Pas burgosjes për vrasje, Aleksandr Abbasov-Derskhan vendosi të regjistrohej për të luftuar në Ukrainë, duke besuar se kjo mund t’i jepte një mundësi reale për të nisur jetën nga e para. Në mendjen e tij, gjithçka varej nga një gjë e vetme: të mbijetonte në vijën e frontit dhe të kthehej gjallë.
Megjithatë, pasi doli nga burgu gjashtë vite më herët për t’iu bashkuar Storm Z – një njësi ushtarake ruse e përbërë kryesisht nga të dënuar dhe pasi humbi këmbën e djathtë si pasojë e shpërthimit të një mine kundër personelit, Abbasov-Derskhan thotë se ndihet i mashtruar. Sipas tij, ai u keqinformua jo vetëm për qëllimet e luftës, por edhe për përfitimet që i ishin premtuar pas kthimit në jetën civile.
“Rrezikova jetën time, por ende nuk e kuptoj për çfarë”, tha ai, 39 vjeç, në një intervistë të dhënë së fundmi në Lyubertsy, një periferi punëtore pranë Moskës.
“Oficerët e rekrutimit na thoshin: ‘Do të merrni pagesa njësoj si të gjithë të tjerët që janë me kontratë’. Ata na joshnin me premtimin se do të rehabilitoheshim dhe se do të bëheshim sërish pjesë e plotë e shoqërisë. Por kjo nuk ndodhi”, raporton Koha.
Abbasov-Derskhan kishte folur edhe më parë për The New York Times, në një artikull të publikuar vitin e kaluar për ushtarët rusë që përballen me rikuperime të gjata pas plagosjeve. Vendimi i tij për të folur sërish publikisht tregon shkallën e dëshpërimit të tij, pasi kritika ndaj qeverisë ruse, sidomos në lidhje me luftën – mund të sjellë pasoja të rënda personale dhe ligjore.
Ai është një nga të paktët ish-të dënuar që kanë pranuar të japin intervista për gazetarët si një mjet të fundit për të bërë që të dëgjohet zëri i tyre. Edhe pse jo të gjitha detajet e rrëfimit të tij kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur, historia e tij përputhet me dëshmi të tjera të ngjashme, si dhe me ankesa konfidenciale të paraqitura nga ushtarë dhe familjarët e tyre, të cilat u publikuan aksidentalisht online nga vetë qeveria ruse vitin e kaluar.
Këto ankesa, që ishin pjesë e një investigimi të botuar në dhjetor, përmbanin histori të ngjashme nga ish-të dënuar që u regjistruan për të luftuar dhe më pas nuk morën kompensimet që besonin se u takonin.
Edhe pse zgjedhja për t’u bashkuar me luftën ishte e tij, rruga që e çoi deri aty ishte rezultat i një sërë vendimesh të gabuara në të kaluarën.
Në shkurt të vitit 2019, ai ishte duke pirë me disa të njohur në rajonin e Tulës, rreth 160 kilometra në jug të Moskës, kur njëri prej tyre kërcënoi jetën e nënës së tij, sipas të dhënave gjyqësore. Pasi ky person ra në gjumë, Abbasov-Derskhan e sulmoi me një stol, e tërhoqi në dysheme dhe vazhdoi ta rrihte dhe ta godiste me shkelma. Dy persona të tjerë që ishin të pranishëm iu bashkuan sulmit, dhe viktima u shpall e vdekur pak më vonë.

Procesi, “një kurth”
Ai u arrestua ditën tjetër dhe, pas një procesi gjyqësor, u dënua me 10 vjet e gjysmë burg në një koloni penale të regjimit të ashpër.
Sipas tij, jeta në burg i bën njerëzit të ndihen si të humbur pa shpresë, pasi është jashtëzakonisht e vështirë të rindërtosh jetën pas një dënimi penal. Kur nëna e tij vdiq vetëm dy javë pasi ai u burgos, ai filloi të fiksohej me idenë për të dalë nga burgu sa më shpejt, sidomos para se të vdiste edhe babai i tij, me të cilin kishte pasur një marrëdhënie të paqëndrueshme.
Në vitin 2022, kur rekrutuesit e grupit paramilitar Wagner mbërritën në burg duke ofruar liri në këmbim të gjashtë muajve luftë, ai fillimisht hezitoi. Ai kishte dëgjuar se Wagner kishte një reputacion brutal dhe se madje vriste edhe anëtarët e vet.
Por në shkurt të vitit 2023, kushtet në koloninë penale u përkeqësuan edhe më tej. Administrata filloi të kufizonte më shumë sendet që të burgosurit mund të merrnin nga familjarët. Kur rekrutuesit nga Ministria e Mbrojtjes mbërritën në pranverën e vitit 2023, ai tashmë ishte i gatshëm të pranonte një kontratë gjashtëmujore me njësinë Storm Z.
“Nuk ishte detyrim. Ishte një marrëveshje vullnetare”, tha ai. “Do ta kisha urryer veten nëse nuk do ta bëja”.
Përveç kësaj, ai e shihte këtë si një provë të qëndrueshmërisë së tij fizike dhe emocionale.
“Nuk kisha shërbyer kurrë në ushtri”, tha ai. “Ndoshta doja t’ia dëshmoja vetes se mund ta bëja, se kisha guxim. Dhe e bëra”.
Megjithatë, në vend që të kthehej si një hero, ai thotë se u përball me zhgënjim të madh. Sipas tij, përfitimet që mori ishin shumë më të vogla se ato që i ishin premtuar dhe shteti refuzoi t’ia fshinte të kaluarën kriminale.
Ai thotë se mori rreth 6.300 dollarë për gjashtë muaj shërbim dhe një pagesë të vetme prej 3.800 dollarësh si kompensim për humbjen e këmbës. Në krahasim, personat që nënshkruajnë kontrata ushtarake jashtë burgut përfitojnë deri në dhjetë herë më shumë për humbjen e një gjymtyre, si dhe një pension invaliditeti që varion nga 55 deri në 283 dollarë në muaj, sipas të dhënave publike nga autoritetet rajonale në Tula dhe një dekreti të nënshkruar nga presidenti rus Vladimir Putin. Rekrutët civilë nga rajoni i tij marrin gjithashtu një bonus fillestar rreth 3.730 dollarë dhe një pagë mujore minimale prej 2.580 dollarësh.
Ai kujton se, kur nënshkroi kontratën, iu dhanë tre faqe me shkrim të imët për t’i lexuar brenda pak minutash. Ai as nuk u përpoq t’i lexonte, dhe sipas tij iu tha thjesht: “I pe? Mirë, firmos”. Ai e përshkruan të gjithë procesin si një “kurth”.
Sipas tij, oficerët e rekrutimit e kishin bërë të besonte se do të përfitonte të njëjtat të drejta si ushtarët civilë. “Ishte thjesht një karrem për të na tërhequr”, tha ai.

“Ky nuk është patriotizëm”
Në fund të tetorit, presidenti Putin nënshkroi një ligj që përcaktonte se ushtarët e Storm Z të rekrutuar midis 1 tetorit 2022 dhe 1 shtatorit 2023 do të kishin të drejtë për të njëjtat pagesa dhe status si veteranët e tjerë. Megjithatë, Abbasov-Derskhan mbetet skeptik se do të përfitojë realisht nga ky ligj.
“Këto janë gjërat që vendi im më detyrohet”, tha ai, “por ata po përpiqen në çdo mënyrë të shmangin këtë përgjegjësi”.
Pas nënshkrimit të kontratës, ai u dërgua në vijën e frontit pranë Kupianskut, një qytet strategjik në lindje të Ukrainës, të cilin forcat ruse përpiqeshin ta rimerrnin pas kundërofensivës ukrainase të vitit 2022.
Ai thotë se rrethanat që çuan në plagosjen e tij janë të paqarta dhe të mjegullta në kujtesën e tij, dhe vetëm pas gjashtë muajsh rehabilitimi filloi të kuptonte se çfarë mund të kishte ndodhur në të vërtetë.
Sipas tij, pak pas mbërritjes në front, një anëtar i njësisë së tij u vra nga zjarri ukrainas. Të nesërmen, komandanti i tyre, i njohur me nofkën “Kazan” dërgoi një grup ushtarësh për të vendosur mina në zonë. Ditën pasuese, Abbasov-Derskhan u urdhërua të shkonte për të tërhequr trupin e ushtarit të vrarë.
Gjatë këtij misioni, ai shkel mbi një minë, për të cilën më vonë arriti në përfundimin se mund të ishte vendosur nga vetë forcat ruse. Një mik i tij nga burgu, i cili ishte bërë granatier, arriti ta nxirrte nga zona e rrezikut duke e transportuar me barelë.
Në mënyrë ironike, plagosja që i kushtoi këmbën mund t’i ketë shpëtuar jetën.
Të nesërmen, komandanti “Kazan” e dërgoi përsëri në mision luftarak grupin e mbetur, ku bënte pjesë edhe miku i Abbasov-Derskhanit. Nga rreth 180 burra që ishin në atë njësi, ai thotë se kishte dëgjuar që vetëm një kishte mbijetuar.
Pas plagosjes, Abbasov-Derskhan u transportua nga një spital ushtarak në tjetrin, derisa më në fund mori trajtim në territorin e pushtuar ukrainas të Luhanskut.
Pasi kaloi fazën fillestare të rikuperimit, i ati mori përsipër të niste procedurat për sigurimin e përfitimeve ushtarake të të birit. Por, sipas Abbasov-Derskhanit, atij iu tha se djali i tij nuk kishte nënshkruar një “kontratë”, por një “marrëveshje”, dhe për këtë arsye nuk kishte të drejtë të përfitonte të njëjtat kompensime si vullnetarët civilë.
Një tjetër shqetësim i madh për të ishte fakti që shteti nuk mbajti premtimin për t’ia fshirë të kaluarën kriminale. Kjo gjë ka ndikuar drejtpërdrejt në mundësitë e tij për punësim. Për sa kohë konsiderohet ende ish-i dënuar, ai thotë se nuk mund të sigurojë një punë që paguhet mirë në ndërmarrjet e industrisë ushtarake, të cilat zakonisht nuk pranojnë persona me precedent penal.
Pavarësisht dëmtimit të rëndë, Abbasov-Derskhan punon si saldator rreth 12 orë në ditë, gjashtë ditë në javë. Përveç pagës mujore prej rreth 1.700 dollarësh, ai merr edhe rreth 175 dollarë në muaj si pagesë invaliditeti nga shteti.
Ndërsa ecte lehtë duke çaluar drejt një kafeneje pranë stacionit të metrosë në Lyubertsy, ai pa rekrutues të Ministrisë së Mbrojtjes që qëndronin nën një tendë dhe u bënin thirrje kalimtarëve të nënshkruanin kontrata për të luftuar.
Ai u shpreh i habitur që disa njerëz që njihte, të cilët ishin plagosur në luftë, po ktheheshin sërish në front vetëm për para.
“Njerëzit nuk e vlerësojnë jetën e tyre”, tha ai.
“Patriotizmi”, shtoi më tej, “është kur punon 12 orë në ditë këtu për pagën time, duke blerë produkte me zbritje që të mund t’ia dalësh deri në fund të muajit”.
“Fakti që shkon atje dhe vret veten nga budallallëku, nga një predhë? Ky nuk është patriotizëm”.