Intervistë / Shkumbin Istrefi: Filmi kosovar është vendosur në hartën kinematografike evropiane - Gazeta Express
string(92) "interviste-shkumbin-istrefi-filmi-kosovar-eshte-vendosur-ne-harten-kinematografike-evropiane"

Intervistë / Shkumbin Istrefi: Filmi kosovar është vendosur në hartën kinematografike evropiane

Arte

Donjeta Abazi

03/08/2022 15:14

Shkumbin Istrefi, aktor, regjisor, skenarist dhe producent, njëri prej më të njohurve në vendin tonë, flet për Gazetën Express rreth punës së tij disavjeçare dhe filmit kosovar në përgjithësi, problemeve me të cilat përballet dhe të arriturave të deritanishme

Intervistoi: Donjeta Abazi

Lexo Edhe:

Shkumbin Istrefi u lind më 12 shkurt 1969 në Prishtinë. Familja e tij e ka prejardhjen nga Veleshta e Strugës së Maqedonisë. Studimet e aktrimit i kreu në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, në klasën e aktorit Enver Petrovci dhe diplomoi në vitin 1994. Ka luajtur në shumë shfaqje në Teatrin Dodona dhe në Teatrin Kombëtar të Prishtinës. Istrefi është po ashtu profesor në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës.

Gazeta Express: Z.Istrefi, ju jeni aktor, regjisor dhe producent, ndër më të njohurit në vendin tonë. Sigurisht, ju keni filluar si aktor. Dhe me siguri aktrimi ka qenë ideali juaj. Ndërkohë, të qenët producent erdhi si nevojë për ta plotësuar potencialin tuaj, apo më shumë ndonjë zgjidhje ekonomike?

Shkumbin Istrefi: Po, është e vërtetë që si profesion të parë e kam aktrimin, për të cilin edhe kam studiuar dhe po ashtu e ushtroj kur kam oferta të cilat më përshtaten dhe më pëlqejnë. Punën si producent dhe regjisor, e shpesh edhe si skenarist, e kam filluar diku në gjysmën e viteve të 90-ta, në kohën kur në modë ishte incizimi i videoprojekteve të luajtura nëpër videokaseta e më vonë dvd. Sigurisht që nevoja për të mbijetuar financiarisht më ka shtyrë që të merrem edhe me këto profesione, të cilat megjithatë nuk janë larg shkollimit dhe fahut tim.

GE: Pos shumë projekteve tjera keni luajtur në filmin ‘Kukumi’. Ky film, nga ana emocionale, ruhet sot si prodhim i këndshëm e nostalgjik. Kur e mendoni sot, realizimi final u bë në mënyrën më të mirë të mundshme, për shkak të rrethanave apo kishte mundësi të bëhej më mirë? Cilat janë disa kujtime që ende i mbani me vete nga ajo periudhë, nga realizimi i atij filmi?

Sh.I.: Në filmin “Kukumi” të regjisorit Isa Qosja, unë kam pasur një rol epizodik. Për mua ai rol ka qenë i pari në shirit filmik, siç i thoshim në atë kohë. Kisha përvojë të madhe në teatër, videofilma dhe seriale, por ne aktorët e kemi pasur njëfarë lloj ëndrre të paraqitemi edhe në celuloid (shirit filmik). Ne e mendonim atë si një magji. Ndoshta edhe për shkak se shiriti filmik ishte mjaft i shtrenjtë dhe në mënyrë që të mos i krijonim shpenzime produksionit me fajin tonë, ne si aktorë mobilizoheshim që sa më mirë ta realizojmë rolin dhe pa shumë përsëritje. Kjo na krijonte edhe një përgjegjësi shtesë. Mendoj që “Kukumi” është një prej filmave kosovarë më të mirë e poashtu edhe më të bukur estetikisht. Isa Qosja e ka punuar me shumë dashuri dhe përkushtim, dhe unë e përjetoj atë film si një poezi kinematografike. Duke qenë kështu, unë nuk shoh ndonjë mangësi në atë film as pas një distance kohore. Sipas meje “Kukumi” është si një vepër klasike së cilës nuk i humb vlera me kohën.

GE: Te “Tri dritare dhe një varje”, producent i të cilit keni qenë, ka vënë në fokus dhunimin seksual të grave në luftë, përkatësisht paragjykimit brenda vetës shoqërisë prej nga vijnë ato. A mendoni se filmi e ka arritur efektin e duhur?

Sh.I.: “Tri dritare dhe një varje” trajton pasojat që kanë lënë dhunimet e luftës në një shoqëri tradicionale. Në këtë film, skenaristi Zymber Kelmendi dhe regjisori Isa Qosja kanë dashur që të trajtojnë pasojat e dhunimeve në shoqërinë tonë të pasluftës, të shikuara nga këndvështrimi i meshkujve apo burrave. Filmi është pritur shumë mirë në të gjitha festivalet ndërkombëtare ku është shfaqur, dhe ka fituar shumë çmime. Në mos gaboj filmi ka marrë pjesë në më shumë se 50 Festivale dhe ka rreth 25 çmime si filmi më i mirë.

Edhe pse deri tani, shteti subvencionon prodhimin e filmave me shuma të cilat nuk mbulojnë as 25% të shpenzimeve, ne… kemi arritur që të prodhojmë filma që kanë arritur suksese kulminante në festivale të njohura botërore.

GE: Në vende të vogla si vendi ynë, prodhimi i filmit është sfidë shpeshherë e pakapërcyeshme. Për këtë shpesh ndodh që vetë institucionet shtetërore të marrin përsipër financimin e tyre. Nga përvoja e deritanishme, a ka qenë e mjaftueshme ndërhyrja shtetërore dhe a ka pasur prodhime të kënaqshme artistike?

Sh.I.: Jo vetëm te ne, po në gjithë Europën, filmi mbështetet financiarisht nga Ministritë e Kulturës dhe fonde të ndryshme të pavarura. Për dallim prej situatës në SHBA, ku filmi është biznes dhe financohet me fonde private, në Europë, duke e subvencionuar prodhimin dhe distribuimin e filmave, shtetet dhe fondet duan ta ruajnë filmin autorial nga ndikimi i Hollywood-it, pra, qasjen autoriale të regjisorëve, e cila ka vlerë të madhe kulturore, por nganjëherë jo edhe aq komerciale. Në Kosovë, edhe pse deri tani, shteti subvencionon prodhimin e filmave me shuma të cilat nuk mbulojnë as 25% të shpenzimeve, ne producentët duke bashkëprodhuar (sidomos me shtetet fqinje), kemi arritur që të prodhojmë filma që kanë arritur suksese kulminante në festivale të njohura botërore, kanë fituar çmime, dhe tash së fundi kanë nisur edhe të distribuohen. Pra, filmi kosovar është vendosur në hartën kinematografike europiane dhe po le përshtypje tejet të mira. Mendoj që shteti duhet të rrisë mbështetjen, në mënyrë që të vazhdohet dhe të ngrihet më tutje kualiteti në kinematografinë tonë, sepse kjo që është arritur deri tash, është arritur me shumë sakrificë financiare nga ana e producentëve, regjisorëve, skenaristëve dhe aktorëve kryesorë.

GE: ‘Vera andrron detin’, është shfaqur në festivale ndërkombëtare, premierën e pati në ‘Prifest’, kur do të fillojë të shfaqet në kinematë e vendit?

Sh.I.: Po, “Vera andrron detin” është shfaqur si premierë në Festivalin e Venedikut, që është ndër festivalet më të rëndësishme në botë, krahas atij të Kanit dhe Berlinit. Prej atëherë shfaqet në të gjithë botën dhe ka fituar shumë çmime. Premierën në Kosovë do ta kemi në kuadër të Prifest-it dhe pastaj do ta shfaqim edhe në kinema për publikun e gjerë kosovar.

QKK kryesisht mbështet filma që konsideron që mund të kenë sukses në festivale ndërkombëtare. Sipas meje, QKK dhe MKRS duhet të mbështesin edhe filma të zhanreve të ndryshme që janë të një natyre më komerciale

GE: Zhanri dramë në filmat e kinematografisë tonë është zhanri më i shpeshtë; ‘Zana’ është ndër filmat në të cilët është eksperimentuar më shumë. Mirëpo në kinematografinë tonë ka mungesë të theksuar të zhanreve të tjera. Cilat mund të jenë arsyet?

Sh.I.: Është fakt që filmat e zhanrit “dramë” janë më të shpeshtit që prodhohen në Kosovë. Kjo është për arsye se QKK kryesisht mbështetë filma që konsideron që mund të kenë sukses në festivale ndërkombëtare. Sipas meje, QKK dhe MKRS duhet të mbështesin edhe filma të zhanreve të ndryshme që janë të një natyre më komerciale, e pse jo edhe seriale, në mënyrë që të ndërtohet dhe zhvillohet industria e prodhimeve audiovizuele. Tekefundit, mjetet e subvencionit janë mjete të taksapaguesve tonë, dhe besoj që nëse pyeten taksapaguesit, më parë do të shikonin ndonjë film apo serial të zhanreve më të lehta se sa një film autorial.

Përcaktimi i temave nga ndonjë autoritet tjetër filmi i jep karakter propagandistik, me qëllim kryesor promovimin e një teme dhe jo të një vepre artistike. Fakti që temat që i keni cekur ju, janë më prezente në filma kosovarë, flet që preokupimi i artistëve është i tillë

GE: Paragjykimet shoqërore dhe traumat e pasluftës zakonisht janë temat kyçe të filmave të prodhuara nga kinematografia jonë të cilët konsiderohen më të suksesshëm edhe në arenën ndërkombëtare, cilat janë temat që po u mungojnë prodhimeve filmike tek ne të cilat do të duhej të trajtoheshin?

Sh.I.: Temat nuk bën të dirigjohen, sipas meje. Mendoj që përzgjedhjen e temave e bën individi, bazuar në atë që i intereson ta tregojë apo filmojë. Përcaktimi i temave nga ndonjë autoritet tjetër filmi i jep karakter propagandistik, me qëllim kryesor promovimin e një teme dhe jo të një vepre artistike. Fakti që temat që i keni cekur ju, janë më prezente në filma kosovarë, flet që preokupimi i artistëve është i tillë. Ndoshta edhe selektimi dhe mbështetja nga QKK i ka shtyrë në atë drejtim. Sipas meje, nëse shteti mbështet zhvillimin e industrisë, jo vetëm financiarisht, por edhe me infrastrukturë të mirë ligjore, atëherë edhe tematikat mund të jenë më të larmishme në kinematografinë tonë.

GE: A po punoni në projekte të reja?

Sh.I.: Momentalisht jam duke punuar si regjisor në një serial të quajtur “Tre vllaznit” i cili do të fillojë të shfaqet në fund të shtatorit në televizionin ATV, e sigurisht edhe në rrjetet sociale. Po ashtu jam duke zhvilluar disa ide për një film-komedi, që mund të jetë edhe “Kafeneja jonë”, por në formatin për kinema.

/Gazeta Express