpëlarë në gojë, është sikur po merr atë ‘goditje’ të sheqerit pa pasur nevojë që ai të kalojë nëpër sistemin tretës.”

Në përshkrimin e videos, Robson-Kanu theksoi se teknikat e hidratimit shkojnë “përtej thjesht pirjes së ujit” dhe se disa pije konsumohen në momente të caktuara për një qëllim të qartë.

Ai shtoi se zgjedhjet e pijeve ndikohen edhe nga “përfitimet psikologjike që disa lëngje mund të ofrojnë në aspektin e energjisë dhe qartësisë mendore”, duke theksuar se këto vendime “mund të ndryshojnë lojën”.

Me shkencën sportive që ka arritur një nivel të paparë rëndësie në futboll, Robson-Kanu përfundoi duke thënë se “angazhimi me këto strategji të fshehura mund t’u japë si atletëve ashtu edhe entuziastëve një kuptim më të thellë të asaj që duhet për të pasur sukses në nivelet më të larta të garës”./GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement