Në një deklaratë të re, Irani thotë se është i gatshëm t’u “përgjigjet kërcënimeve të SHBA-së” lidhur me situatën në Ngushticën e Hormuzit.
Ka sërish reagime nga Teherani pas njoftimit të presidentit Donald Trump, i cili tha se ushtria amerikane do të nisë të shoqërojë anijet e bllokuara në Ngushticën e Hormuzit duke filluar nga “mëngjesi i së hënës, sipas kohës së Lindjes së Mesme”.
Ministria e Jashtme e Iranit ka deklaruar se është e gatshme të “përgjigjet ndaj kërcënimeve të SHBA-së” në këtë zonë strategjike.
Në një deklaratë të shpërndarë nga agjencia gjysmëzyrtare Mehr, zëdhënësi Esmail Baghaie tha se Irani mbetet “rojtar dhe mbrojtës” i Ngushticës së Hormuzit. Ai shtoi se “anijet dhe kompanitë e transportit detar e dinë mirë se garantimi i sigurisë së tyre kërkon koordinim me autoritetet përkatëse të Republikës Islamike të Iranit”, shkruan BBC.
Baghaie theksoi gjithashtu se nuk ka arsye që shtetet që respektojnë ligjin të ndjekin “veprime të paligjshme” nga SHBA.
Ndërkohë, më herët kreu i komandës qendrore të Iranit deklaroi se do të sulmohet “çdo forcë e armatosur e huaj” që tenton të afrohet ose të hyjë në këtë ngushticë, “sidomos ushtria amerikane”.