Teksa Uashingtoni dhe Teherani po testojnë kufijtë e marrëveshjes së brishtë të mirëkuptimit, diplomacia përreth Iranit është bërë gjithnjë e më e ndërlikuar – dhe gjithnjë e më indirekte. Ato që fillimisht pritej të ishin bisedime të drejtpërdrejta SHBA-Iran në Doha, janë shndërruar në diplomaci fluturuese përmes Katarit, teksa tensionet në Gjirin Persik janë jashtëzakonisht të larta.
Për të analizuar zhvillimet e fundit, Radio Evropa e Lirë bisedoi me Marc J. Sievers, ish-diplomat amerikan me bazë në Abu Dabi i cili ka shërbyer në mbarë Lindjen e Mesme, përfshirë edhe si ambasador i SHBA-së në Oman, zëvendësshef i misionit në Kajro dhe ka mbajtur poste të larta diplomatike në Bagdad, Tel Aviv dhe Riad.
Radio Evropa e Lirë: Ajo që fillimisht u paraqit si mundësi për bisedime të drejtpërdrejta SHBA-Iran në Doha, tani duket të jetë shndërruar në bisedime indirekte, diplomaci e ndërmjetësuar nga Katari. Çfarë ju tregon kjo për brishtësinë e procesit?
Marc Sievers: Pashë një deklaratë të një zëdhënësi iranian që thoshte se nuk do të ketë bisedime të drejtpërdrejta. Kjo më duket disi befasuese, por nuk mund ta konfirmoj saktësisht se si do të funksionojë kjo. Nuk më duket se ia vlen të dërgohen negociatorët amerikanë në Doha nëse ata nuk do të bisedojnë drejtpërdrejt me iranianët. Por, sërish kjo është një çështje që i takon Shtëpisë së Bardhë.
Kjo nuk flet mirë për gjendjen e memorandumit të mirëkuptimit në këtë fazë, veçanërisht pas shkëmbimit të zjarrit në Gjirin Persik, sulmeve iraniane ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit dhe reagimit ushtarak të Shteteve të Bashkuara. Pra, në aspektin diplomatik është një situatë shumë delikate.
Radio Evropa e Lirë: Nëse amerikanët janë në një dhomë dhe iranianët në një tjetër, teksa Katari ndërmjetëson duke përcjellë mesazhet mes tyre, a tregon kjo se të dyja palët ende duan uljen e tensioneve, por pa marrë rrezikun politik të një angazhimi të drejtpërdrejtë?
Marc Sievers: Është e vështirë për mua të kuptoj se çfarë dëshirojnë iranianët, sepse duket se regjimi aktual është i ndarë në dy qendra vendimmarrjeje. Udhëheqja politike duket se dëshiron të arrijë një marrëveshje, por nuk është aspak e qartë për mua se të njëjtin qëndrim e ka edhe Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike.
Sepse, nëse edhe ata do ta donin një marrëveshje, pse do të dërgonin dronë sulmues kundër anijeve? Edhe nëse synojnë të tregojnë se ende kanë njëfarë kontrolli, kjo bie ndesh me zotimet që kanë marrë negociatorët e tyre. Prandaj, në këtë moment është disi e vështirë të kuptohet se çfarë dëshiron në të vërtetë Irani.
Radio Evropa e Lirë: Nëse nuk ka bisedime ballë për ballë, si do të dukej një sukses në këtë proces? A është qëllimi thjesht të parandalohet një përshkallëzim i ri ushtarak në Gjirin Persik?
Marc Sievers: Mendoj se suksesi do të thotë arritja e një mirëkuptimi – para së gjithash për Ngushticën e Hormuzit – sepse kjo është dashur të arrihet kur u nënshkrua memorandumi i mirëkuptimit, dhe është e qartë se ai nuk ka hyrë në fuqi në mënyrën si palët u pajtuan.
Ka gjithashtu dallime lidhur me Libanin. Nënshkrimi i memorandumit të mirëkuptimit në Uashington ndërmjet delegacioneve izraelite dhe libaneze, nën ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara, ishte një arritje e madhe. Por, iranianët e kundërshtojnë atë dhe thonë se bie ndesh me mirëkuptimin që ata kanë me Shtetet e Bashkuara, gjë që nuk është qëndrimi i SHBA-së.
Radio Evropa e Lirë: Bahrejni dhe Kuvajti kanë qenë shënjestër e sulmeve iraniane ditët e fundit. Bazuar në përvojën tuaj në Oman, sa shqetësuese është kur konflikti fillon të përhapet drejtpërdrejt në territorin e vendeve të Gjirit?
Marc Sievers: Ky është sulmi i parë i drejtpërdrejtë iranian i këtij lloji. Gjatë luftës së qershorit të vitit të kaluar pati vetëm një sulm iranian ndaj bazës amerikane në Katar, por dëmet ishin minimale dhe nuk u goditën objekte civile.
Por, që nga dita e parë, më 28 shkurt, iranianët kanë sulmuar të gjithë fqinjët e tyre – veçanërisht Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrejnin dhe Kuvajtin – duke u përqendruar tek infrastruktura energjetike, qendrat turistike dhe objektet civile, pa shënjestruar asnjë objekt ushtarak amerikan. Kjo i ka tronditur të gjithë. Është diçka e paprecedent.
Radio Evropa e Lirë: Kur flasim për Ngushticën e Hormuzit, flasim edhe për arterien kryesore ekonomike të shteteve të Gjirit. Sa mendoni se janë të shqetësuara vende si Omani dhe fqinjët e tij për një ndërprerje të gjatë të lundrimit atje?
Marc Sievers: Omani ndodhet jashtë Ngushticës së Hormuzit, kështu që nuk preket drejtpërdrejt, megjithëse kjo ndikon në tregun e përgjithshëm dhe në mjedisin më të gjerë rajonal. Edhe Omani është goditur disa herë nga iranianët.
Omani ka punuar me Iranin për të arritur një lloj mirëkuptimi mbi mënyrën e rregullimit të trafikut detar në Gjirin Persik, dhe ky ka qenë një burim mosmarrëveshjesh mes Omanit dhe Shteteve të Bashkuara. Deklaratat më të fundit sugjerojnë se autoritetet e Omanit mund të jenë duke u tërhequr nga koordinimi i qëndrimeve të tyre me Iranin, por nuk e di saktësisht se cili është statusi aktual i kësaj çështjeje.
Shtetet e tjera të Gjirit po kërkojnë alternativa. Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite kanë tubacione alternative për transportimin e naftës përmes rrugëve të tjera. Kuvajti është më i ekspozuar për shkak të pozitës së tij gjeografike, dhe deri diku edhe Iraku.
Me kalimin e kohës, kjo mund ta shtyjë rajonin drejt zhvillimit të rrugëve alternative dhe krijimit të marrëveshjeve shumëpalëshe për transportin detar. Por, liria e lundrimit ka pasoja globale. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që Iranit të mos i lejohet e drejta për të sulmuar anijet në ujërat ndërkombëtare. Kjo është një nga shtyllat themelore të tregjeve ndërkombëtare të energjisë.
Radio Evropa e Lirë: A e detyron kjo krizë Këshillin për Bashkëpunim të Gjirit të afrohet më shumë në aspektin strategjik, apo nxjerr në pah dallime edhe më të thella në mënyrën se si secili kryeqytet dëshiron të merret me Teheranin?
Marc Sievers: Kjo është një pyetje shumë interesante. Fillimisht do të thosha se kjo krizë i afroi më shumë vendet e Këshillit për Bashkëpunimit të Gjirit. Por, teksa lufta vazhdoi për disa javë, u duk se ato nisën të ndiqnin qëndrime disi të ndryshme. Në këtë pikë, gjithçka varet nga mënyra se si do të përfundojë situata, dhe ende nuk kemi arritur në atë fazë.
Radio Evropa e Lirë: Përveç Ngushticës së Hormuzit, pritet që bisedimet teknike të përfshijnë edhe përjashtimet nga sanksionet dhe rezervat e Iranit të uraniumit të pasuruar në nivel të lartë. Cila prej këtyre çështjeve është më e vështira për t’u zgjidhur – paratë, transporti detar apo çështjet bërthamore?
Marc Sievers: Të gjitha janë të ndërthurura – janë të lidhura mes vete. Edhe nënpresidenti amerikan, JD Vance, i cili ka qenë shumë optimist për memorandumin e mirëkuptimit, e ka bërë të qartë se nuk do të ketë lehtësim të gjerë të sanksioneve derisa Irani të bëjë zotimet e duhura lidhur me programin e tij bërthamor.
Është folur për dhënien e licencave për shitjen e naftës iraniane gjatë kësaj periudhe 60-ditore – ky do të ishte një lëshim. Ka edhe fonde iraniane të ngrira në Katar dhe Oman, të cilat, sipas disa raportimeve, mund të zhbllokohen, por këtë unë nuk e kam të qartë.
Pastaj është edhe ideja për krijimin e një fondi rindërtimi prej 300 miliardë dollarësh dhe sinqerisht nuk e di se kush do ta financonte atë. Nuk shoh se ndonjë nga shtetet e Gjirit – me përjashtim ndoshta të Katarit – do të ishte i interesuar që të merrte pjesë.
Radio Evropa e Lirë: Në të njëjtën kohë, paqëndrueshmëria e brendshme në Iran vazhdon, përfshirë vrasjen e anëtarëve të Gardës Revolucionare në Kermanshah. Sa ndikojnë presionet e brendshme në pozicionin negociues të Teheranit?
Marc Sievers: Unë nuk jam brenda Iranit, prandaj është e vështirë që të them me saktësi. Por, është shumë e qartë se brenda udhëheqjes ekzistojnë të paktën dy kampe. Ndonjëherë ata e përdorin edhe këtë si taktikë, kështu që është e vështirë të kuptosh se çfarë po ndodh në të vërtetë.
Megjithatë, duket qartë se presidenti Masud Pezeshkian, ndoshta edhe kryetari i Parlamentit, Mohammad Baqer Qalibaf – i cili ka qenë një nga negociatorët kryesorë – si dhe ministri i Jashtëm, të gjithë duket se dëshirojnë të arrijnë një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara.
Nuk është e qartë për mua nëse Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike ka të njëjtin qëndrim, veçanërisht kur bëhet fjalë për lëshimet që Irani mund të bëjë për çështjet bërthamore, për të cilat ata vazhdojnë të thonë se janë vijë e kuqe. Prandaj, mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë.
Radio Evropa e Lirë: Le të flasim për një çështje tjerë. A jemi dëshmitarë të një arkitekture të re dhe më të gjerë të sigurisë rajonale mes Iranit, vendeve të Gjirit dhe Uashingtonit, apo bëhet fjalë vetëm për një armëpushim të përkohshëm në një konfrontim shumë më të gjatë?
Marc Sievers: Ende nuk e dimë. Jam shumë skeptik sa u përket këtyre pretendimeve. I kam parë këto, por të paktën nga këndvështrimi im këtu në Abu Dabi, do të thosha se nuk ka besim ndaj regjimit iranian. Dhe, do të duhet shumë kohë që ai besim të rindërtohet.
Nëse Irani dëshiron të tregojë se nuk përbën kërcënim për fqinjët e tij, do të duhet të punojë shumë për të kapërcyer trashëgiminë e sulmeve të tij të paligjshme ndaj infrastrukturës civile, objekteve energjetike, një reaktori bërthamor – dhe lista vazhdon. Kjo nuk do të zhduket shpejt./REL/
Fluturime nga Baseli për në Prishtinë dhe anasjelltas me çmime shumë të volitshme Reisebüro Prishtina ofron sherbime të sigurta,...