Në dy raste të ndara Inspektorati policor ka rekomanduar suspendimin për 4 zyrtar të policisë së Kosovës, nën dyshimet për shkelje disiplinore. Një zyrtar policor në Ferizaj po hetohet nën dyshimet për veprën penale “lëndim i lehtë trupor” ndaj një të mituri. Ndërsa tre të tjerë në Prishtinë po hetohen nën dyshimet për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare. IPK-ja tha se në muajin korrik ka pranuar 57 ankesa. Ndërsa, deri ne qershor IPK ka pranuar mbi 1100 ankesa. Ndërsa ka arrestuar 21 zyrtarë policor.
“Duke ju referuar kërkesës suaj IPK ju njofton se në interes të procedurës hetimore dhe bazuar në autorizimet ligjore për periudhën kohore janar – qershor 2025 nga Inspektorati Policor janë dhënë 49 rekomandime për suspendim. Në periudhën e njëjtë kohore të vitit 2024 (6 mujorin e parë janar – qershor 2024) IPK ka dhënë 39 rekomandime për suspendim dhe 3 rekomandime për transfer”
Ankesat kundër zyrtarëve policor, suspendimet dhe arrestimet vijnë në një kohë kur Policia e Kosovës u përball me një numër incidentesh të cilat vlerësohet se kanë ndikuar negativisht mbi imazhin e Policisë së Kosovës. Incidenti më i rëndë është vdekja e 27 vjeçarit, Agon Zejnullahut në duar të Policisë së Kosovës gjatë një konfrontimi me ta në mesnatën e 6 dhe 7 korrikut në Lipjan. Me ç’rast një rreshter i policisë dhe 4 zyrtarë të tjerë u arrestuan. Lidhur me rastin dorëheqje dha edhe udhëheqësi i policisë në rajonin e Lipjanit, Argjend Gashi. Në këtë situatë, nënkoloneli në pension Refki Morina, thotë shkeljet e mundshme sipas tij janë përgjegjësi individuale dhe nuk e zbehin punën e Policisë.
“Nuk mundet me u zbeh imazhi i Policisë së Kosovës si shembull i policive në rajon këtë nuk e themi ne e thonë edhe ndërkombëtarët, ndërsa rastet janë individuale dhe ka përgjegjësi penale për gjithë secilin sepse ka prokurori ka gjykata”
Por, ndryshe mendon ish-zëvendësministri i brendshëm, Valdet Hoxha. Sipas tij, nëse Policia e Kosovës, incidentet e fundit nuk i merr seriozisht, atëherë imazhi i saj do të vazhdojë të zbehet.
“Nëse nuk ndërmerret një politikë aktive reformuese, duke përfshi nga periudha trajnuese për policët e rinj, përmirësimin e kushteve të punës për policinë e Kosovës kam frikë që do të vazhdojë tatëpjeta për imazhin e policisë dhe se është koha e fundit që mekanizmat konkret vendim marrës të ndërmarrin një pako reformuese në përmirësimin e kushteve të punës, përmirësimin e moduleve trajnuese për policët dhe përmirësimin e komunikimit polici qytetar…”, tha Hoxha për rtv21
Njohës të çështjeve të sigurisë kanë ngritur alarmin se autoritetet në Kosovë kanë shkurtuar periudhën e trajnimit nga 6 muaj në 3 për policët e rinj, si shkak i situatës së brishtë të sigurisë në veri të vendit dhe nevojës për rritjen e numrit të tyre. Megjithatë, sipas kolonelit në pension Refki Morina, kjo nuk duhet të jetë shkas që pjesët e tjera të Kosovës të mos kenë mbulueshmëri nga forcat policore.
“Prandaj mendoj se kemi mjaftueshëm zyrtar policor që kryejnë punë dhe detyra edhe në rajone të tjera në mungesë të rreshterëve policor të cilët unë mendoj se Policia e Kosovës shumë shpejtë do të paraqes një konkurs që t’i avancojë zyrtarët me përvojë”, tha Morina.
Policia e Kosovës vlerësohet se ka rreth 10 mijë zyrtar policor, ndërsa në vitin 2024, 96 prej tyre dhanë dorëheqje kurse 22 u pushuan nga puna. Shkas për dorëheqje thuhet të jenë pagat e ulëta dhe kushtet jo të mira për punë. Ndërsa në vitin 2025 deri më tani nga policia hoqën dorë 45 zyrtar policor, prej tyre 5 persona janë staf civil.