Dy burime të inteligjencës amerikane kanë thënë se Irani ka ngarkuar mina detare në anije në Gjirin Persik muajin e kaluar, duke shtuar shqetësimet në Uashington se Teherani po përgatitej të bllokojë Ngushticën e Hormuzit pas sulmeve izraelite ndaj objektivave iraniane.
The Times of Israel, duke cituar zyrtarët, raporton se Irani mund të ketë pasur seriozisht qëllimin për të bllokuar një nga rrugët më të rëndësishme të tregtisë botërore, një veprim që do të kishte përshkallëzuar konfliktin dhe do të kishte penguar ndjeshëm tregtinë globale.
Kujtojmë se, pas sulmeve amerikane ndaj objekteve bërthamore iraniane më 13 qershor, parlamenti Iranian ka mbështetur një masë jo detyruese për të bllokuar ngushticën, por vendimi përfundimtar i takon Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Raportohet se SHBA ka zbuluar ngarkimin e minave kryesisht përmes satelitëve dhe burimeve sekrete, por nuk është e qartë nëse minat janë shkarkuar ose jo. Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë ka thënë se falë operacioneve të SHBA, ngushtica mbetet e hapur dhe Irani është dobësuar.
Dihet se Ngushtica e Hormuzit lidh Gjirin Persik me Oqeanin Indian dhe është një nga rrugët më të ngushta detare në botë. Shtetet OPEC+ si Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Iraku eksportojnë shumicën e naftës përmes këtij kalimi, po ashtu edhe Katari eksporton gaz natyror të lëngshëm. Përmes ngushticës, Irani gjithashtu eksporton naftë që teorikisht kufizon dëshirën e Teheranit për ta mbyllur atë, por ka investuar në aftësinë për ta bërë këtë në rast nevoje.