Ish-kryesuesi i ekipit të BE-së në Rambuje: Kthimi i SHBA-së do ta ndryshojë ekuacionin në Ballkan - Gazeta Express

Lajme

Gazeta Express

30/11/2021 13:51

Ish-kryesuesi i ekipit të BE-së në Rambuje: Kthimi i SHBA-së do ta ndryshojë ekuacionin në Ballkan

Lajme

Gazeta Express

30/11/2021 13:51

Wolfgang Petritsch, i cili ndërmjet tetorit 1998 dhe korrikut 1999 shërbeu si Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian për Kosovën dhe kryesoi ekipet negociuese të BE-së në bisedimet e paqes për Kosovën në Rambuje të Francës beson se emërimi i Christopher Hill-it si ambasador në Beograd do ta ndryshojë ekuacionin në Ballkan, transmeton Gazeta Express.

Petritsch në një intervistë për Al-Jazeera-n tha se me Hillin do të takohet në dhjetor në Washington. Emërimin e Hillit si ambasador në Serbi, ai e sheh si lajm shumë pozitiv. Kjo, sipas tij, do të thotë se kthimi i amerikanëve në Ballkan do ta forcojë ‘fuqinë e butë’ të BE-së.

Lexo Edhe:

“Ju sapo i përmendët të gjithë njerëzit që unë personalisht i njoh pjesërisht. Kam punuar shumë ngushtë me Christopher Hill-in për çështjen e Kosovës. Pas shumë vjetëve, ne ende jemi miq dhe do ta takoj në dhjetor në Washington në cilësi private, sepse unë natyrisht që jam jashtëzakonisht pozitiv për riangazhimin amerikan në këtë, por kjo natyrisht që do të thotë se evropianët, që janë më shumë për një agjenci më afatgjate, të mbështetur në rregulla, me fuqi të butë në rajon, ne tani do të kemi një përkrahje më të fuqishme të ShBA-së dhe unë besoj se kjo vërtet do ta ndryshojë shumë ekuacionin në Ballkan”, tha Petritsch, transmeton Express.

Ish-Përfaqësuesi i Lartë i Komunitetit Ndërkombëtar në Bosnjë e Hercegovinë, Wolfgang Petritsch foli edhe lidhur me krizën ligjore dhe politike atje, sfidat e Bashkimit Evropian dhe përpjekjet e Rusisë për t’i bllokuar vendet e Ballkanit në rrugën evropiane.

Ai mendon se Zyra e Përfaqësuesit të Lartë në Bosnjë duhet të mbyllet dhe kompetencat t’i kalojnë zyrës së Bashkimit Evropian, duke parandaluar kështu bllokadën ruse.

“Në të vërtetë, ne do të duhej që ta gjykonim secilin institucion sipas të rezultateve të tij. Çfarë është arritur përmes Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë gjatë 15 viteve të kaluara dhe rezultatet janë jashtëzakonisht të dobëta. Nuk ka pothuajse asgjë që është arritur përmes Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë. Ky është problemi. Pra, nëse kuptojmë se një institucion nuk funksionon, atëherë duhet të mendojmë rreth reformimit të tij ose rreth zëvendësimit të tij me instrumente tjera më efektive dhe kjo ishte ideja ime”, tha ai.

Duke kujtuar kohën kur kishte marrë obligimin të kryente detyra të rëndësishme në Ballkan, Petritsch tha se atëherë e mbyllën misionin e OKB-së duke ia kaluar autoriteteve të duhura çështjet me të cilat merrej ky mision.

“Ndoshta dikujt ende i kujtohet koha kur unë isha Përfaqësues i Lartë, nga fundi i mandatit tim, isha i ngarkuar me drejtimin e pranisë ndërkombëtare në Bosnjë e Hercegovinë. Pra, e bëmë këtë me sukses duke e mbyllur misionin e OKB-së dhe duke i kaluar çështjet që u trajtuan atje, si policia dhe disa çështje të sistemit gjyqësor, te autoritetet e duhura. Ishte edhe ndryshimi nga SFOR-i në EUFOR. Tani ende kemi dy zyra ndërkombëtare atje. Është OSBE-ja, natyrisht, e cila duhet të mbetet atje e që është mision afatgjatë, por jo shumë ndërhyrës, nuk duhet të jetë (ndërhyrës), dhe Zyra e Përfaqësuesit të Lartë”, tha ai.

Petritsch thotë se përgjatë 20 viteve të kaluara “Bashkimi Evropian e ka vendosur misionin më të fuqishëm të BE-së në botë në Bosnjë e Hercegovinë, me qindra miliona euro buxhet”.

Ai tha se Rusia është në anën e anëtarit serb të presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Millorad Dodik, duke kritikuar këtë qasje, e cila sipas tij ka nevojë pët parandalim.

“Pika e dytë, që ju e përmendët, që nga pushtimi i Krimesë nga Rusia, në krizën e Ukrainës, Rusia nuk është më partnere për Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe shtetet tjera në Këshillin për Zbatimin e Paqes. Ata (rusët) janë duke e kundërshtuar aktivisht fuqizimin e shtetit të Bosnjës e Hercegovinës. Ata (rusët) janë në anën e Dodikut dhe po përpiqen që ta dobësojnë shtetin edhe më tej. Prandaj, pse t’i jepet Moskës një platformë e tillë, ku ajo vetëm punon kundër vendit? Për shumë vjet tashmë, Moska nuk angazhohet për perspektivën evropiane të Bosnjës e Hercegovinës. Pra, ku jemi ne në të vërtetë? Jemi në Evropë dhe, natyrisht, qëllimi i natyrshëm përfundimtar i Bosnjës duhet të jenë Evropa dhe Bashkimi Evropian”, tha ai.

Ish-përfaqësuesi i lartë i bashkësisë ndërkombëtare ka ritheksuar propozimin e tij për themelimin e një platforme të re për Bosnjën.

“Prandaj, propozimi im përgjatë vjetëve ka qenë: le ta mbyllim Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë, ta kalojmë tek evropianët atë që ende ka mbetur te Përfaqësuesi i Lartë dhe, në ndërthurje e në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara, të themelojmë një platformë të re për Bosnjën e Hercegovinën. Kjo do të ishte ideja ime”, u shpreh ai.