Irani ka shtuar masat mbrojtëse në Ishullin Kharg në javët e fundit, duke vendosur mina dhe duke dislokuar trupa shtesë si dhe sisteme të mbrojtjes ajrore, në pritje të një operacioni të mundshëm amerikan për marrjen nën kontroll të ishullit.
Sipas burimeve të inteligjencës amerikane për CNN, ishulli i cili përpunon rreth 90% të eksporteve të naftës së Iranit, mbetet një pikë kyçe strategjike në Gjirin Persik.
Administrata e Donald Trump po shqyrton mundësinë e përdorimit të trupave tokësore për të marrë Kharg, për t’i bërë presion Iranit që të rihapë Ngushticën e Hormuzit.
Por zyrtarët amerikanë dhe ekspertët ushtarakë thonë se një operacion i tillë tokësor do të shoqërohej me rreziqe të konsiderueshme, përfshirë një numër të madh viktimash amerikane. Ishulli ka mbrojtje të fortifikuar dhe iranianët kanë zhvendosur në javët e fundit atje, sisteme shtesë raketash kundërajrore portativ, të njohura si MANPAD, thanë burimet për CNN.
Burime të tjera bëjnë me dije gjithashtu për CNN se Irani ka vendosur mina kundër personelit dhe mjeteve të blinduara, veçanërisht në zonat bregdetare ku mund të realizohet një zbarkim amfib, nëse Presidenti Donald Trump do të vazhdonte me një operacion tokësor.
Zyrtarët amerikanë mbeten të ndarë mbi efektivitetin e një operacioni të tillë, duke theksuar se marrja e ishullit nuk do të zgjidhte plotësisht tensionet në rajon.
Paralajmërime të forta kanë ardhur edhe nga kryetari i parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, i cili deklaroi se çdo përpjekje për pushtim do të përballet me kundërpërgjigje të ashpër ndaj infrastrukturës së vendeve rivale.
“Bazuar në disa të dhëna, armiqtë e Iranit, me mbështetjen e njërit prej vendeve rajonale, po përgatiten të pushtojnë një nga ishujt iranianë. Të gjitha lëvizjet e armikut janë nën mbikëqyrjen e plotë të forcave tona të armatosura. Nëse ata dalin jashtë vijës, e gjithë infrastruktura jetësore e atij vendi rajonal, pa kufizim, do të bëhet cak i sulmeve të pamëshirshme”, postoi Mohammad Bagher Ghalibaf në X.
Më herët të mërkurën, Ghalibaf tha: “Ne po monitorojmë nga afër të gjitha lëvizjet e SHBA-së në rajon, veçanërisht vendosjen e trupave.”
Ndërkohë, aleatët në Gjirin Persik kanë shprehur shqetësim për përshkallëzimin e konfliktit, duke kërkuar shmangien e një ndërhyrjeje tokësore që mund të zgjasë luftën dhe të destabilizojë më tej rajonin.