iPhone 17e: Më shumë hapësirë, i njëjti çmim - Gazeta Express
string(42) "iphone-17e-me-shume-hapesire-i-njejti-cmim"

AutoTech

Gazeta Express

02/03/2026 22:15

iPhone 17e: Më shumë hapësirë, i njëjti çmim

AutoTech

Gazeta Express

02/03/2026 22:15

Apple Inc. ka prezantuar në heshtje modelin e ri iPhone 17e, pa eventin tradicional madhështor në Apple Park, Kaliforni. Pajisja u njoftua thjesht përmes një postimi zyrtar, por ka ngjallur menjëherë interes të madh.

Modeli i ri kushton 599 paund në Mbretërinë e Bashkuar – rreth 700 euro – dhe për të njëjtin çmim ofron dyfishin e hapësirës bazë, nga 128GB në 256GB. Kjo e bën 17e dukshëm më tërheqës krahasuar me paraardhësin e tij, iPhone 16e.

Çfarë sjell i ri?

Sipas kompanisë, iPhone 17e pajiset me çipin e gjeneratës së fundit A19, që premton performancë më të shpejtë dhe efikasitet më të lartë energjetik. Kamera kryesore është 48MP Fusion, e cilësuar si “dy kamera në një”, pasi mundëson edhe zmadhim optik 2x me cilësi të lartë. Përdoruesit mund të shkrepin foto deri në 48MP ose në 24MP për një balancë mes cilësisë dhe madhësisë së skedarit.

Një nga risitë më të mirëpritura është rikthimi i mbështetjes për MagSafe, që mungonte te 16e. Kjo do të thotë karikim pa tela deri në 15W dhe kompatibilitet me një gamë aksesorësh si karikues magnetikë, kuleta dhe pajisje për kamera.

Dizajn dhe variante

iPhone 17e vjen në tre ngjyra: të zezë, të bardhë dhe një nuancë të re “soft pink”, që pritet të jetë veçanërisht popullore te përdoruesit më të rinj. Ofrohet në dy variante memorieje, me 256GB si kapacitet bazë për çmimin prej rreth 700 euro.

Paraporositë nisin të mërkurën, ndërsa pajisja do të jetë në shitje nga 11 marsi.

Edhe një iPad i ri

Krahas telefonit, Apple prezantoi edhe një iPad Air të ri me çipin M4. Versioni 11-inç kushton 599 paund (rreth 700 euro), ndërsa modeli 13-inç 799 paund (afërsisht 930 euro). Edhe këto pajisje hapen për porosi më 4 mars dhe dalin në treg më 11 mars.

Me dyfishin e hapësirës ruajtëse, procesor të ri dhe rikthimin e MagSafe, iPhone 17e duket si një nga ofertat më konkurruese të Apple në segmentin “më të përballueshëm” – një sinjal se kompania po dëgjon më shumë kërkesat e përdoruesve. /GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement