Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të bien dakord të kompensojnë Iranin për dëmin që pësoi nga sulmet amerikane dhe izraelite kundër tij në qershor, sipas një artikulli të publikuar në Financial Times, i cili citon Ministrin e Jashtëm iranian Abbas Araghchi .
“Ata duhet të shpjegojnë pse na sulmuan në mes të (…) negociatave dhe duhet të sigurohen që të mos e përsërisin këtë (gjatë negociatave të ardhshme)”, tha Araghchi në një intervistë me FT.
“Gjithashtu ata duhet të kompensojnë (Iranin) për dëmin që shkaktuan”, theksoi ministri iranian, ndërsa Teherani duket se po mban një qëndrim më të ashpër dhe po vendos kushte të reja për rifillimin e negociatave mbi programin e tij bërthamor me administratën e Presidentit të SHBA-ve Donald Trump .
Sipas artikullit të gazetës, Araghchi dhe i dërguari special i SHBA-së Steve Witkoff shkëmbyen mesazhe gjatë dhe pas luftës Iran-Izrael, me ministrin iranian që theksoi nevojën për të gjetur “një zgjidhje të dobishme reciprokisht” për t’i dhënë fund mosmarrëveshjes së gjatë mbi programin bërthamor të Teheranit.
Araghchi tha për FT se Irani pret që SHBA-të të ndërmarrin hapa thelbësorë për të rindërtuar besimin, pasi Witkoff sugjeroi rifillimin e bisedimeve dypalëshe.
Ndër këto hapa, tha ministri iranian, janë kompensimi financiar për Teheranin – një çështje mbi të cilën ai nuk dha hollësi – dhe garancitë se Irani nuk do të jetë përsëri në shënjestër gjatë negociatave.