Me gjithë sanksionet e rënda ekonomike për vite e vite me radhë, iranianët ia kanë dalë ta sigurojnë kafshatën e gojës. Deri tani.
Rritja e vrullshme e çmimeve dhe mungesat në furnizime – të përkeqësuara nga lufta me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin që e kanë shkatërruar një pjesë të madhe të infrastrukturës dhe industrisë së Iranit – kanë nxitur inflacion të pakontrolluar dhe rritje të papunësisë.
Historikisht, buka ka qenë ndër produktet bazë që gjithmonë ka qenë e përballueshme falë subvencioneve shtetërore, pasi Qeveria i furnizonte furrat me miell me çmime të ulëta.
Por, çmimi i bukës është dyfishuar krahasuar me një vit më parë në vende si Teherani, duke bërë që shumë familje ta kenë të vështirë ta shtrojnë në tryezën e tyre këtë ushqim kaq themelor.
“Gjërat janë shumë keq”, tha një grua në kryeqytet për Radio Evropa e Lirë (REL). “Dhe ne, në fakt, jemi më mirë se shumë njerëz të tjerë”.
Duke përshkruar krizën e kostos së jetesës në Iran, gruaja, e cila kërkoi të mbetej anonime nga frika e ndëshkimit nga autoritetet, tha se nuk blen më mish, ha shumë rrallë jashtë shtëpisë dhe prej muajsh nuk ka blerë asgjë për veten.
Teherani dhe Uashingtoni nënshkruan një marrëveshje të përkohshme për t’i dhënë fund luftës gati katërmujore dhe tani janë në një periudhë negociatash 60-ditore për ta arritur një marrëveshje të plotë paqeje.
Por, derisa diplomatët negociojnë formulimin e marrëveshjes, miliona iranianë vazhdojnë të përballen me pasojat ekonomike të luftës, dhe një pjesë e tyre është e detyruar ta hajë vetëm një vakt në ditë.
Çmimet e bukës përcaktohen nga autoritetet. Në Teheran, zyrtarët miratuan një rritje të lartë të çmimit më 23 qershor, duke i thyer premtimet për t’i vazhduar subvencionet që buka të mbetej e përballueshme.
Rritjet jozyrtare të çmimeve janë përhapur tashmë edhe në provinca të tjera, ku çmimet janë dyfishuar.
Çmimi i bukës lavash, zakonisht lloji më i lirë që shitet në dyqane dhe furra, është rritur nga 14.000 rialë (0.01 dollarë) në 27.000 rialë (0.02 dollarë).
Rritja e çmimeve nuk kufizohet vetëm te buka. Çmimet e ushqimeve në vendin me rreth 90 milionë banorë u rritën me rreth 130 për qind në muajin maj, sipas Qendrës së Statistikave të Iranit.
Ky ishte muaji i tretë radhazi me rritje të inflacionit të përgjithshëm, i cili aktualisht është pak nën 58 për qind.
Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) parashikon që inflacioni i përgjithshëm në Iran të arrijë pothuajse 69 për qind gjatë vitit 2026.
Ky do të ishte niveli më i lartë që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.
Prej vitesh, ekonomia iraniane është goditur rëndë nga sanksionet amerikane dhe keqmenaxhimi i Qeverisë. Në janar, rënia e vlerës së monedhës kombëtare shkaktoi protesta masive kundër Qeverisë.
Vetëm disa javë më vonë, sulmet ajrore amerikane dhe izraelite shkatërruan ose dëmtuan infrastrukturën kryesore energjetike dhe të transportit të vendit. U goditën gjithashtu sektorë të rëndësishëm industrialë, duke penguar prodhimin vendas dhe duke rritur çmimet e produkteve ushqimore bazë.
Bllokada detare amerikane ndaj porteve dhe anijeve iraniane ndërpreu eksportet e naftës së Iranit, të cilat janë burimi kryesor i të ardhurave të ekonomisë së vendit. Ndërkohë, vendimi i Iranit për të ndërprerë internetin për disa muaj dëmtoi shumë biznese dhe profesionistë.
Trysnia ekonomike është e dukshme në familjet iraniane, ku paga minimale mujore është rreth 100 dollarë.
Sipas një raporti të publikuar nga gazeta Donya-e Eqtesad, një familje mesatare me katër anëtarë shpenzon rreth 70 për qind të të ardhurave të saj vetëm për ushqimet bazë.
Një tjetër grua në Teheran tha se një shoqe e saj, nënë beqare, u detyrua të kthehej të jetonte me prindërit pasi nuk ishte më në gjendje ta paguante qiranë.
“Gjithçka që fiton shkon për ushqim, vetëm për gjërat më të domosdoshme”, tha ajo për Radion Farda. “Ajo nuk mund t’i blejë fëmijës së saj as një lodër”.
Hossein, një bukëpjekës, tha se rritja e çmimit të bukës është pasojë e rritjes së qirasë dhe kostove të shërbimeve komunale.
“Ju po shihni vetëm njërën anë të historisë”, tha ai në një koment për Radion Farda në Instagram. “Gjithçka është bërë njëqind herë më e shtrenjtë”.
Ekonomisti me bazë në Teheran, Javad Rahimpour, i tha Radios Farda se ekonomia iraniane pasqyron një dështim strukturor.
“Nuk ekziston asnjë mekanizëm në asnjë sektor që t’i detyrojë njerëzit të menaxhojnë ose të kontrollojnë kostot e tyre”, tha ai.
Sipas tij, bizneset në çdo nivel thjesht pranojnë rritjen e kostove dhe ua transferojnë ato konsumatorëve, një fenomen që ai e përshkroi si “keqmenaxhim të transmetuar”.
Rahimpour shtoi se një marrëveshje gjithëpërfshirëse paqeje me Shtetet e Bashkuara mund të sjellë një lehtësim të përkohshëm, por paralajmëroi se sistemi tregtar dhe ekonomik i Iranit “ka nevojë për një ristrukturim të thellë”, pavarësisht çdo marrëveshjeje që mund të arrihet./REL/
Fluturime nga Düsseldorfi për në Prishtinë dhe anasjelltas me çmime shumë të volitshme!Reisebüro Prishtina është partneri juaj i besueshëm...