string(96) "investimi-ne-aksin-elbasan-lekaj-rama-program-masiv-infrastrukture-rriten-fondet-me-hyrjen-ne-be"

Shqiperi

Gazeta Express

16/04/2025 12:21

Investimi në aksin Elbasan-Lekaj, Rama: Program masiv infrastrukture, rriten fondet me hyrjen në BE

Shqiperi

Gazeta Express

16/04/2025 12:21

Kryeministri Edi Rama, së bashku me zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, kanë inspektuar sot punimet në kantierin e autostradës Elbasan–Lekaj, pjesë e Korridorit VIII, një projekt strategjik me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare.

Segmenti prej 40,7 kilometrash që nis nga fshati Bradashesh në Elbasan, kalon përmes Peqinit dhe përfundon në Rrogozhinë, pritet të dorëzohet brenda pranverës së vitit 2026. Ministrja Balluku tha se po punohet me ritme të larta dhe se aktualisht janë duke u ndërtuar 20 kilometrat e parë të fazës së tretë, nga Elbasani deri në Urën e Grykshit.

“Ky është një nga korridoret më të rëndësishëm të infrastrukturës rrugore dhe do të jetë edhe hekurudhor në të ardhmen. Punimet janë të ndara në tre faza dhe po ecin paralelisht me njëra-tjetrën. Në këtë segment kemi të bëjmë me gjeologji lumore, që na lejon të avancojmë shpejt”, u shpreh Balluku.

Ajo theksoi se autostrada është projektuar për një shpejtësi prej 140 km/orë, ndërsa shpejtësia e lejuar do të jetë 130 km/orë, duke e bërë këtë aks rrugor me parametrat më të lartë të shpejtësisë të ndërtuar ndonjëherë në Shqipëri. Pas përfundimit, rruga do të monitorohet nga Qendra Kombëtare e Monitorimit të Trafikut.

Nga ana e tij, kryeministri Rama theksoi se ky projekt është pjesë e një programi masiv infrastrukture që po bëhet realitet falë pozicionit të ri të Shqipërisë në kuadër të Fondit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor dhe rritjes së cilësisë së projekteve.

“Mbështetja financiare nga BE për Shqipërinë aktualisht është 90% kredi të buta, por me anëtarësimin në BE, kjo mbështetje do të kthehet në 90% grante, çka do të thotë se nga pak më shumë se 1 miliard që kemi marrë deri tani, do të përfitojmë mbi 1 miliard euro çdo vit”, theksoi Rama.