Intervistë / Latifi: Jetojmë në një oklokraci digjitale të gatshme t’i ekzekutojë Sokratët - Gazeta Express
string(85) "interviste-latifi-jetojme-ne-nje-oligarki-digjitale-te-gatshme-ti-ekzekutoje-sokratet"

Arte

Dritan Dragusha

16/02/2023 19:29

Intervistë / Latifi: Jetojmë në një oklokraci digjitale të gatshme t’i ekzekutojë Sokratët

Arte

Dritan Dragusha

16/02/2023 19:29

Intervistë me Blerim Latifin, profesor i filozofisë në Universitetin e Prishtinës

Blerim Latifi është autor i këtyre librave: “Metafizika e Emancipimit”; “Biseda mbi filozofine bashkekohore” (bashkë me Muhamedin Kullashin); “Filozofi dhe logjikë” (libër për shkolla të mesme); “Cka mund të mësojmë sot nga Hegeli? (në bashkautorësi me filozofin amerikan Robert Wallace).

Intervistoi: Dritan Dragusha

Kush është filozofi sot?

Blerim Latifi: Pyetje shumë e drejtpërdrejtë dhe mjaft e vështirë! Do të përpiqem t’i përgjigjem duke u zhvendosur në kontekstin e asaj që quhet “histori e filozofisë”, për të arritur në fund tek një përgjigje në pyetjen tuaj. Filozofia ka një histori të gjatë, e cila shtrihet në harkun kohor të dhjetëra shekujve, prandaj nisur nga kjo pikëpamje është vështirë të jepet një përkufizim brenda të cilit do të mund të kondensohej e gjithë tradita e mendimit filozofik. Termi “filozofi”, sikurse dihet, është sajuar në Greqinë e lashtë, por domethëniet që i janë përshkruar këtij termi kanë ndryshuar në rrjedhën e shekujve. Këto domethënie gjenden në vetë historinë e filozofisë, por ajo që është më rëndësi të theksohet është se në shumësinë e këtyre domethënieve mund të dallojmë dy koncepte themelore të filozofisë: konceptin e filozofisë si emër i përbashkët për dituritë e një kohe dhe konceptin e filozofisë si një degë e veçantë e diturisë apo njohjes. Koncepti i parë ka dominuar në pjesën më të madhe të historisë së filozofisë, deri në fillimet e Idealizmit gjerman. Sikurse vëren filozofi amerikan Richard Rorty, me Kantin ndodhë kthesa e “profesionalizmit të filozofisë”, që nënkupton shndërrimin e saj në profesion të veçantë, të dallueshëm nga profesionet tjera të diturisë. Nga Kanti e tutje filozofia nuk është më ombrella nën të cilën futen të gjitha dituritë, as e ashtuquajtura “mbretëresha e shkencave”, por një mënyrë e veçantë e mendimit dhe e njohjes, e cila i ka çështjet e saj, fushën e saj të përkufizuar të hulumtimit. Kanti mendonte se kjo fushë përbëhet prej tri çështjeve themelore: çështjes epistemologjike, çështjes etike dhe çështjes estetike. Me fjalë të tjera filozofia ka për detyrë të përgjigjet në tri pyetje: Çfarë mund të njohim? Çfarë mund të bëjmë? Çfarë mund të shpresojmë? E gjithë filozofia postkantiane deri në ditët tona, në mënyra të ndryshme, merret me këto detyra të përcaktuara nga Kanti. Në këtë kontekst sot të jesh filozof do të thotë të kesh një kompetencë diskursive në fushën e njohjes, në atë të etikës dhe atë të estetikës. Secila prej këtyre tri fushave pastaj diversifikohet në rryma e drejtime të ndryshme teorike. P.sh. të marrim çështjen e njohjes. Angazhimi filozofik në këtë çështje mund të marrë formën e filozofisë së shkencës ose të filozofisë së religjionit. Më lart e bëra dallimin midis filozofisë si emërtim i përbashkët për të gjitha dituritë dhe filozofisë si degë e veçantë e diturisë? A kanë diçka të përbashkët këto dy koncepte? Sigurisht që kanë. Jo vetëm emrin formal, por edhe diçka substanciale. Kjo diçka është mendimi kritik. Filozofia, gjatë gjithë historisë së saj, është dalluar nga format tjera të mendimit njerëzor, pikërisht përmes dimensionit të mendimit kritik. Mendimi kritik parasegjithash nënkupton qëndrimin e mospranimit të të vërtetave të gatshme. Nënkupton shqyrtimin e një të vërtete para pranimit të saj si të tillë. Ky shqyrtim në filozofi merr formën e shqyrtimit logjik dhe racional. Dekarti në tekstet e tij “Ligjërata mbi metodën” dhe “Parimet e filozofisë”, e paraqet në mënyrën më të mirë thelbin e kriticizmit filozofik. E vërteta nuk është një e dhënë e gatshme. Ajo duhet të gjurmohet me instumentet e mendimit të lirë. Filozofia fillon aty ku ndahet çështja e autoritetit nga çështja e të vërtetës. Ose thënë ndryshe: filozofia fillon aty ku e vërteta kërkohet dhe përcaktohet në mënyrë të pavarur nga autoriteti, qoftë ky politik ose religjioz. Filozofia fillon me shpalljen e autoritetit të së vërtetës, si kundërvënie ndaj të vërtetës së autoritetit. Kjo gjë është definuar herë si kundërvënie midis kriticizmit dhe dogmatizmit, e herë si kundërvënie midis dyshimit dhe besimit. Pushtetet e ndryshme, qofshin ato politike apo religjioze gjithmonë synojnë që të vërtetat e tyre të pranohen si të vërteta finale, të padiskutueshme, të pacenueshme dhe nëse ky synim i tyre shndërrohet në ligj, atëherë aty shkatërrohet çdo mundësi për zhvillimin e filozofisë. Kjo gjë ka ndodhur në kush e di sa raste gjatë historisë dhe filozofia në po aq raste ka rënë viktimë e të tilla synimeve. Pushtetet sajojnë ideologjitë për të ruajtur vetveten. Këto ideologji kanë për qëllim të mirëmbajnë masën e besimtarëve të pushteteve, do të thotë masën e atyre që e pranojnë pushtetin dhe nuk revoltohen kundër tij. Filozofia lëviz në kahun e kundërt. Ajo, në mënyrë imanente, është e prirur t’i shndërroj besimtarët në dyshues, marrësit e pandërmjetësuar të të vërtetave, në marrës shqyrtues të tyre. Ideologjitë dhe religjionet e organizuara, duke qenë se kanë për qëllim besimtarët dhe jo dyshuesit, gjithmonë janë të prirura në politikat e tkurrjes së kapaciteteve të njeriut për të menduar në mënyrë të pavarur. Filozofia synon saktësisht të kundërtën: zgjerimin e këtyre kapaciteteve. Në këtë pikëpamje filozofia është edukim në mendimin logjik dhe autonom. Filozofia është ngritje në nivelin më të lartë e lirisë së mendimit. Shelingu e thotë në mënyrë shumë të drejtpërdrejtë: Liria është fillimi dhe qëllimi i filozofisë. Do të thotë: ajo lind nga liria e njeriut dhe i shërben asaj. Në radhë të parë, lirisë së mendimit, e pastaj edhe lirisë si praktikë sociale e politike. Edhe Hegeli e thotë të njëjtën gjë në veprën e tij “Leksione të Historia e Filozofisë”: “Institucionet e lira politike dhe filozofia shkojnë dorë për dore! Liria e mendimit dhe liria politike janë të lidhura në mënyrë të pashmangshme me njëra tjetrën! Filozofia është shfaqur në skenën e historisë vetëm atëherë kur kanë lindur institucionet e lira politike”. Po çfarë kupton Hegeli me institucione politike të lira? Ai e ka fjalën për ato institucione të cilat nuk i kundërvihen të vërtetës racionale, e cila përbën substancën e mendimit filozofik. Në këtë pikëpamje, të jesh filozof do të thotë të përdorësh lirinë e mendimit në mënyrë racionale dhe të angazhohesh edhe në mbrojtje të lirisë si praktikë sociale dhe politike. Indiferenca e filozofit ndaj fatit të institucioneve të lira politike është braktisje e etikës së filozofisë, në mos tradhti e saj.

2. Ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur në tri dekadat e fundit edhe globalisht (sidomos me ardhjen e interneti), a e kanë transformuar edhe filozofinë apo sa ka mundur që filozofia t’i ndjek këto trende të ndryshimit?

Blerim Latifi: Ajo që e dallon filozofinë moderne nga filozofitë antike dhe ato mesjetare, ka të bëjë pikërisht me çështjen e ndryshimit. Filozofët antikë dhe ata mesjetarë interesoheshin parasegjithash për ta kuptuar të pandryshueshmen, të përhershmen tek qenia apo realiteti. Ndërkaq, filozofia moderne interesohet të kuptojë ndryshimin, thelbin e tij, ligjet dhe kahjen e tij. Për këtë arsye historia zë një vend qendror në refleksionet e filozofëve modernë. Në mesin e tyre për një kohë të gjatë ka dominuar mendimi se ndryshimi ka karakter progresiv dhe se historia i përngjan një tregimi madhështor të edukimit human të llojit njerëzor. Pra ne duhet të jemi të lumtur ngase historia, përkundër kthesave të rrezikshme dhe tragjedive që ndodhin gjatë rrugëtimit të saj, në fund do të jetë një storie suksesi moral për të gjithë njerëzimin. Ky koncepcion i ndryshimit ka marrë fund gjatë katastrofave të mëdha humane të shekullit XX. Sot, ne, për dallim nga iluministët e hershëm, nuk besojmë në mënyrë naive se zhvillimi i diturive racionale dhe i teknologjisë është i barabartë me progresin moral të njerëzimit. Dituritë dhe teknologjitë janë vegla dhe varet shumë se nga kush përdoren këto vegla. Ne ende nuk kemi gjetur një mënyrë për të parandaluar që këto vegla të bien në duart e atyre që nuk i përfillin kërkesat kantiane të moralit. Sot, siç mendon një mendimtar gjerman, ne mund të flasim vetëm për një përfytyrim minimalist të progresit njerëzor, e ky është progresi i kuptuar si tërësi përpjekjesh për të mos lejuar përsëritjen e katastrofave të së kaluarës. Kjo tërësi përpjekjesh nënkupton angazhimin për ruajtjen dhe zhvillimin e disa prej të arriturave më të mëdha të modernitetit, siç janë demokracia, të drejtat dhe liritë e njeriut, sundimi i ligjit. Në këtë kontekst filozofia ende mund të kryej rolin e saj si një formë e edukimit mbi liritë tona. Natyrisht këtë detyrë ajo nuk mund ta kryejë pa përpjekjen për të kuptuar aktualitetin në të cilin jetojmë, tendencat dhe probabilitetet e tij, rreziqet dhe mundësitë e mira të tij. Por që kjo përpjekje të rezultojë e frytshme duhet që filozofia e sotme ta dalë nga qasja epigoniste dhe të sajojë koncepte të reja të mendimit dhe vokubularë të rinj. Më pëlqen ta citoj shpesh mendimin e filozofit francez Lyc Ferri se është koha të mbyllet epoka e dekonstruksionit, epoka e filozofisë që di vetëm të dekonstruktojë gjërat, vetëm t’i hedhë në erë ato, si në një akt terrorist, dhe të lërë pas vetëm gërmadhat dhe tymnajën e nihilizmit. Nëse fjala jonë e fundit është nihilizimi, atëherë e humbim të drejtën të ankohemi kur foltoren e zënë fanatikët ideologjikë dhe religjiozë.

Ky rend global sikur e ka transformuar edhe rendin social. Ajo që dikur konsiderohej si vlerë shoqërore, sot nuk përfaqëson pothuajse asgjë. Çka mendoni ju, si do të mund të ndërtohen vlera dhe kauza të atilla që i dërgojnë shoqëritë drejt maturimit të tyre, në një ambient, përveç kakofonik edhe shumë toksik?

Blerim Latifi: Për të dhënë përgjigje në këtë pyetje më parë duhet të kalojmë nëpër një procedurë të vështirë sokratike, e cila kërkon që të dimë se çfarë kuptojmë me konceptin e “vlerave” dhe çfarë me konceptin e “maturimit të shoqërive” dhe nuk mendoj se këtë mund ta bëjmë brenda kësaj bisede. Filozofia e sotme e ka braktisur rolin mesianik, të cilin ia ngarkonte dikur Iluminizmi Europian, por kjo nuk do të thotë se ajo ka hequr dorë edhe nga të qenit një pedagogji e lirisë. Mbi bazën e kësaj filozofia ka çfarë të thotë në një shoqëri e cila shqetësohet për liritë e saj. Në këtë pikëpamje ne mund të flasim për atë që ju e quajtët “maturim i shoqërive”. Të mos harrojmë tek Kanti maturimi dhe liria janë koncepte të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Dhe nëse do të merrnim guximin të vendosim një kriter të maturimit të shoqërisë, atëherë ai kriter do të ishte brenga e shoqërisë për lirinë e saj. Ndërsa sa i përket kakofonisë mendoj se duhet ta kujtojmë Hanah Arendt e cila thotë se demokracia është regjimi më llafazan në mesin e të gjitha regjimeve politike. Sot ne jemi të alarmuar ngase mediat sociale këtë tipar të demokracisë janë duke e çuar deri në ekstrem, madje në një drejtim të rrezikshëm për të cilin flet Aristoteli tek “Politika” e tij. Llafazanëria tradicionale demokratike ka qenë e kufizuar në kohë dhe në hapësirë, ndërsa sot llafazanëria digjitale demokratike është e pakufizuar në kohë dhe ka shtrirje planetare. Ne sot jetojmë në kohën e turmave permanente, turmave online. Kjo është koha e oklokracisë digjitale, e cila është në gatishmëri online me ekzektu secilin Sokrat që merr guximin të flasë.

Në shoqërinë kosovare ka vite që debatin publik e dominon politika, madje ajo politika e 24 orëve të fundit. Kjo sikur e ka pamundësuar që ne të merremi edhe me gjëra socio-kulturore. Cilat janë pasojat sipas jush?

Blerim Latifi: Ky dominim mendoj se ka dy shkaqe. Njëri shkak lidhet me faktin se vijmë nga një traditë e gjatë politike në të cilën gjithçka ka qenë e politizuar dhe e gjykuar nga pikëpamja politike. Ne nuk jemi emancipuar ende prej asaj tradite dhe kjo shihet më së miri në mentalitetin e shumëpërhapur të pritjes se çfarë po bën shteti për ne. Ky është mentaliteti socialist, mentaliteti i cili kërkon që shteti të marrë përsipër rregullimin e të gjitha çështjeve të jetës tonë. Shkaku tjetër mendoj se lidhet me faktin e stagnacionit ekonomik nga i cili nuk po arrijmë të dalim dot. Shikoni, në një vend ku nuk ka ekonomi të zhvilluar, politika bëhet veprimtaria kryesore ekonomike, ndërsa partitë, sipas shprehjes së Veberit, shndërrohen në organizata punëkërkuesish. Kjo gjë e deformon krejtësisht idenë e qeverisjes, e cila gjithmonë ka të bëj me adresimin e problemeve ekonomike të shoqërisë. Ka vetëm një rrugë për depolitizimin e shoqërisë dhe shndërrimin e politikanëve në figura të parëndësishme publike. Kjo rrugë quhet zhvillimi ekonomik. Pa zhvillim ekonomik nuk do të mund të kemi as arsim cilësor, as shëndetësi publike cilësore, e as mundësi për krijimtari kulturore. Pa zhvillim ekonomik ne do të vazhdojmë t’i dëgjojmë 24 orë online dokrrat e politikanëve nëpër studiot televizive dhe njëkohësisht edhe lajmet e rifreskuara mbi migrimin e njerëzve tanë drejt Perëndimit.

Filozofi francez Jacques Derrida thoshte se nuk e dinte se ku fillonte filozofia dhe ku letërsia dhe anasjelltas, sepse ai mendonte se kufiri mes këtyre dy fushave është aq i hollë, gati se i pavërejtshëm. Cili është raporti i filozofisë me letërsinë dhe cilat janë ndikimet që ato kanë pasur tek ju?

Blerim Latifi: Raporti midis filozofisë dhe letërsisë ka qenë një raport i debatueshëm përgjatë gjithë historisë së filozofisë, qysh nga koha kur Platoni bëri deklaratën e tij të famshme kundër poetëve. Natyrisht të menduarit e këtij raporti varet nga koncepti që kemi për filozofinë. Nëse me filozofi kuptojmë një mënyrë të njohjes shkencore të realitetit, atëherë letërsi ka pak të bëjë me të. Nëse me filozofi kuptojmë një tip të hapur diskursi, atëherë marrëdhënia e saj me letërsinë bëhet më e afërt. Kur Derrida flet për heqjen e kufijve mes tyre, ai ka parasysh pikërisht kuptimin e dytë të filozofisë të cilin e përmendëm më lart. Pikëpamja e Derrida-s është kritikuar ashpër nga Habermasi pikërisht nga pikëpamja e kuptimit të parë të filozofisë. Dështimi i përpjekjes pozitiviste dhe i përpjekjes së Huserlit për t’i dhënë filozofisë një status të qartë shkencor, ia ka hapur dyert kuptimit të dytë të filozofisë, të cilin e afirmojnë shumë të ashtuquajturit filozofë postmodernistë. Derrida bën pjesë në kampin e tyre. Edhe neopragmatisti Richard Rorty, i cili po ashtu mendon se filozofia është letërsi. Një urë tjetër lidhëse midis filozofisë dhe letërsisë është estetika, filozofia e artit dhe brenda saj ajo që njihet si teoria letrare. Përjashto deklaratën armiqësore të Platonit dhe pretendimet e pozitivizmit, e gjithë pjesa tjetër e historisë së marrëdhënieve midis letërsisë dhe filozofisë është një histori e miqësisë së thellë, një histori në të cilën filozofia dhe letërsia kanë ushqyer njëra tjetrën. Kur kam qenë adoleshent pasioni im i parë ka qenë letërsia. Fajin pse e braktisa letërsinë dhe i hyra filozofisë, e kanë pikërisht shkrimtarët filozofë, si Kamy, Sartër, Dostojevski, Hygo, e të tjerë.

Çka është letërsia për ju, ose çka përfaqëson ajo?

Blerim Latifi: Një medium i cili përmes instrumenteve të fiksionit arrin të shprehë të vërteta tepër të rëndësishme njerëzore.

Cilët janë tre filozofë që tek ju kanë pasur ndikim?

Blerim Latifi: Nuk janë tre. Janë shumë. Dy fushat e mia kryesore të interesimit në filozofi janë filozofia politike dhe filozofia e religjionit. Filozofia politike nuk mund të mendohet pa Platonin, Hobsin, Makiavelin, Lokun, Rusoin e Hegelin. Filozofia e religjionit nuk mund të kuptohet pa Aristotelin, Spinozën e Kantin.

Nëse do t’ju kërkohej që t’i rekomandoni tre libra të letërsisë botërore dhe tre të letërsisë së Kosovës, cilët do të ishin ata libra?

Blerim Latifi: Vështirë të bësh një zgjedhje në këtë formë të triadës hegeliane. Do të rekomandoja të lexohet e gjitha vepra e Ernest Heminguejt, e G.G Markezit dhe e Milan Kunderës. Ndërkaq letërsinë e Kosovës e shoh si pjesë të letërsisë shqipe dhe nëse dikush do të më kërkonte t’i rekomandoja dikë atëherë do t’i thosha: gjithë veprën e Kadaresë, të gjitha poezitë e Xhevdet Bajrajt dhe romanet e Ag Apollonit.

Kush është shqiptari sot?

Blerim Latifi: Ai që beson dhe angazhohet që Shqipëria e Kosova të jenë shoqëri dhe shtete demokratike, ai që beson dhe angazhohet që e ardhmja jonë në Europë të mos ketë alternativë dhe ai që beson se besnikëria ndaj kombit është supreme në raport me besnikëritë tjera politike, apo religjioze. Shqiptaria ekziston në këto kondita. Nëse ato braktisën, shqiptari tjetërsohet në diçka tjetër, në një identitet tjetër. Qysh ka ndodhur shumë shpesh gjatë historisë tonë.

/Gazeta Express