Simone Inzaghi pranon se ka disa dyshime në lidhje me formacionin e Interit për Finalen e Ligës së Kampionëve kundër PSG-së, por mbi të gjitha mohon raportimet që e lidhin me Al-Hilal. “Kam gjithçka që më duhet për të bërë mirë këtu,” tha ai.
“Është një ndjesi e mrekullueshme, sepse të luash një finale është ëndrra e çdo lojtari apo trajneri. Kemi mundësinë të jemi këtu sërish pas dy vitesh, dhe do të japim gjithçka,” u shpreh Inzaghi për Sky Sport Italia.
Kjo është finalja e dytë e Ligës së Kampionëve në vetëm tre vite për Interin, i cili u mund 1-0 nga Manchester City në Stamboll në vitin 2023.
“Finalja e dy viteve më parë na ndihmon sidomos në përgatitje, sepse nuk duhet ta shohim këtë si një fiksim. Kemi më në fund skuadrën të plotë në dispozicion dhe kemi punuar mirë në stërvitje. Në një ndeshje si kjo, çdo moment i vetëm mund të jetë vendimtar,” shtoi trajneri.
Edhe pse është përballja e parë zyrtare me PSG-në, Interi ka luajtur tashmë në këtë stadium këtë sezon, kur eliminoi Bayern Munichun në çerekfinale me rezultatin 2-1.
“Të kesh luajtur këtu dhe të kesh eliminuar Bayern-in na dha shumë forcë për gjysmëfinalen me Barcelonën. Gjithashtu kemi përballuar ekipe si Arsenal, Manchester City, RB Leipzig dhe Bayer Leverkusen, kështu që me kalimin e ndeshjeve kemi fituar besim në një rrugëtim shumë të vështirë.”
Superkompjuteri i Opta-s llogarit se Interi është në rolin e të nënvlerësuarit, me vetëm 43.4 për qind shanse për të fituar trofeun ndaj Paris Saint-Germain, por Inzaghi këtë e ka dëgjuar edhe më parë.
“Finalet janë ndeshje që vendosen në 90 minuta. Dy vite më parë të gjithë mendonin se Manchester City do të na dominonte, por kjo nuk ndodhi, madje e meritonim të shkonim në shtesë.
“Mendoj se e meritojmë të jemi këtu për mënyrën se si kemi luajtur dhe për sa shumë e kemi dashur këtë gjë.”
Benjamin Pavard pritet të nisë titullar në mbrojtje pasi është rikuperuar nga dëmtimi, duke u preferuar ndaj Yann Bisseck, ndërsa pjesa tjetër e formacionit është pothuajse e sigurt.
“Kam disa mendime në kokë, do të shohim pasdite se kush është në formën më të mirë. Nëse Pavard tregon se është 100% gati, do të luajë, sepse është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne,” zbuloi Inzaghi.
Interi nuk e ka fituar Ligën e Kampionëve që nga trefishta historike e Jose Mourinhos në vitin 2010, por kjo është finalja e dytë në vetëm tre vite.
“Jam shumë krenar. Kemi fatin të punojmë në një klub të mrekullueshëm dhe me lojtarë që janë njerëz fantastikë, të cilët më kanë dhënë gjithçka. Kemi fituar, kemi humbur, por kjo ndjesi përkatësie është ajo që më jep më shumë qetësi.”
“Pa dyshim, por siç e kam thënë edhe më parë, duam me të vërtetë të luajmë këtë ndeshje dhe mendja jonë është vetëm te kjo sfidë. E kam thënë shpesh se jam i lumtur në këtë klub, kështu që kam gjithçka që më nevojitet për të bërë mirë dhe për të vazhduar të arrij kënaqësi këtu.”/GazetaExpress/