Gjyqtarja Irena Gjoka është caktuar si gjyqtare paraprake për të shqyrtuar çështjen ndaj Ilir Metës, Monika Kryemadhit dhe tre të bashkëpandehurve të tjerë, të akuzuar nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Gjoka, një emër i njohur në drejtësinë shqiptare, do të vendosë nëse hetimet janë të plota dhe nëse çështja do të kalojë për gjykim të plotë. Dosja, që përfshin 130 fashikuj, është ndër më të mëdhatë e dorëzuara nga SPAK në gjykatë deri tani.
Nga 10 gjyqtarë të mundshëm, vetëm Erjon Cela u përjashtua nga shorti për shkak të një vendimi të mëparshëm për Metën – arrest në burg në një çështje tjetër. Caktimi i Gjokës vjen vetëm pak ditë pasi SPAK zyrtarizoi akuzat ndaj Metës dhe bashkëpunëtorëve të tij, përfshirë ish-deputetin Pirro Xhixho, Ema Cokun dhe Fatime Kryemadhin.