Ish-deputeti i Partisë Demokratike në Durrës, Ferdinand Xhaferaj, është emëruar këshilltar i Presidentit të Republikës, Bajram Begaj.
Emërimi është bërë gjatë ditëve të fundit, pas përfundimit të mandatit të tij si deputet në Kuvendin e Shqipërisë, ndërsa Xhaferaj nuk pranoi të rikandidonte në zgjedhjet e ardhshme parlamentare duke mos hyrë në primaret e PD.
Ferdinand Xhaferaj ka një karrierë të gjatë në politikë dhe në fushën e sigurisë kombëtare.
Ai ka kryer studimet universitare në Universitetin e Tiranës dhe në vitin 1999 ka ndjekur një specializim në Universitetin e Harvardit për “Politikat e Lidershipit”.
Më pas ka përfunduar një Master të Dyfishtë për “Siguri Ndërkombëtare” dhe “Çështje të Sigurisë Kombëtare” në Naval Postgraduate School në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa në vitin 2006 ka përfunduar studimet e doktoraturës pranë Akademisë së Mbrojtjes.
Në karrierën e tij politike, Xhaferaj ka qenë deputet i Partisë Demokratike për pesë legjislatura dhe ka mbajtur funksione të rëndësishme parlamentare, ndër to: kryetar i delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s (1996–1997), bashkëkryetar i Komisionit për Integrimin në NATO (2007–2009), zëvendëskryetar i Komisionit për Integrim Europian (2005–2009), anëtar i delegacionit shqiptar në Parlamentin Europian (2005–2009), si dhe zëvendëskryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare (2021–2025).
Gjatë viteve 2009–2011, ai ka shërbyer si Minister i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, periudhë në të cilën u njoh për kontributin e tij në promovimin e turizmit dhe trashëgimisë kulturore shqiptare.
Përveç angazhimit politik, Xhaferaj ka pasur edhe një veprimtari akademike të gjerë, duke ligjëruar në Akademinë Ushtarake, Universitetin e Durrësit dhe Kolegjin Universitar “Bedër”. Ai është autor i monografisë “Deballkanizmi i Ballkanit”, botuar nga shtëpia botuese “Dudaj”, dhe ka marrë pjesë në një sërë konferencash kombëtare e ndërkombëtare mbi sigurinë kombëtare dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.
Ferdinand Xhaferaj njihet si njohës shumë i mirë i gjuhës angleze dhe italiane, ndërsa fushat e tij kryesore të interesit janë shkencat politike, siguria kombëtare dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.