Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, ka ftuar qytetarët e Kosovës që nesër të protestojnë me dinjitet. Pa dhunë e pa slogane të këqija.
Bosch që ishte ambasador në Kosovë kur u themelua Gjykata Speciale, thotë se kjo gjykatë ka devijua nga qëllimi që ishte krijuar.
Ai ka thënë se pavarësisht që u konfirmua që nuk ka pasur trafikim të organeve, Specialja po vazhdon të veprojë pa asnjë mbikëqyrje.
“Ajo u krijua mbi bazën e akuzave për trafik organesh. Kur gjyqtari Williamson përfundoi se kjo nuk kishte ndodhur, arsyeja e ekzistencës së saj u zhduk dhe procesi duhej të ndalej. Tani kjo gjykatë, e cila supozohet të jetë një gjykatë kosovare, vepron pa asnjë mbikëqyrje”, thotë ai për Nacionalen.
Ish-ambasadori Bosch thotë se Gjykata Speciale nuk ka asnjë transparencë. Madje, me pranimin e provave të fundit nga Shërbimi Sekret i Serbisë, vetëm sa e minon besimin.
“Siç u vendos nga BE-ja, BE-ja duhet të shohë çfarë po bëjnë ata keq, sepse nuk tregojnë asnjë transparencë, gjë që është shumë keq. Gjithashtu, pranimi i të ashtuquajturave prova nga shërbimi sekret serb e minon edhe më tej besueshmërinë e tyre”, tha Bosch.
Ai kërkoi që kjo gjykatë të shfuqizohet, dhe të themelohet një Gjykatë për krimet e luftës në Ukrainë.
“Kjo gjykatë, e cila i kushton shumë taksapaguesve, duhet të shfuqizohet për t’i lënë vend një gjykate për Ukrainën”, thekson ai.
Si rezultat, Bosch ka një mesazh për qytetarët.
“Mesazhi im është: protestoni me dinjitet – pa dhunë apo slogane të këqija”, shprehet ish-amabsadori i Holandës në Kosovë.