Ish ambasadori Lirim Greiçevci, rikthehet në Hagë si pjesë e ekipit mbrojtës të Hashim Thaçit - Gazeta Express
string(92) "ish-ambasadori-lirim-greicevci-rikthehet-ne-hage-si-pjese-e-ekipit-mbrojtes-te-hashim-thacit"

Ish ambasadori Lirim Greiçevci, rikthehet në Hagë si pjesë e ekipit mbrojtës të Hashim Thaçit

Lajme

Gazeta Express

20/10/2021 17:18

Ish-ambasadori i Kosovës në Hagë, Lirim Grajçevci është bërë pjesë e ekipit mbrojtës të ish-presidentit, Hashim Thaçi, i cili po akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Gjykata Speciale në Hagë, shkruan Gazeta Express.

Këtë e ka konfirmuar vet ai në një intervistë për Indeksonline.

Lexo Edhe:

“Po, ashtu siç ishte përcaktuar në vendim për largimin nga misioni, unë e kam përmbyllur misionin tim diplomatik në Hagë më 30 gusht 2021, dhe jam kthyer në Kosovë. Mirëpo, tani jam rikthyer në Hagë si këshilltar në ekipin mbrojtës të z. Hashim Thaçi”, ka thënë ai.

Lidhur me bashkëpunimin që kanë institucionet e Kosovës me Gjykatën Speciale, Grajçevci tha se është i pashembullt kudo në botë.

“Unë nuk e kam komentuar publikisht punën e Dhomave të Specializuara asnjëherë gjatë mandatit tim si ambasador i Kosovës në Hagë. Mendoj se zyrtarët shtetërorë duhet të përmbahen nga komentimi i vendimeve gjyqësore. Ndërsa, aq më pak do ta komentoj tani që jam akredituar si pjesë e një ekipi mbrojtës. Por, mund ta them këtë gjë, në cilësinë e qytetarit të Kosovës: bashkëpunimi i Kosovës me drejtësinë ndërkombëtare është i pashembullt kudo në botë. Asnjë pjesëtar i UÇK-së, i cili është kërkuar nga drejtësia ndërkombëtare ose vendore, nuk iu ka shmangur asaj. Dhomat e Specializuara janë mekanizmi i katërt i ndërkombëtarëve për ta hetuar dhe gjykuar UÇK-në, një forcë vullnetare për çlirimin e Kosovës, aleate e NATO-s dhe e Perëndimit”, ka thënë më tutje ai.

“Ndërkaq, Tribunali i Hagës për ish Jugosllavinë kishte akuzuar dhe gjykuar gjashtë pjesëtarë të UÇK-së, prej tyre pesë qenë liruar të pafajshëm. Ky numër kaq i madh i të shpallurve të pafajshëm është tregues shqetësues për nivelin e dëshmive që janë përdorur për t’i akuzuar ata. Secili prej tyre ka humbur shumë vite të jetës në paraburgim në Hagë. Ndërsa UNMIK-u dhe EULEX-i kanë gjykuar me dhjetëra raste në Kosovë. Nëse i shtojmë edhe rastet e ish pjesëtarëve të UÇK-së të cilët i ka gjykuar Serbia, si dhe ato nga gjyqësori i Kosovës nga viti 2018, kur i mori për herë të parë kompetencat për krime lufte, atëherë i bie që gjashtë mekanizma të ndryshëm gjyqësorë, deri më tani, e kanë ndjekur dhe gjykuar UÇK-në. Kjo nga shumëkush në Kosovë dhe jashtë saj shihet si përndjekje, si terror gjyqësor, ndaj një struktureje vullnetare, vetëmbrojtëse, e cila kishte qëllim të vetëm ndalimin e dhunës serbe në Kosovë, njëjtë sikur edhe NATO”, tha ndër të tjera ai.

“Për dallim, janë vetëm katër serbë të cilët janë dënuar në Hagë për krimet e kryera në Kosovë. Ndërsa i pesti, ish presidenti serb, Millan Millutinoviq, ishte liruar si i pafajshëm nga akuzat për ndërmarrje të përbashkët kriminale, një president i një struktureje të organizuar shtetërore, që ka refuzuar marrëveshjen e paqes në Rambuje, që ka mundësuar gjenocidin mbi popullin e Kosovës, ka votuar për të hyrë në luftë me NATO-n si anëtar i Këshillit të Lartë të Mbrojtjes, së bashku me Sllobodan Millosheviqin. Ai madje ishte lejuar ta përfundonte mandatin e tij si president i Serbisë dhe ishte dorëzuar në Hagë tek pas përfundimit të tij. Ndërsa, që të gjithë kriminelët tjerë serbë, të cilat kanë ekzekutuar planet gjenocidiale serbe në Kosovë, enden të lirë në Serbi. Ky kontrast, për ta ekzaminuar në mënyrë mikroskopike UÇK-në, palën e vetëmbrojtur, dhe për ta lënë të lirë palën agresore serbe, do të hyjë në histori si padrejtësia më e madhe në kohërat moderne”, deklaroi ai.