Intervistë me Lulzim Tafën (1970) poet dhe profesor universitar
Tafa
po ashtu ka qenë rektor i Universitetit AAB në Prishtinë (2012 – 2020). Ka
themeluar pesë çmime ndërkombëtare në fusha të ndryshme, përfshirë edhe Çmimin
Ndërkombëtar për Letërsi dhe Arte “Ali Podrimja”.
Tafa i takon plejadës së poetëve të viteve të nëntëdhjeta, në kohën kur në
Ballkan kishin shpërthyer luftëra të përgjakshme si rezultat i shpërbërjes së
ish-Jugosllavisë, kur popullit të Kosovës i kanosej shfarosja etnike dhe
kulturore. Poezi ka filluar të shkruaj si nxënës i shkollës fillore. Poezitë e
para i ka botuar në revista të shkollës së mesme, ndërsa librin e parë me poezi
e ka botuar si student.
Lufta dhe katastrofa humanitare e vitit 1999 e gjeti në Kosovë dhe i shkatërroi shtëpinë, bibliotekën, librat, fotografitë dhe mbi 300 poezi në dorëshkrim. Pas luftës ai vazhdoi të merret me të drejtat dhe liritë e njeriut, duke promovuar paqen përmes artit. Ai gjithashtu është lobues për të drejtat e kafshëve. Falë angazhimeve të tij, Kosova ka miratuar ligje të ndryshme që kanë të bëjnë me mbrojtjen e të drejtave të kafshëve.
Poezitë e tij janë të përkthyera në disa gjuhë të botës dhe të përfshira në shumë antologji, është shpërblyer me shumë çmime letrare. Veprat e tij deri më tani janë përkthyer në gjuhët angleze, gjermane, italiane, serbe, kroate, boshnjake, malazeze, turke, greke, rumune, rome, frënge, ukrainase, azere, suedeze, arabe, maqedonase, ruse, sllovene, hungareze etj.
Është fitues i shumë çmimeve dhe mirënjohjeve ndërkombëtare për letërsi, si: “Mihai Eminescu” në Rumani, “Nadje Namad” në Liban, “Radovan Zogoviq” në Mal të Zi, “Pablo Neruda” në Itali, “Aleksandri i Madh” në Greqi, “Ramadan Sinani” në Maqedoni, etj. Gjithashtu është laureuar disa herë me titullin “Doctor Honoris Causa” nga shumë universitete ndërkombëtare. Gjithashtu, Ai është dekoruar me titullin ambasador i paqes botërore nga Komiteti Botëror i Paqes me bazë në Indonezi.
Për kontributin e tij në fushën e letërsisë, në vitin 2018, Presidenti i Republikës së Kosovës, për kontribut të jashtëzakonshëm në fushën e letërsisë dhe artit e dekoroi me Medaljen Presidenciale të Meritave.
Librat e tij më të njohur janë:
“Gjaku nuk bëhet ujë”- përmbledhje me poezi, Rilindja, Prishtinë 1993; Metaforë e pikëlluar”- përmbledhje me poezi, Rilindja, Prishtinë 1995; “Planeti Babiloni”- poezi e dramatizuar, Rilindja, Prishtinë 1997; “ Vdekja çon fjalë”- përmbledhje me poezi, Rilindja, Prishtinë, 1998; “Analogjia e Shëmtisë” – përmbledhje me poezi, Faik Konica, Prishtinë, 2002; “I kam edhe dy fjalë”-përmbledhje me poezi, Faik Konica, Prishtinë 2012; “Shtini n’ dhe këto fjalë”- përmbledhje me poezi, Faik Konica, Prishtinë 2015; “Paketimi i mërzisë”, Libër me Poezi, Luma Grafik, Tetovë 2017; ‘’Flirt ‘’, Poezi, Botimet AAB, 2019; “Të dielave mos më thirr”, Libër me Poezi, Armagedoni, Prishtinë, 2019.
Intervistoi: Dritan Dragusha
«Kurrë s’e kam kuptuar si jetojnë njerëzit pa poezinë»
Gazeta Express: Ndërmjet fantazisë dhe realitetit ku qëndron poezia?
Lulzim Tafa: Mendoj se poezia qëndron pikërisht në mes, merr frymë në realitet dhe i jep frymë fantazisë. Pra, përgjigja në këtë pyetje është në vetë pyetjen. Ndoshta në një mënyrë, poezia sa e prishë atë kufirin në mes të realitetit dhe fantazisë, po aq edhe e lidhë realitetin me fantazinë. Paradoksalisht, poezia është urë në mes të këtyre dy botëve, por ndonjëherë edhe në letërsi-poezi në mendjen e krijuesit mund të ketë edhe konflikt në mes të realitetit dhe fantazisë, por te krijuesi dominon kjo e dyta, ngase problemet e një krijuesi nuk janë me fantazinë, imagjinatën, por me realitetin. Pra, krijuesi e ka problemin me realitetin sepse bota reale shpesh di të jetë edhe më interesante dhe më e çuditshme se sa ajo imagjinare. Kjo është thënë tani më. Ndodhë shpesh që një poezi të ketë pak nga realiteti e pak nga fantazia, ndonjëherë është edhe mbindërtim i të dyjave bashkë, me qëllim për të bërë realitetin të duket si fantazi, kurse fantazinë të duket reale.
GE: A na duhet poezia sot, nëse po, atëherë pse?
LT: T’ju them të drejtën unë kurrë s’e kam kuptuar si jetojnë njerëzit pa poezinë. Poezia është shumë e rëndësishme për njerëzimin, madje edhe e nevojshme. Njeriut i duhet shpesh të ikë nga realiteti që e rrethon. Ne kemi nevojë që të ikim edhe nga fjalori i përditshëm dhe i thjeshtë i jetës sonë dhe ta ndryshojmë atë. Pra, poezia i duhet çdo kohe, çdo situate e çdo hapësire. Poezia është reflektim për realitetin, do të thotë është edhe revoltë por edhe admirim, edhe ëndërr e ndonjëherë edhe shpërfillëse ndaj realitetit. Por, pa poezi e pa art asnjëherë nuk bën. Pa art, njeriu tjetërsohet, nuk është më njeri, të paktën jo njeri çfarë ne sot e njohim dhe e kuptojmë. Pra, jo vetëm që na duhet poezia por as që mundemi pa të.
«Cili është përfundimi i një shkrimtari? Natyrisht që të shkon mendja që ne nuk ekzistojmë fare, vetëm se na duket që jemi. Ndoshta e tëra është ëndërr!»
GE: Tek poezia juaj “Andërr”, duket sikur ju shpërfaqni edhe një lidhje shpirtërore me t’përtejmen?
LT: E imagjinoni planetin tonë tokën për një çast, me male, dete, oqeane e me gjithë krijesat në të, sa e madhe është!? Nëse mendoni se është e madhe, atëherë imagjinojeni se “madhësia” e saj në gjithësi apo gjithësitë është sa një qelizë që nuk e sheh as mikroskopi. Planeti ynë është një prej rreth një miliardë planetëve të vijës sonë të qumështit, e vija jonë është një prej një miliard e gjysmë vijave të qumështit që mendohet se ekzistojnë, këto përbëjnë gjithësinë. Tani doli edhe teoria e shumësisë së gjithësisive. Çfarë të thuash tani! Ndoshta edhe e gjithë gjithësia jonë nuk shihet me mikroskop në gjithë atë shumësi gjithësish. Kjo nuk është vetëm fiksion letrar, këtu pushon edhe imagjinata edhe logjika, dhe për një çast i thua logjikës stop, sepse më nuk ke kapacitet as për të imagjinuar. Kjo e tejkalon edhe fantazinë edhe imagjinatën e shkrimtarit. Tani cili është përfundimi i një shkrimtari? Natyrisht që të shkon mendja që ne nuk ekzistojmë fare, vetëm se na duket që jemi. Ndoshta e tëra është ëndërr! Mendoj se kam pasur të drejtë kur e kam shkruar poezinë “Andrra”, që edhe ashtu është produkt i një ëndrre. Unë kam menduar se jam i vetmi që i ka hyrë kjo mendje, por tani e shoh se në botë kam shumë “bashkëmendimtarë”, madje rezulton që kjo të ketë qenë një hipotezë e vjetër. Kjo më gëzon, e në ndërkohë edhe më trishton.
«Në fund të fundit (poeti) është një idhnak reversibil. Hidhërimi i tij nuk prodhon asnjë dëm, përveç që mund të prodhojë ndonjë vepër arti, hidhërimi i tij i bën mirë letërsisë»
GE: A është poeti një njeri idhnak?
LT: Në natyrën e tij, poeti është edhe idhnak. Është sepse jo çdo gjë shkon në harmoni me natyrën e poetit, apo me egon e poetit. Çdo ballafaqim me realitetin në këso gjendje jo balancuese shkakton traumë, e kjo traumë pastaj e bën poetin idhnak, por në fund të fundit është një idhnak reversibil. Hidhërimi i tij nuk prodhon asnjë dëm, përveç që mund të prodhojë ndonjë vepër arti, hidhërimi i tij i bën mirë letërsisë.
GE: A ecën poezia me kohën apo ajo e ndjek kursin e vet dhe nuk e qanë kokën për asgjë?
LT: Poezia, jo domosdoshmërisht ecë me kohën. Poezia e mirëfilltë din edhe t’i paraprijë kohës. Në këtë aspekt, poezia në dukje të parë të lë përshtypjen sikur e ka një orbitë të veçantë dhe e ndjek atë rrugë. Ndoshta poetët janë ata që i mbajnë të bashkuara këto dy paralele, këto dy orbita. Por, një gjë nuk duhet ta harrojmë asnjëherë se siç çdo gjë tjetër edhe letërsia evoluon. Secili shkrimtar që vlerëson se ka për t’i thënë apo për t’i dhënë diçka lexuesit, ai do të duhet ta dijë se si t’ia thotë atë në mënyrën sa më të pastër dhe sa më të shkurt që mundet, sepse askush më nuk ka kohë, por as nevojë që të kërkoj aq shumë nëpër krijimtarinë e shkrimtarit, për të gjetur atë që lexuesi e kërkon.
Pra, në këtë kohë të zhvillimit kaq të madh të teknologjisë, kur krejt jeta jonë varet apo do të varet edhe më shumë në të ardhmen, pikërisht nga teknologjia, shkrimtari duhet ta kënaqë lexuesin duke mos e munduar atë. Ju e dini që ka edhe letërsi të mundimshme. Dikush mund të thotë çka ka të bëjë letërsia me teknologjinë? Ka, sepse ajo po bëhet mënyrë jetese tani, madje edhe gjuha e saj. Edhe në letërsi, sidomos lexuesve të rinj duhet t’iu flasim me krijimet tona, me gjuhën e tyre. Një ditë e zura veten duke shkruar një poezi për luftën tonë të fundit sipas modelit të lojës së famshme “Counter-Strike” dhe e pashë që funksionoi.
GE: Shumë shkrimtarë thonë se shkruajnë për të mos u harruar. A e keni ju këtë brengë?
LT: Më shumë dhe më ndryshe se për të mos u harruar, mendoj që poetët shkruajnë sepse kanë nevojë për të shkruar, e pastaj kuptohet, nëse shkruajnë mirë atëherë vetvetiu edhe nuk harrohen. Sado që harrimi është i dhimbshëm, frika që të shkruajnë për të mos u harruar e dëmton poezinë dhe artin. Arti duhet të jetë i lirë nga kjo frikë, përndryshe krijuesit që krijojnë për të mos u harruar, mendoj se në një mënyrë apo në një tjetër e vrasin poezinë dhe artin e tyre.
GE: Në poezitë tuaja ju përveç që shprehni dashuri, dhimbje, trishtim, lumturi etj., duket se ka edhe mllef. Nga buron ky mllef ose çka e shkakton atë?
LT: Mirë e thatë ju, në këto poezi ka dashuri, trishtim por edhe lumturi, e për ta plotësuar konditën e jetës, patjetër që duhet të ketë edhe mllef. Sepse nëse kemi thënë se poezia është si jeta apo vetë jeta, atëherë ajo brenda e ka edhe mllefin. E nga buron mllefi? Pikësëpari mllefi buron nga realiteti, pastaj nga “paaftësia” ime dhe jo gatishmëria ime për ta pranuar realitetin të tillë çfarë është apo çfarë na vjen. Andaj, mllefin në poezi duhet kuptuar si revoltë. Natyrisht nuk kam mllef ndaj një subjekti të caktuar por ndaj dukurive e fenomeneve po, kam.
«Poezia është e mirë, në një rast tjetër nuk është fare poezi, prandaj poezia nuk ka se si të bëhet monotone»
GE: Kur një poezi bëhet monotone?
LT: Kur e pazakonta në poezi bëhet e zakontë dhe fiton statusin e të zakonshmes, atëherë edhe mua më shkon mendja se ndoshta edhe mund të bëhet monotone. Megjithëse një poezi është shumë vështirë të bëhet monotone. Unë nuk jam teoricien i letërsisë, unë jam vetëm poet dhe flas si poet. Mendimi im është më i prerë, një akt shkarkimi-shkrimi si poezia ose del poezi ose nuk del, nuk ka poezi të keqe. Poezia është e mirë, në një rast tjetër nuk është fare poezi, prandaj poezia nuk ka se si të bëhet monotone, përjashtimisht në rastin që e përmenda më lart.
GE: Poeti, a dashuron sikur në poezi?
LT: Po, ndoshta edhe më “ashpër” se në poezi. Por ajo që i dallon poetët nga të tjerët është se ata rregullisht dashurojnë në mënyrë të çrregullt, dhe e keni parë se si parregullsinë në këtë rregull e bëjnë poezi. Meqenëse nuk ka rastisur të ekzistojë një njësi matëse apo ndonjë instrument për matjen e dashurisë atëherë mund të themi se poezia dhe dashuria shpeshherë e ndihmojnë njëra-tjetrën, herë në poezi e herë në dashuri, për të mos thënë nuk shkojnë mirë njëra pa tjetrën.
GE: Të gjitha poezitë e botës duket sikur synojnë ta gjejnë atë vargun magjik. Atë vargun që del jashtë kohës dhe jashtë hapësirës. Ju, a konsideroni se ja keni arritur këtë apo ka ende hapësirë për të gërmuar për atë varg?
LT: Krijuesi i vërtetë kurrë nuk arrin ta gjejë vargun magjik. Krijuesi i vërtetë është përherë në rrugë dhe në përpjekje për ta gjetur atë vargun magjik, rrjedhimisht kjo rrugë e kjo përpjekje e bënë artin dhe përsosmërinë e një krijuesi. Nga kjo që e thamë i bie se unë jo, nuk e kam gjetur ende dhe as që shpresoj ta gjej ndonjëherë, por, si ngushëllim për të, shpresoj shumë që pikërisht kjo përpjekje e imja ta përsosë sa më shumë artin tim.
Unë i takoj atyre që mendojnë se vargu apo edhe “Poezia më e mirë nuk është shkruar ende e as nuk do të shkruhet” kurrë. Fundja, e kam lexuar diku se një poezi, një varg nuk ka nevojë edhe të jetë i përsosur, mjafton të jetë i mire. Të lexohet e të kujtohet.
/Gazeta Express