Ish-lojtari i Barçës që e fitoi Ligën e Kampionëve, tash punon në një dyqan sportiv - Gazeta Express
string(82) "ish-lojtari-i-barces-qe-e-fitoi-ligen-e-kampioneve-tash-punon-ne-nje-dyqan-sportiv"

Futboll

Gazeta Express

28/02/2026 9:40

Ish-lojtari i Barçës që e fitoi Ligën e Kampionëve, tash punon në një dyqan sportiv

Futboll

Gazeta Express

28/02/2026 9:40

Jeremy Mathieu ka shpjeguar arsyen pse po punon si shitës në rrjetin sportiv Intersport, vetëm pesë vite pas tërheqjes nga futbolli profesionist.

Ish-mbrojtësi 42-vjeçar, i cili regjistroi pesë paraqitje me Francën mes viteve 2011 dhe 2016, ka luajtur për Sochaux-Montbéliard, Toulouse dhe Valencia, përpara se të bënte transferimin më të madh të karrierës së tij – një kalim prej 20 milionë eurosh te Barcelona.

Mathieu kaloi tre vite te gjigantët katalanas, ku fitoi tre Kupa të Spanjës, dy tituj të La Ligës dhe një Ligë të Kampionëve.

Pas largimit nga Barcelona në vitin 2017, ai iu bashkua klubit portugez Sporting CP, ku qëndroi tre vite në Lisbonë, përpara se të njoftonte pensionimin në vitin 2020, pas një dëmtimi serioz në gju të pësuar gjatë stërvitjes.

“Është e vështirë të thuash lamtumirë në këtë mënyrë,” ishte shprehur ai në atë kohë. “Doja të luaja edhe një ndeshje të fundit në shtëpi. Por jeta vazhdon.”

Pas tërheqjes së papritur, nuk pati shumë lajme për të, por vitin e kaluar ai u pa duke punuar në një dyqan të “Intersport” në jug të Francës, mes Aix-en-Provence dhe Marseille, pasi një tifoz publikoi një selfie me të në rrjetet sociale.

“L’Équipe” konfirmoi se Mathieu, i cili thuhet se fitonte rreth 100 mijë paund në javë te Barcelona, po punonte dhe menaxhonte një repart në dyqan.

Tani, ish-reprezentuesi francez ka folur për “beIN Sports” rreth vendimit për të punuar aty.

“Nëse po punoj në ‘Intersport’, është sepse po kaloj diçka që po më shkakton shumë probleme,” tha ai. “Mund të them vetëm se jam në mes të një procesi gjyqësor. Nuk do ta bëj këtë përgjithmonë. Ishte për të pasur një jetë sociale.”

Sipas “De Telegraaf”, Mathieu po ashtu ka luftuar me depresionin dhe pranon se ende nuk është rikuperuar plotësisht.

Një ish-bashkëlojtar i tij te Sochaux, Loïc Loval-Landre, e ndihmoi për të gjetur punë.

“Ai e dinte që doja të dilja pak nga shtëpia,” tha Mathieu. “Kisha kohë që nuk bëja asgjë. Po bisedonim dhe ai më tregoi se kishte një vend vakant.”

Përveç situatës së tij aktuale, ish-mbrojtësi i Barcelonës foli edhe për të luajtur përkrah njërit prej më të mirëve të të gjitha kohërave.

“Lionel Messi ishte i jashtëzakonshëm,” tha ai. “Në stërvitje nuk mund të bëje asgjë kundër tij. Megjithatë, mendoj se isha më i mirë se ai në goditjet e lira!”/GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement