INTERVISTË| Xhabir Hamiti: Agjërimi pranohet edhe nëse s’mund të falet Bajrami - Gazeta Express
string(74) "intervistexhabir-hamiti-agjerimi-pranohet-edhe-nese-smund-te-falet-bajrami"

INTERVISTË| Xhabir Hamiti: Agjërimi pranohet edhe nëse s’mund të falet Bajrami

Gazeta Express

24/05/2020 11:20

Secili besimtar e kupton rrezikun e virusit prandaj janë marrë edhe vendimet për të mos e falur Fitër Bajramin nëpër xhami. Prandaj, një qytetar besimtar, gjatë ditës së Bajramit duhet të ndihet i qetë, i gëzueshëm për plotësimin dhe përfundimin e agjërimit. Bashkësitë fetare pa dallim në Kosovë po përballet me zbraztira ligjore. Kaluan dy vite dhe nuk pat asnjë lëvizje në drejtim të ndërtimit të xhamisë në Prishtinë. I ka humbur serioziteti këtij projekti. Pjesëmarrja e kosovarëve në luftërat e Sirisë dhe Irakut ka dëmtuar edhe Kosovën. Flet profesori i Studimeve Islame, Xhabir Hamiti.

Express

Lexo Edhe:

Express: Për herë të parë në këto dy dekada, besimtarët myslimanë po e kremtojnë Fiter Bajramin duke mos pasur mundësi të falen nëpër xhami shkaku i pandemisë. Pati edhe disa pakënaqësi, dikush u fal edhe në shesh. Në fakt, si do të duhej të sillet besimtari në këtë kohë pandemie, përkatësisht në Ditën e Bajramit?
Xhabir Hamiti:
Nuk janë vetëm besimtarët e Kosovës ata të cilët këtë vit nuk do të mund ta falin namazin e tyre të Bajramit në vende publike dhe në mënyrë kolektive, sepse edhe shumë vende të tjera të botës kanë marrë një vendim të tillë, përfshirë edhe qendrat dhe autoritetet më të larta fetare në botë. Një besimtar me arsyen e tij të shëndoshë e kupton se kjo ka ndodhur dhe po ndodh për shkak të një gjendjeje të jashtëzakonshme, e cila është vlerësuar si e tillë nga ekspertët profesionalë të shëndetësisë, të cilët thonë se tubimi i një numri të madh brenda një hapësire të kufizuar  ende  mund të jetë i rrezikshëm  për shëndetin e njeriut, dhe kjo jo për qejfin e tyre, por për shkak të prezencës së mëtutjeshme aktive të virusit vdekjeprurës, i cili po besohet se ende nuk është zhdukur përfundimisht nga mesi ynë e as nga pjesët tjera të botës.

Prandaj, një qytetar besimtar gjatë ditës së Bajramit duhet të ndihet i qetë, i gëzueshëm për plotësimin dhe përfundimin e agjërimit, i hareshëm me familjen e tij të ngushtë dhe të gjerë, të drekojë shijshëm me ushqimin dhe ëmbëlsirat e Bajramit, t’ua urojë edhe të tjerëve festën e Bajramit, duke e lutur Zotin njëkohësisht që kjo pandemi të kalojë sa më shpejt në mënyrë që të gjithë t’i kthehemi përditshmërisë normale në të gjitha fushat e jetës dhe jo vetëm në atë fetare. Mosfalja e Bajramit në kushte të jashtëzakonshme, sipas të gjitha mësimeve fetare, në asnjë mënyrë nuk nënkupton edhe  mospranimin e agjërimit të muajit të Ramazanit. 

Express:  Në vitet e fundit është debatuar shumë për problemet religjioze në Kosovë. Kosova s’ka ende një ligj për bashkësitë fetare. Çka duhet të bëjë shteti për ta vendosur ligjësimëri edhe në këtë fushë të shoqërisë kosovare?
Xhabir Hamiti:
  Zbrazëtira ligjore, e cila do të rregullonte pozitën juridike të bashkësive fetare, e zgjatur dhe e paplotësuar kaq shumë vite pas luftës, sigurisht se i ka dëmtuar komunitetet fetare pa dallim dhe në veçanti të punësuarit në këto institucione. Mendoj se shteti duhet t’i përshpejtojë hapat për  mundësinë e përmbushjes së këtij vakumi, sepse kjo nuk është vetëm për interesin e ngushtë të vet komuniteteve fetare, por edhe të vet shtetit dhe shoqërisë mbarë.

 Express: Ka pasur përpjekje për ndërtimin e  një Xhamie të Madhe në Prishtinë, përkatësisht në lagjen Ulpiana. Ende s’është përfunduar ky projekt dhe duket se ende është në fillim. A keni ju një shpjegim pse s’po ecën përpara ky projekt dhe a mund të shkojë drejt dështimit?
Xhabir Hamiti: Më 8 tetor 2012 është vënë gurthemeli i për ndërtimin e kësaj xhamie të shumëpërfolur,  që do të thotë tani e tetë vjet me radhë është llafosur e premtuar se do të ndërtohet xhamia e madhe në Prishtinë. Në vitin 2018 nga BIK-u  u bë edhe rrethimi i truallit të  dedikuar për këtë objekt fetar dhe gjithandej  përmes mediave u tha se më në fund po fillohet ndërtimin i xhamisë, mirëpo edhe nga ky premtim kaluan dy vjet dhe nuk pati asnjë lëvizje në këtë drejtim. Se cila është pengesa kryesore si dhe cilat janë sfidat në këtë drejtim, këtë personalisht nuk e di në detaje, por unë dhe qytetarët tanimë e kemi kuptuar se kjo vepër, derisa të fillojë praktikisht me ekzekutim, e ka humbur seriozitetin e saj.

Express: Kosova ka pasur probleme viteve të fundit me numrin e madh të kosovarëve që kanë marrë pjesë në luftëra të huaja, sidomos në vendet islamike si Siri e Irak. Cilat mësimet duhet t’i marrim nga ky fakt dhe a ka bërë shteti mjaftueshëm për t’i socializuar ata që janë kthyer në Kosovë nga vatrat e luftës?
Xhabir Hamiti:
  Pjesëmarrja e qytetarëve tanë në luftërat qytetare ndërvëllazërore të Sirisë dhe Irakut  së pari i ka dëmtuar dhe goditur vetë pjesëmarrësit dhe familjarët e tyre, por edhe vendin dhe gjithë shoqërinë tonë mbarë. Të mallkuar qofshin, në këtë dhe në botën tjetër, ata që i shtynë dhe i nxitën të rinjtë dhe të rejat tona në këtë drejtim si dhe ata që ua hapen derën!

Prandaj, mësimi kryesor i cili mund të nxirret nga kjo është ndalimi i lojës dhe i keqpërdorimit të  ndjenjave fetare tani dhe në të ardhmen, të cilat bëhen me qëllim të plotësimit të dëshirave sipas   agjenturave të huaja politike e të cilat në parim janë në dëm të vetë fesë dhe të shoqërisë tonë mbarë.  Mendoj se shteti ka arritur mirë t’i menaxhojë të kthyerit nga Siria, edhe pse si gjithmonë ka vend për përmirësime në këtë drejtim. Mendoj se duhet të punohet shumë dhe vazhdimisht në risocializimin e tyre, por edhe në drejtim të pastrimit të trurit të tyre nga trushpëlaja sistematike ekstreme, e cila u është bërë atyre në emër të interpretimeve të devijuara fetare.