Ish-drejtori i Sekretariatit të KPK-së dhe të tjerët sërish para Apelit, elaborohen ankesat dhe përgjigjet e palëve - Gazeta Express
string(114) "ish-drejtori-i-sekretariatit-te-kpk-se-dhe-te-tjeret-serish-para-apelit-elaborohen-ankesat-dhe-pergjigjet-e-paleve"

Lajme

Gazeta Express

25/09/2025 12:26

Ish-drejtori i Sekretariatit të KPK-së dhe të tjerët sërish para Apelit, elaborohen ankesat dhe përgjigjet e palëve

Lajme

Gazeta Express

25/09/2025 12:26

Në Gjykatën e Apelit të enjten është mbajtur seanca në të cilën janë elaboruar ankesat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe mbrojtësit të të akuzuarës Marigonë Berisha, avokatit Fatlum Podvorica, të cilat janë parashtruar ndaj vendimit të Gjykatës Themelores në Prishtinë, e cila më 28 prill 2025 kishte liruar nga akuza për korrupsion ish-drejtorin e Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Lavdim Krasniqi dhe Flora Dodën ndërkaq e kishte dënuar me 3 mijë euro gjobë Marigona Berishën për falsifikim të dokumentit.

Gjykatësi referues, Hashim Çollaku tha Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë ankesë me pretendimin se aktgjykimi përmban shkelje esenciale dhe se nuk është vërtetuar gjendja faktike saktë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Ndërkaq, avokati Podvorica gjatë elaborimit të ankesës ka theksuar se Gjykata gabimisht ka ardhur në konstatim të gjendjes faktike, pasi që ekspertja në gjykim ka sqaruar se nënshkrimi i dhënë në dokumente nuk është i të akuzuarës Berisha.

Përgjigje në ankesën e Prokurorisë ka parashtruar mbrojtësi i Krasniqit, avokati Ramë Gashi, duke kërkuar që të vërtetohet vendimi i Themelores sa i përket Krasniqit dhe të refuzohet ankesa e Prokurorisë.

Avokati Gashi tha se Prokuroria në ankesë ka përshkruar në tërësi aktakuzën e saj dhe se nuk e ka bazuar ankesën në ato se çka është zhvilluar gjatë gjykimit.

Përgjigjen në ankesë e elaboroi edhe mbrojtësi i Dodës, avokati Arlind Jupolli i cili kërkoi që edhe për klienten e tij të vërtetohet vendimi i Themelores.

Më pas, gjykatësi Çollaku tha se brenda afateve ligjore palët do të njoftohen me vendimin e Gjykatës së Apelit.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 9 mars 2023 kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj ish-drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Lavdim Krasniqi, duke e dënuar me 6 muaj burgim dhe 8 mijë euro gjobë.

Ndërsa, Ardian Krasniqi ishte dënuar me dënim unik prej 4 vite e 8 muaj burgim dhe 6 mijë euro gjobë. Kurse e akuzuara Marigonë Berisha, u dënua me 5 mijë euro gjobë. Ndërsa, e akuzuara Flora Doda, ishte liruar nga akuzat.

Kundër këtij aktgjykimi kishte bërë ankesë Prokuroria Themelore në Prishtinë për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, vendimit mbi dënimin, konfiskimin dhe kërkesave pasurore-juridike. Kurse, Prokuroria e Apelit kishte kërkuar që kjo ankesë e Prokurorisë Themelore të aprovohet si e bazuar, ndërkaq aktgjykimi i ankimuar të anulohet dhe ndaj të akuzuarve lënda të kthehet në rigjykim dhe rivendosje. Ndërkaq, ka kërkuar që të refuzohen si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve.

Kurse, Gjykata e Apelit më 7 nëntor 2023 e ka kthyer në rigjykim këtë çështje penale.

Në rigjykim, Gjykata Themelore në Prishtinë më 16 shkurt 2024, ish-drejtorin e Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Lavdim Krasniqi dhe Flora Dodën e liroi nga akuza për korrupsion, ndërsa Marigonë Berisha u dënua me 3 mijë euro për falsifikim të dokumentit. Për të akuzuarin Ardian Krasniqi ishte veçuar procedura penale.

Por, Gjykata e Apelit ka marrë vendim sërish, me të cilin ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndërsa e ka kthyer për herë të dytë në rigjykim rastin ndaj ish-drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Lavdim Krasniqi, si dhe Flora Dodës e Marigonë Berishës.

Shqyrtimi fillestar në këtë rast është mbajtur më 6 tetor 2021, ku të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Ndërsa, Gjykata Themelore në Prishtinë më 25 nëntor 2021 kishte aprovuar pjesërisht kërkesat e mbrojtësve të akuzuarve Lavdim Krasniqi e Marigonë Berisha duke hudhur poshtë dy pika të aktakuzës ndaj Krasniqit me të cilat ngarkohej për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe Berishës për veprën penale “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale” si dhe ka shpallur të papranueshme si provë një CD dhe transkriptimin e saj.

Kurse, ajo ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes së Lavdim Krasniqit për hudhje të aktakuzës lidhur me veprën penale “Ushtrim ndikimi” dhe “Mosraportim ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

Tutje, ka lënë në fuqi aktakuzën ndaj Ardian Krasniqit për veprat penale në vazhdimësi dhe bashkëkryerje “Ushtrim ndikimi”, veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” si dhe veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.

Për Marigonë Berishën, ka mbetur në fuqi pika e akuzës ku ngarkohet për “Falsifikim të dokumenteve”. Ndërsa, për Flora Dodën, vepra penale për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Mirëpo, Gjykata e Apelit më 4 shkurt 2022 ka ndryshuar vendimin e shkallës së parë, me ç’rast ka vendosur që Lavdim Krasniqi të gjykohet edhe për dy pikat e aktakuzës për korrupsion. Ndërsa, ka vërtetuar vendimin e shkallës së parë që CD të shpallet si provë e papranueshme.

Sipas aktakuzës së ngritur më 13 gusht 2021 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Lavdim Krasniqi në cilësinë e drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial (KPK) dhe Ardian Krasniqi në cilësinë e shoferit të tij personal, akuzoheshin se nga janari i vitit 2018 e deri në fund të vitit 2019, në bashkëkryerje, në vazhdimësi, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë, kanë kërkuar dhe pranuar të holla dhe dhurata për vete dhe për tjetrin nga Bashkim Mulolli./BetimipërDrejtësi/