Piratët kibernetikë që dyshohet se kanë lidhje me Izraelin kanë grabitur mbi 90 milionë dollarë nga këmbimorja më e madhe e kriptomonedhave në Iran.
Associated Press raporton se gupi i hakerëve, i njohur si Gonjeshke Darande (Harabelët Grabitqarë), ka marrë përgjegjësinë për një sulm kibernetik ndaj Nobitex, këmbimorja më e madhe e kriptomonedhave në Iran, duke vjedhur mbi 90 milionë dollarë, transmeton Express.
Bëhet e ditur se vetë grupi ka marrë përgjegjësinë përmes një postimi në Telegram, ku ka publikuar kodin e platformës ndërsa ka thënë se, “pasuritë e mbetura të Nobitex tani janë tërësisht në shesh.
Ndërkohë, sipas firmës analitike Elliptic, fondet e vjedhura janë transferuar në adresa që mbanin mesazhe kundër Gardës Revolucionare Iraniane. Analistët besojnë se sulmi nuk kishte qëllim financiar, pasi hakerët kishin “djegur” në mënyrë efektive fondet për të dërguar një mesazh politik.
Në një postim në platformën X, Gonjeshke Darande e ka akuzuar Nobitex për ndihmën që i ka dhënë regjimit iranian për të shmangur sanksionet perëndimore dhe për të transferuar para te grupet militante, në kontekstin e përshpejtimit të programit bërthamor të vendit.
Sulmi duket se është konfirmuar edhe nga Nobitex, ku përmes një deklarate të publikuar në X, kompania njoftoi se aplikacioni dhe faqja e saj e internetit ishin jashtë funksionit për shkak të një “aksesi të paautorizuar” në sistemet e saj.