Ish-basketbollisti i NBA-së, Stephen Jackson, kërkon drejtësi për shokun e tij të fëmijërisë, George Floyd. 42-vjeçari teksan ka ngritur zërin duke iu bashkuar në këtë mënyrë zemërimit mbarëpopullor që ka ngjallur në Shtetet e Bashkuara vdekja e afro–amerikanit. 46-vjeçari nga Karolina e Jugut humbi jetën të hënën e kaluar në Shtetin e Minesotës, më saktë në qytetin Minneapolis, pas dhunës së ushtruar ndaj tij nga katër policë të zonës.
George Floyd u denoncua nga punonjësi i një marketi, për shkak të përdorimit të një kartmonedhe 20-dollarëshe të falsifikuar. Floyd u arrestua në Powderhorn, një lagje në jug të qendrës së Mineapolisit, dhe pasi kundërshtoi fillimisht forcat e rendit ai bëri rezistencë dhe refuzoi që të qëndronte në këmbë apo të shkonte në rajon, duke u rrëzuar dy herë, për të evituar futjen në makinën e policisë.
Pamjet filmike të regjistruara nga kamerat e një restoranti aty pranë apo edhe nga dëshmitarë të ndryshëm tregojnë se George Floyd u është lutur vazhdimisht katër oficerëve për ta lëshuar, duke iu përgjëruar që të mos ta vrisnin, ndërsa në vijim, teksa ndodhej me duart prapa, i prangosur, dhe me fytyrën përdhe, ai i ka përsëritur në mënyrë të vazhdueshme oficerit të policisë, Derek Chauvin, që i kishte vendosur gjurin në fyt, se nuk po arrinte të mbushej dot me frymë.
Chauvin e mbajti nën vete viktimën, duke i peshuar me gju në pjesën e grykës për një kohë që zgjati plot 8 minuta e 46 sekonda, madje ekspertët kanë arritur në përfundimin se George Floyd është mbajtur në një pozicion të tillë edhe 2 minuta e 53 sekonda pasi i kishte rënë të fikët dhe nuk reagonte më fare.
Ngjarja shkaktoi, përveç polemikave, shumë protesta në zonën Minneapolis – Saint Paul, duke rihapur sërish debate të shumta në lidhje me reagimin e dhunshëm të forcave të ruajtjes së rendit ndaj njerëzve me ngjyrë.
Byroja Federale e Hetimit në vend, FBI, hapi një hetim të menjëhershëm në lidhje me procedurën tepër të diskutueshme që vu në zbatim përgjatë momentit të arrestimit, që më pas rezultoi edhe fatale për jetën e 46-vjeçarit me origjinë afro–amerikane.
Të nesërmen, të katër oficerët u shkarkuan nga detyra, ndërsa ditën e premte, ish-oficeri i policisë, Derek Chauvin, u arrestua dhe ndaj tij u ngritën pa humbur kohë akuza për vrasje të shkallës së tretë.
Ish-basketbollisti i mirënjohur, që në të kaluarën është aktivizuar në NBA me plot tetë skuadra të ndryshme, iu bashkua protestave masive në bashkinë e qytetit Mineapolis, për më tepër Stephen Jackson shpjegoi se ishte shok fëmijërie me George Ford.
42-vjeçari teksan deklaroi se nuk ndjen frikë, por është shumë i lënduar për humbjen e mikut të tij. Pasi vuri theksin te të drejtat, Jackson tha se është koha për të folur, për të kërkuar shpjegime dhe për të ndryshuar. Stephen Jackson gjatë njërit prej fjalimeve të tij ka thënë se pamja e oficerit të policisë me gjurin të vendosur në fyt, teksa po i merrte jetën vëllait të tij, është vërtet domethënëse dhe, sipas tij, duket sikur gjatë këtij veprimi oficeri Derek Chauvin, i vetëkënaqur, buzëqesh si për të treguar se është i mbrojtur për shkak të detyrës dhe se do t’ia hedhë paq.
Stephen Jackson ka këmbëngulur duke shtuar se ky është një vështrim me të cilin njerëzit tashmë janë mësuar dhe përësëri drejtësia mungon. Stephen Jackson dhe George Floyd, që të dy nga Houstoni, ishin rritur bashkë, ndërsa më pas rrugët e tyre u ndanë dhe Jackson luajti nga viti 2000 deri në 2013 në nivelet më të larta, duke kulmuar me titullin që fitoi në vitin 2003 në radhët e ekipit të fasmshëm teksan, San Antonio Spurs, në krah të emrave të tillë si David Robinson, Steve Kerr, Malik Rose, Tim Duncan, Tony Parker, Manu Ginobili e Bruce Bowen. /SS/