Alessandro Renica ka hapur debat duke fajësuar drejtpërdrejt Antonio Conte për numrin e madh të lëndimeve te Napoli, duke argumentuar se metodat e ashpra të stërvitjes së trajnerit kanë ndikuar negativisht fizikisht te skuadra.
Ish-mbrojtësi i Napolit, i cili kaloi gjashtë vite në klub mes 1985 dhe 1991 duke fituar dy tituj të Serie A, një Coppa Italia dhe Kupën UEFA, i bëri komentet në “Stile TV”, të cituara nga “CalcioMercato”.
Napoli është goditur rëndë nga lëndimet këtë sezon, me lojtarë si Kevin De Bruyne, Andre-Frank Zambo Anguissa, Billy Gilmour dhe Amir Rrahmani që kanë munguar në periudha të ndryshme.
Renica beson se intensiteti dhe natyra e seancave stërvitore në “Castel Volturno” janë shkaku kryesor.
“Besoj se të gjitha këto lëndime janë të lidhura me metodat e stërvitjes së Contes,” tha ai.
“Nuk kam marrë pjesë kurrë në seancat e tij, por mjafton të dëgjosh çfarë thonë lojtarët. De Bruyne, për shembull, ka thënë se në dhjetë vite te Manchester City nuk ka vrapuar kurrë aq shumë sa në tre muaj te Napoli. Puna e tepërt fizike ‘e thatë’ tenton të stresojë muskujt dhe aty ndodhin lëndimet. Unë kam licencë trajneri dhe kam provuar të dy metodologjitë; kur kam punuar me ngarkesa të rënda fizike, kam pasur shumë probleme muskulore”, shtoi ai.
Situata e Rrahmanit e shqetëson veçanërisht Renicën.

“Ai është në lëndimin e tretë muskulor dhe është bërë praktikisht i pazëvendësueshëm në këtë mbrojtje. Ta kesh në dispozicion vetëm me ndërprerje dëmton shumë.”
Megjithatë, Renica pranoi cilësitë e përgjithshme të Contes, duke e cilësuar taktikisht të përkryer dhe një fitues të provuar.
Por ai shtoi një vërejtje të qartë: “Nga ana fizike, është për të ardhur keq që ai nuk kërkon të përmirësohet. Moskalimi i fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve këtë sezon ndaj atyre kundërshtarëve ishte domethënës; mendoj se është një kufizim real”.
Sa i përket cilësisë së skuadrës së Napolit, Renica u shpreh shumë pozitiv, duke e vlerësuar atë në të njëjtin nivel me Inter si më e forta në Serie A.
“Por kur mungojnë tetë lojtarë të atij niveli,” përfundoi ai, “bëhet jashtëzakonisht e vështirë, dhe këtë sezon, mes eliminimit nga Liga e Kampionëve dhe distancës nga kreu i tabelës, mund të ishte bërë më shumë”, e mbylli ai./GazetaExpress/