Irma Kurti për kritikën letrare - Gazeta Express
string(31) "irma-kurti-per-kritiken-letrare"

Arte

Gazeta Express

08/08/2022 18:06

Irma Kurti për kritikën letrare

Arte

Gazeta Express

08/08/2022 18:06

NËSE DO TË EKZISTONTE…

Nëse do të ekzistonte kritika shqiptare, me siguri nuk do të ndiheshim kështu si sot: të humbur në një xhungël, në gjysmerrësirë, ku ecim të hallakatur dhe ndjejmë të shtyrat, bërrylat, britmat e atyre që duan të na bindin që ky apo ai është një autor a libër cilësor. Nëse do të ekzistonte vërtetë kritika, atëherë qindra librave që botohen çdo ditë nuk do t’u thurej më lavde dhe armata e “poetëve” do të ishte përgjysmuar.

Lexo Edhe:

Shtëpitë botuese shqiptare botojnë pa asnjë kriter përzgjedhjeje, pa nënshkruar një kontratë botimi, pa i njohur të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre, pa i redaktuar dorëshkrimet dhe në më të shumtën e rasteve nuk “arrin”dot deri tek analiza e librit sepse ai që mban në duar është një dorëshkrim i mbushur me gabime ortografike dhe gramatikore. Gjuha shqipe po përçudnohet. Të të dhurojnë një libër sot nuk është më kënaqësi, por një problem sepse rëndom brenda faqeve të tij dergjen fjalë të shqipes të lodhura dhe të masakruara e nuk ta bën zemra as ta shfletosh, as t’i gjesh një vend në bibliotekë.

Pas vitit 90- të politika shqiptare e miqve, klaneve dhe tarafeve u thellua më tepër. Shfleton gazeta online me recensione të mbushura me superlativa dhe instinktivisht ne shqiptarët i largohemi dhe i shmangemi letërsisë së autorëve shqiptarë dhe rrekemi të lexojmë autorë të huaj.

Mëkati më i madh nuk është mungesa e kritikës sesa dallimi dhe veçimi i një vepre të mirë në këtë kaos krijimesh. Tek e fundit identifikimin e një vepre të mirë nuk e bën kritika, por vetë lexuesi.

Vitet e para kur u shpërngula në Itali unë rendja pas librave të vlerësuara nga kritika apo që kishin fituar çmime të rëndësishme letrare apo të botuara nga shtëpitë e mëdha botuese italiane. Pas zhgënjimit që provoja kur i merrja në duar, tanimë jam e kujdesshme dhe përpiqem të mos bie më në “grackën”e kritikës letrare.

Kritika profesionale do të ishte pritë ndaj rrjedhës së furishme të botimeve pa kriter; ajo me siguri do ta orientonte lexuesin, por është vetë lexuesi, eksperiencat, sensacionet, sentimentet e tij që vendosin nëse një vepër është e arrirë dhe nëse një ditë do t’i kthehet për ta lexuar sërish./Hejza

/Gazeta Express