Intriga të frikshme të Ali Pashës: Vrau vjehrrin për pushtet, pastaj i ngriti kurth të gjithëve duke i ekzekutuar - Gazeta Express
string(111) "intriga-te-frikshme-te-ali-pashes-vrau-vjehrrin-per-pushtet-pastaj-i-ngriti-kurth-te-gjitheve-duke-i-ekzekutuar"

Gazeta Express

04/08/2020 12:58

Intriga të frikshme të Ali Pashës: Vrau vjehrrin për pushtet, pastaj i ngriti kurth të gjithëve duke i ekzekutuar

Gazeta Express

04/08/2020 12:58

Martesa e Ali Pashë Tepelenës me Eminenë synonte të qetësonte jetën e trazuar të pashait.

Në librin kushtuar jetës së Ali Pashës, Aleksandër Duma shpjegon se si kjo martesë ishte më shumë një aleancë.

Lexo Edhe:

“Në këtë mënyrë, shumë shpejt ai mori një rang të lartë mes bejlerëve të vendit dhe, duke qenë se ishte koha e përshtatshme për martesë, edhe për të formuar një aleancë të qenësishme, ai kërkoi dorën e bijës së Kapllan Pashës së Delvinës, i cili e kishte rezidencën në Gjirokastër.

Nga kjo aleancë, të dyja palët mbetën të kënaqura. Pra, kjo martesë i dha atij jo vetëm një nga gratë më të nderuara në Epir, por edhe një pozitë të lartë dhe influencë të madhe”, thotë Duma.

Më tej ai nënvizon se “kjo martesë do të ndikonte për ta larguar Aliun njëherë e mirë nga veset e këqija dhe aventurat e çmendura. Familja me të cilën zuri krushqi, karakterizohej nga kontraste të theksuara mes së mirës dhe së keqes. Nga njëra anë Emineja, bashkëshortja e tij, ishte një femër e virtytshme, ndërsa nga ana tjetër, Kapllani ishte njeri me vese të shumta, mendjemadh, sqimatar, gjaknxehtë, egërshan. Duke qenë se shfaqte gjithmonë guxim të tepruar dhe Gjirokastra ndodhej larg nga kryeqyteti, Pashai i Delvinës e kishte zakon t’i përdorte ligjet dhe autoritetin në kokë të vet”.

Aliu ishte shumë i ngjashëm me vjehrrin. Prandaj, ai u miqësua shpejt me Pashain dhe u bë pjesë e intrigave të tij, në pritje të mundësisë së artë për ta goditur dhe për t’i zënë vendin. Nuk i duhej të priste gjatë për këtë mundësi. Kapllani synonte që, me martesën e Eminesë në Tepelenë, ai të fitonte njëfarë pavarësie, si edhe disa nga pashallarët e tjerë të krahinës – etja për pushtet që i karakterizonte vezirët. Djaloshi finok hiqej sikur e mbështeste vjehrrin e tij të shfrenuar dhe bëri ç’ishte e mundur për ta nxitur që të fillonte revoltën.

Një aventurier i quajtur Stefano Pokolo, i dërguar nga Rusia, u bëri thirrje të gjithë të krishterëve të Jugut të Shqipërisë që të merrnin armët për të mbrojtur fenë e tyre. Porta e Lartë urdhëroi të gjithë pashallarët e pjesës veriore të Perandorisë Otomane në Europë që të shtypnin çdo kryengritje.

Në vend që t’u bindej urdhrave të Portës dhe t’u bashkohej forcave të Kurd Pashës, Kapllani, me inkurajimin e dhëndrit, sabotoi lëvizjet e trupave perandorake dhe, ç’ishte më e keqja, pa pasur një kauzë të përbashkët me kryengritësit, i ndihmoi fuqishëm në qëndresën e tyre. Pavarësisht nga kjo, kryengritësit u shpartalluan, ndërsa komandanti i tyre, Stefano Pikolo, mori arratinë dhe u fsheh në ca shpella të humbura të Malit të Zi.

Me mbarimin e konfliktit, Kapllani, siç e kishte parashikuar Aliu, u thirr për të dhënë llogari në lidhje me qëndrimin e tij përpara kadiut më të lartë të perandorisë në Europë. Jo vetëm që u akuzua për vepra të rënda penale, por Portës i qenë dërguar prova nga njeriu që e kishte nxitur Kapllanin të vepronte në atë mënyrë. Rezultatet e hetimit nuk mund të viheshin në dyshim dhe për pasojë, Pashai, i cili as që e çonte ndër mend se dhëndri po bënte lojë të dyfishtë, vendosi të mos largohej nga pashallëku i tij. Por ky veprim binte ndesh me planet e Aliut, i cili kishte shpresuar se do të trashëgonte pasurinë dhe pashallëkun e vjehrrit. Aliu i shtiu në mendje Kapllanit se ky i fundit duhej të ankohej se një kryengritje e tillë nuk paraqiste rrezikshmëri. Refuzimi për t’u mbrojtur konsiderohej pa më të voglin dyshim pranim i fajit. Kështu, Kapllan Pasha gjendej në një situatë së cilës ai nuk mund t’i shmangej, pasi trupat perandorake nuk mund t’i përballonte. Nëse u bindej urdhrave të kadiut të madh, siç e këshillonte Aliu, ai do ta kishte më të lehtë të shfajësohej. Për ta bërë edhe më të bindshme këshillën e tij të pabesë, Aliu shfrytëzoi edhe të pafajshmen Emine, e cila ishte shumë e shqetësuar për të atin. I ndikuar nga arsyetimi i dhëndrit dhe lotët e së bijës, Pashai fatkeq pranoi të shkonte në manastir, ku e kishin thirrur të dilte para gjykatës. Me të arritur atje, e arrestuan dhe e dënuan me vdekje.

Plani i Aliut ambicioz e lakmitar funksionoi, por ai nuk arriti ta përmbushte qëllimin e tij. Një tjetër Ali, Beu i Gjirokastrës, i cili kishte treguar devotshmëri ndaj Sulltanit, u emërua Pasha i Delvinës, në vend të Kapllanit. Ai sekuestroi të gjitha pronat e paraardhësit, gjoja se i përkisnin Sulltanit, dhe në këtë mënyrë e privoi Ali Tepelenën nga frytet e makinacioneve të tij.

Ky zhgënjim i papritur e tërboi Aliun e zijosur nga lakmia për pushtet. Ai u betua se do të hakmerrej për grabitjen e pronave. Aliu mezi e gëlltiste faktin se mund ta viktimizonin në këtë mënyrë, por nuk ishte akoma momenti i duhur për të vënë në jetë planin e tij. Vrasja e Kapllanit doli që ishte një gabim i madh. Armiqtë e shumtë të Ali Tepelenës, të cilët patën heshtur gjatë qeverisjes së Pashait të ndjerë, u rreshtuan në krah të Pashait të ri. Aliu e nuhati rrezikun dhe u mundua të gjente mënyrën se si të dilte i larë. Ai ia doli të martonte të motrën, Shanishanë, me Ali Beun e Gjirokastrës. Kjo aleancë i garantoi atij statusin që kishte pasur gjatë qeverisjes së Kapllanit. Por Aliu nuk mund të mjaftohej me kaq, sepse duhej të fitonte pozita të forta, me qëllim që të kishte mundësi të mbrohej nga rreziqet e mundshme. Nuk kaloi shumë kohë dhe hartoi një plan, të cilin ia përshkroi konsullit francez me fjalët e mëposhtme:

“Po kalonin vitet dhe unë nuk po arrija ndonjë pozicion të rëndësishëm. Kisha shumë mbështetje, por kisha mbetur pa titull dhe pa ofiq në administratë. E kuptova se ishte e domosdoshme që të forcoja fillimisht pozitat në qytetin e lindjes. Kisha miq për kokë, por edhe armiq që nuk do të linin gjë pa bërë derisa të më shkatërronin. I binte që të veproja përpara tyre nëse kisha dy pare mend. Thura një plan për t’i asgjësuar të gjithë me një goditje, gjë që duhej ta kisha bërë kohë më parë. Nëse do të kisha vepruar më herët, do t’i kisha kursyer vetes kohë dhe dhembje.

Pas gjuetisë, e kisha zakon të pushoja çdo ditë në një pyll të afërt. Një shërbëtor i besuar imi, i infiltruar në radhët e armiqve të mi, u sugjeroi atyre që të më surprizonin dhe të më vrisnin atje. Unë vetë e organizova kurthin. Ditën e vendosur paraprakisht, e dija se armiqtë e mi qenë nisur drejt vendit ku unë zakonisht pushoja. Ndanë një peme lidha një dhi dhe një pushkë, gryka e së cilës dukej që larg. Pasi e shtrëngova dhinë mirë e mirë pas pemës, e mbulova me pelerinën time; paskëtaj u ktheva në shtëpi përmes një shtegu tjetër. Pak kohë pasi unë qeshë larguar, arritën komplotistët, të cilët qëlluan me breshëri në drejtim të dhisë.

Ata u turrën drejt pemës për të parë kufomën time, por u dolën përpara disa prej cubave të mi, të cilët sikur mbinë nga dheu. Në fakt ata dolën nga një zabel ku rrinin fshehur. Në këtë mënyrë, ‘vrasësit’ u detyruan të ktheheshin në Tepelenë, pa parë kufomën, ku hynë të harbuar nga gëzimi duke thërritur: ‘Ali Beu ka vdekur, tani jemi të lirë!’ Lajmi arriti shumë shpejt deri në haremin tim, nga ku dëgjoja piskamat e nënës dhe gruas mes thirrjeve ngazëllimtare të armiqve të mi. Prita derisa kjo gurgule të vazhdonte e, madje, të arrinte kulmin; në këtë mënyrë do të kuptoja se cilët qenë miqtë e mi të vërtetë dhe armiqtë e mi të përbetuar. Të parët vajtonin fatkeqësinë e ndodhur dhe të dytët, në mes të ekzaltimit dhe festimit për fitoren e tyre të paqenë, pinin verë si të shkallmuar. E atëherë, duke marrë në dorë frenat e drejtësisë, u shfaqa papritmas në atë skenë groteske. Ishte momenti që miqtë e mi të ngazëlleheshin dhe armiqtë e mi të fërgëllonin. Në krye të cubave të mi, e shfarosa edhe armikun e fundit përpara se të lindte dielli. U konfiskova tokat, shtëpitë e çdo pasuri tjetër dhe ua shpërndava mbështetësve të mi. Nga ai moment unë do të isha i pari i Tepelenës.”/Gazeta SHQIP