Irani nuk do ta ndërpresë pasurimin e uraniumit në 20 për qind para se Shtetet e Bashkuara t’i largojnë të gjitha sanksionet, citohet të ketë thënë një zyrtar i paidentifikuar iranian.
Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, është munduar që ta angazhojë Iranin në bisedime rreth rifillimit të zbatimit të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015. Sipas marrëveshjes, Iranit i largoheshin sanksionet ekonomike në këmbim të kufizimit të programit bërthamor.
“Një zyrtar i lartë iranian i ka thënë televizionit Press TV se Teherani do ta ndërpresë pasurimin e uraniumit në 20 për qind vetëm nëse së pari ShBA-ja i largon të gjitha sanksionet kundër Iranit”, thuhet në uebfaqen e televizionit iranian.
Gazeta “Politico” ka raportuar se sipas një propozimi të ShBA-së, për hollësitë e të cilit ende është duke u punuar, Iranit do t’i kërkohet që t’i ndërpresë disa aktivitete bërthamore, siç është puna në centrifugat e avancuara, në këmbim të largimit të disa sanksioneve ekonomike, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Paraardhësi i Bidenit në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump, në vitin 2018 i tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja bërthamore dhe i ktheu në fuqi sanksionet ndaj Iranit, duke bërë që Republika Islamike të fillonte që t’i shkelte pikat e marrëveshjes.