Intervistë me analistin boshnjak: “Shtetet anëtare pa debat t’ia përcjellin aplikimin e Kosovës KE’së deri në mars” - Gazeta Express
string(110) "interviste-me-analistin-boshnjak-shtetet-anetare-pa-debat-tia-percjellin-aplikimin-e-kosoves-kese-deri-ne-mars"

Lajme

Gazeta Express

20/12/2022 17:46

Intervistë me analistin boshnjak: “Shtetet anëtare pa debat t’ia përcjellin aplikimin e Kosovës KE’së deri në mars”

Lajme

Gazeta Express

20/12/2022 17:46

Kosova mori një vendim historik me dorëzimin e aplikacionit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, përkundër faktit se vetë Unioni nuk e njeh atë si shtet. Për këtë arsye s’pati entuziasëm në opinion.

Alma Baxhaku

Lexo Edhe:

Analisti boshnjak, Adnan Cerimagic, thotë se edhe Kosova mund ta përjetojë të njëjtën histori në tentativën e saj për të hyrë në BE sikurse pesë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor – zvarritje. Por, sipas tij, s’do të trajtohet ndryshe nga to në aspektin e procedurave për shkak të pesëshes mosnjohëse.

Ai merr shembull Bosnjën me gjithë telashet që ka me funksionimin e saj si shtet dhe me mosbesimin që e përcolli atë në fazat pas dorëzimit të aplikimit.

“Disa që e shohin Bosnjën si një shtet të dështuar dhe të komplikuar, e të paaftë për t’u reformuar, madje u bënë thirrje vendeve anëtare të BE-së që të refuzojnë haptazi kërkesën për anëtarësim të Bosnjës. Shumë shpresonin që aplikacioni ynë të qëndronte në një sirtar për vite me radhë. Ajo që pasoi ishte shumë e çuditshme”.

Për problemin unik që ka Kosova me pesë shtetet që s’e pranojnë, Cerimagic thotë se tashmë ato shtete janë pajtuar me perspektivën europiane të Kosovës dhe se këtë e kanë bërë edhe kur bënë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Kosovën.

Sipas tij, Kosova ka bërë mirë që ka dorëzuar dosjen në BE tani sepse vonesa e saj do të ishte arsyetim i BE-së për mospunën e saj. Cerimagic, i cili është njohës i procesve integruese europiane, rekomandon që shtetet anëtare pa debat t’ia përcjellin aplikimin e Kosovës KE’së deri në mars të vitit 2023.

*Cerimagic është analist senior në Iniciativën Europiane të Stabilitetit (ESI) – një institut europian me seli në Berlin, Bruksel dhe Vjenë.

Intervista e plotë:

Gazeta Express: Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE edhe pse nuk njihet nga Unioni. A ishte vendim i duhur në kohën e duhur?

A. Cerimagic: Përvoja e Bosnje e Hercegovinës do të çonte në një përfundim se për disa në BE koha kurrë nuk është e duhur, por gjithashtu se sa më shpejt të dorëzohet aplikacioni është më mirë për vendin në fjalë dhe BE-në.

Kjo nuk është përvojë vetëm e Bosnjës. Në kohën kur aplikuan për anëtarësim në BE, edhe Kroacisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë dhe Shqipërisë iu tha të prisnin një moment më të mirë. Megjithatë, realisht vetëm pasi u dorëzua aplikacioni, BE-ja gjeti kohë për të diskutuar seriozisht dhe për të vendosur se çfarë më pas.

Gazeta Express: Cili do të jetë hapi i radhës nga BE? A mendoni se do ta shqyrtojnë dosjen dhe të japin një përgjigje?

A. Cerimagic: Hapi tjetër duhet të jetë një vendim unanim nga të 27 shtetet anëtare të BE-së për ta çuar para aplikacionin e Kosovës në Komisionin Europian.

Më lejoni t’i referohem përvojës së Bosnjë e Hercegovinës. Autoritetet tona aplikuan për anëtarësim në BE në shkurt të vitit 2016, pavarësisht kundërshtisë dhe kundërshtimit të madh publik midis shteteve kyçe anëtare të BE-së. Disa që e shohin Bosnjën si një shtet të dështuar dhe të komplikuar, e të paaftë për t’u reformuar, madje u bënë thirrje vendeve anëtare të BE-së që të refuzojnë haptazi kërkesën për anëtarësim të Bosnjës. Shumë shpresonin që aplikacioni ynë të qëndronte në një sirtar për vite me radhë. Ajo që pasoi ishte shumë e çuditshme.

Në mars të vitit 2016, Johannes Hahn, në atë kohë Komisioner i BE-së për Zgjerim, i mbështetur nga disa vende anëtare shumë skeptike ndaj Bosnjës, fluturoi në Sarajevë për të njoftuar që BE-ja për të ndërmarrë hapin tjetër, autoritetet boshnjake duhet të zbatojnë një listë mjaft të gjatë dhe politikisht kontroverse të kushteve.

Ndjeva në atë kohë se me një qasje të tillë, ata në BE që donin që aplikacioni ynë të qëndronte në sirtar, shpresonin që boshnjakët të mos e dorëzonin dhe që ata më pas të mos fajësoheshin për mosveprim nga ana e BE-së. Por autoritetet boshnjake i habitën të gjithë (përfshirë mua!). Deri në shtator të vitit 2016, ata plotësuan të gjitha kushtet dhe shtetet anëtare të BE-së vendosën më pas njëzëri t’i kërkojnë Komisionit Europian që të krijojë Opinionin për aplikimin e vendit për anëtarësim.

Shpresoj që në rastin e Kosovës, vendet anëtare të BE-së do të bëjnë atë që bënë në rastin e aplikacioneve më të fundit, kur aplikimet për anëtarësim nga Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia u përcollën shumë shpejt. Kjo do të hapte një rrugë drejt një ushtrimi shumë kërkues dhe të dobishëm ku Komisioni Europian do të dërgojë mijëra pyetje autoriteteve të Kosovës dhe të gjithë do të kenë një pasqyrë më të mirë se sa larg është Kosova nga përmbushja e kushteve për anëtarësim në BE.

Gazeta Express: Kosova s’është e njohur nga pesë shtetet anëtare. Përderisa është rast unik, a mund të ketë procedura tjera ndaj Kosovës?

A. Cerimagic: Vërtet që Kosova nuk njihet nga pesë shtete anëtare të BE-së, por këto shtete mosnjohëse i kanë dhënë dhe e kanë rikonfirmuar perspektivën e njëjtë të BE-së për Kosovën si për të gjitha vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Gjithashtu, ata i kanë lejuar BE-së të zhvillojë marrëdhënie me Kosovën të krahasueshme me vendet e tjera të rajonit. Që nga viti 2016 Kosova ka Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, ka vite që është përfituese e fondeve të para-anëtarësimit dhe së shpejti do të ketë edhe liberalizimin e vizave. Kosova është gjithashtu pjesë e komunitetit të Energjisë dhe Transportit. Tani që të pesë shtetet e Ballkanit Perëndimor janë kandidatë zyrtarë për anëtarësim në BE, nuk ka asnjë justifikim për të mos punuar që Kosova të marrë të njëjtin status.

Nëse do të isha në gjendje t’u sugjeroja shteteve anëtare të BE-së se si ta trajtojnë aplikacionin e Kosovës, do të ishte t’ia përcillja Komisionit deri në mars të fundit 2023 pa asnjë debat. Si pjesë e këtij vendimi, Këshilli mund t’i kërkojë Komisionit të trajtojë në Opinionin e tij të gjitha aspektet ligjore dhe praktike për vazhdimin e procesit të anëtarësimit. Ndërkohë, si Kosova ashtu edhe Komisioni mund të punojnë në një qëllim kuptimplotë dhe të dobishëm për të gjetur në detaje se sa larg është Kosova nga gatishmëria për t’u anëtarësuar në BE (nga cilësia e statistikave deri te standardet mjedisore).

Gazeta Express: Cili do të ishte skenari më i keq për Kosovën nga BE-ja?

A. Cerimagic: Shumë me të drejtë mendojnë se skenari më i keq për Kosovën do të ishte që shtetet anëtare të BE-së ta mbanin aplikacionin në sirtar. Por makthi im shumë më i madh është se rruga e Kosovës drejt anëtarësimit në BE do të ndiqte rrugën e të gjithë fqinjëve të saj që ngecën në procesin e mosfunksionimit të anëtarësimit.

U deshën gjashtë vjet që Bosnja të kalonte nga aplikimi për anëtarësim në statusin e kandidatit. U deshën tetë e 17 vjet që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të kalonin nga statusi i kandidatit në fillimin e bisedimeve për pranim. U deshën tetë vjet që Malit të Zi të kalonte nga fillimi i bisedimeve për pranim në hapjen e të gjithë kapitujve. Dhe sot Mali i Zi nuk është askund afër mbylljes së këtyre kapitujve dhe anëtarësimit në BE.

Skenari im më i keq për Kosovën dhe të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor është që procesi aktual i anëtarësimit të vazhdojë dhe se rruga drejt anëtarësimit të plotë në BE mbetet dekada larg, pa ndonjë qëllim të përkohshëm kuptimplotë. Të tilla si, për shembull, anëtarësimi në tregun e përbashkët të BE-së dhe mundësia për të gëzuar katër liritë.

Gazeta Express: Kosova aplikoi në Pragë e jo në Bruksel. A do të kishte më shumë ndikim nëse do t’i dorëzohej Brukselit?

A. Cerimagic: Unë nuk mendoj se kjo ka rëndësi. Përveç Bosnjës e cila aplikoi në Bruksel, shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor e bënë atë në kryeqytetet e Presidencës së BE-së. Mali i Zi në dhjetor 2008 në Paris, Shqipëri në prill 2009 në Pragë, Serbi në dhjetor 2009 në Stokholm. Ajo që ka rëndësi është ajo që vijon më pas.

Gazeta Express: Po ashtu, aplikimi i Kosovës ra në të njëjtën ditë kur Bosnjës iu dha statusi i kandidatit. Por liderët e BE-së nuk e përmendën aplikimin e Kosovës. A mendoni se ky është një sinjal i keq?

A. Cerimagic: Aspak! Konkluzionet përgatiten dhe bien dakord javë më parë, kështu që nuk ishte çudi që aplikimi i Kosovës të mos përmendej. Si mbajtëse e ardhshme e Presidencës së BE-së, i takon Suedisë të fillojë diskutimet dhe të shpresojmë të arrijmë një rezultat të mirë për këtë çështje. Reagimet individuale nga shumë shtete anëtare ishin shumë pozitive, duke përfshirë Holandën, Austrinë, Finlandën, Kroacinë, Gjermaninë dhe shumë të tjera. Roli i tyre për të bindur skeptikët do të jetë vendimtar. Le të shpresojmë që ata t’i bindin të 27 vendet anëtare më shpejt se sa vonë.