Irani arreston tre persona të lidhur me MEK-un - Gazeta Express
string(46) "irani-arreston-tre-persona-te-lidhur-me-mek-un"

Lajme

Gazeta Express

05/08/2025 13:04

Irani arreston tre persona të lidhur me MEK-un

Lajme

Gazeta Express

05/08/2025 13:04

Irani ka arrestuar tre persona që dyshohet se janë pjesë e një celule sabotuese, të lidhur me opozitën në mërgim. Ata u arrestuan për prishje të rendit publik, raportuan mediat iraniane më 5 gusht.

Të dyshuarit, që pretendohet se janë të lidhur me grupin e ndaluar Organizata e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK), u arrestuan nga Garda Revolucionare në Pakdasht, në juglindje të Teheranit, raportoi agjencia iraniane e lajmeve, ISNA.

“Tre anëtarë të celulave sabotuese të lidhura me MEK-un, të cilët synonin të prishnin rendin dhe sigurinë publike, u identifikuan dhe u arrestuan”, tha për ISNA, prokurori Mohammad Hassanpour.

Ai e akuzoi MEK-in se po përdorë rrjete të fshehta të propagandës për të rekrutuar individë në mënyrë që të formohen “celula sabotuese”, të cilat, sipas tij, synojnë prishjen e rendit publik.

Prokurori shtoi se forcat iraniane të sigurisë e kanë shkatërruar celulën dhe kanë arrestuar të gjithë anëtarët e saj. Ata, tha Hassanpour, do t’i nënshtrohen një “metode speciale të marrjes në pyetje” dhe hetimi për këtë rast do të vazhdojë.

Arrestimi i tyre vjen pas ekzekutimit në fund të muajit të kaluar të dy personave të dyshuar si anëtarë të kamotshëm të këtij grupi.

Ata, sipas autoriteteve iraniane, u gjetën fajtor për prodhimin e mortajave artizanale për të sulmuar civilët, shtëpitë dhe institucionet publike.

Në javët e fundit, udhëheqësi suprem i Iranit, ajatollah Ali Khamenei, e ka akuzuar këtë grup se po përpiqet të nxisë “trazira” me synim rrëzimin e sistemit gjatë sulmit të Izraelit më 13 qershor, i cili shkaktoi një luftë 12-ditore me Iranin.

I themeluar në vitet 1960 për të kundërshtuar shahun e mbështetur nga Perëndimi, MEK u shpall i jashtëligjshëm pas Revolucionit Islamik të vitit 1979, për shkak se luftoi përkrah trupave të Saddam Husseinit në luftën Iran-Irak.

Më 1986, MEK-u u shpërngul në Irak. Grupi u çarmatos nga një koalicion i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara pas pushtimit të Irakut në vitin 2003.

Tani, ky grup tani avokon për ndryshimin e sistemit në Iran nga jashtë vendit.

Ndërkaq, që nga viti 2013, mijëra pjesëtarë të MEK-ut janë strehuar, me kërkesë të Shteteve të Bashkuara dhe Kombeve të Bashkuara. /REL/