Ish-deputetja e PDK’së, Besa Ismaili Ahmeti ka reaguar pas vendimit për të mos certifikuar Listën Serbe, duke e cilësuar këtë si një hap që lë serbët pa përfaqësim real politik në Kosovë.
Ajo theksoi se Serbia, përmes monopolizimit të përfaqësimit politik me një parti të vetme, ka mbytur çdo përpjekje për pluralizëm, por sipas saj, edhe Kosova ka ndjekur të njëjtën rrugë duke kriminalizuar tentativat për krijimin e partive të tjera serbe.
“Betejën e Vuçiqit për të mbytur pluralizmin politik në veri, e ka ndihmuar Kurti. Në vend që të ndërtonte hapësirë demokratike për serbët lokalë, pushteti i Kurtit e çoi këtë betejë në një nivel më të lartë: duke lënë Listën Srpska pa certifikim, dhe rrjedhimisht serbët pa asnjë zë politik real”, shkroi Ismaili Ahmeti.
Ajo paralajmëroi se një qasje e tillë rrezikon ta ekspozojë Kosovën ndaj akuzave ndërkombëtare për “shtypje të demokracisë dhe fashizëm politik”, duke shtuar se kjo i jep Serbisë arsye shtesë për ta shfrytëzuar situatën në arenën ndërkombëtare.
Në fund, Ismaili Ahmeti theksoi se rruga mund të kishte qenë ndryshe, nëse do të krijohej hapësirë për pluralizëm politik real për qytetarët serbë në Kosovë.