Pas humbjes së rëndë nga Norvegjia, e cila shtoi një tjetër kapitull të errët në historinë e kombëtares italiane, tifozët mbajnë ende shpresën për një të ardhme më të ndritshme për futbollin italian.
Humbja në San Siro, stadiumi simbolik i futbollit italian, rikujtoi dhimbshëm ndeshjet fatale ndaj Suedisë në Botërorin 2018 dhe tashmë ndaj Norvegjisë.
Megjithatë, projekti për stadiumin e ri të Interit dhe Milanit, që do të ngrihet pranë Meazzës, jep një vizion të ri për të ardhmen.
Ky investim i jashtëzakonshëm, i cili pritet të kushtojë 1.3 miliardë euro, është më i larti në Evropë për një stadium të ri, duke tejkaluar madje edhe impiantet si Hotspur Stadium në Londër dhe Anfield në Liverpool, shkruan Gazeta Express.
Sipas Transfermarkt, stadiumi i ri do të sjellë të ardhura të mëdha për dy klubet milaneze dhe pritet të ndryshojë rrënjësisht peizazhin e futbollit italian.
Krahasuar me Emirates Stadium të Arsenalit, i cili kushtoi një të tretën e kësaj shume në 2006, apo Metropolitano në Madrid, ky projekt është një hap epokal për Serie A dhe për të gjithë lëvizjen e futbollit italian.
Ndërsa kombëtarja ende kërkon rrugën drejt suksesit ndërkombëtar, stadiumi i ri simbolizon ambiciet e Interit dhe Milanit për t’u ulur përsëri në tryezën e madhe të futbollit evropian dhe për të rikthyer prestigjin e Serie A në skenën botërore. /GazetaExpress/