Intervistë / Kushtrim Mehmeti: «Nëse do më duhej të zgjidhja 100 herë, 98 herë do të zgjidhja skenën alternative» - Gazeta Express
string(107) "interviste-kushtrim-mehmeti-nese-do-me-duhej-te-zgjidhja-100-here-98-here-do-te-zgjidhja-skenen-alternative"

Arte

Valona Hasani

29/09/2022 13:53

Intervistë / Kushtrim Mehmeti: «Nëse do më duhej të zgjidhja 100 herë, 98 herë do të zgjidhja skenën alternative»

Arte

Valona Hasani

29/09/2022 13:53

Intervistë me regjisorin teatror Kushtrim Mehmeti, shfaqjet e të cilit “Ferri”, me tekstin e Dante Alighierit dhe “Burgu politik”, realizuar mbi historinë dhe veprën e Adem Demaçit dhe Ukshin Hotit, kanë lënë gjurmë në teatrin kosovar  

Intervistoi: Valona Hasani

Lexo Edhe:

Kushtrim Mehmeti ka lindur në Kosovë më 16.01.1988. Në vitin 2011 u pranua në Akademinë e Arteve në Prishtinë, studimet i përfundoi në vitin 2016. Mehmeti gjatë viteve 2016-22; Punoi shfaqje në teatro të ndryshme në Kosovë si: “Pronë e lanun mbas dore”, “Etërit dhe Bijtë”, “Ferri”, “Muret Flasin”, “Fahrenheit 451”, “Duke Pritur Godonë”, “Mushkonjat dhe Princi”, Zhurmë Ujërash”, “Kaligula”, “Burgu Politik” etj. Gjithashtu performaca dhe instalacione si: “Reality”, “Death of Kosovo”, “93”etj.

«Derisa nuk e përfundova “Ferrin” gjendesha në ferr, në momentin që e përfundova kalova drejt purgatorit për në parajsë dhe që nga aty mendoj ta punoj edhe “Purgatorin” edhe “Parajsën” e Dantes dhe krejt në fund të shfaqet si trilogji»

Gazeta Express: Mes shfaqjeve te punuara nga ju, cila është shfaqja në të cilën ju mendoni që e keni punuar edhe “përtej” limiteve të zakonshme? Cila ka qenë rëndësia e saj?

Kushtrim Mehmeti: Gati gjitha shfaqjet ndoshta për nga natyra e tyre, madhështia e veprave e autoreve që i kam punuar më kanë shtyrë që të punoj përtej limiteve, shto këtu faktin që si regjisor dëshiroj që koha për prova të mos përfundojë kurrë, e kjo është tepër e vështirë me dinamiken e kohës që e jetojmë, me angazhimet e mia por sidomos të ekipit që përzgjedh, pa të cilin e kam të pamundur të realizoj një shfaqje. Por, nëse me duhet të zgjedh njërën, padyshim do të ishte “Ferri” i Dante Alighierit, shfaqje me ekip prej 26 personave, por me buxhet poshtë tre mijë eurove, punë rreth gjashtë muaj, prova intensive, ndoshta prova më e shkurtër nëntë orë. Të punosh me një numër të madh aktorësh, në mungesë të një institucioni i cili të rri mbrapa, me kushte në rastin më të mirë minimale, është tejet sfiduese. Shpesh herë derisa filloja të bisedoja me njërin nga aktorët dhe gjendesha në katin e tretë, përfundoja në katin e parë duke bisedua me një aktor tjetër pa e kuptuar se si kisha arritur deri këtu poshtë. Megjithatë kjo punë asnjëherë nuk do të realizohej pa punën deri në vetëmohim të aktorëve, instrumentistëve, dhe gjithë ekipit përcjellës të shfaqjes. Derisa nuk e përfundova “Ferrin” gjendesha në ferr, në momentin që e përfundova kalova drejt purgatorit për në parajsë dhe qënga aty mendoj ta punoj edhe “Purgatorin” edhe “Parajsën” e Dantes dhe krejt në fund të shfaqet si trilogji.

GE: Dallimi i të punuarit në skenë dhe në hapësirat e improvizuara (njiheni për eksperimentime me ambient)?

Mehmeti: Së pari jo vetëm që mendoj, por kam bindjen që teatri duhet të zhvendoset edhe në hapësirat publike, në vende të ndryshme, me një formë, t’i ofrohet publikut si një aventurë nga e cila në mos më shumë t’u mbeten dromcat e kujtimit mbi gjetjen, mbi veçantinë e hapësirës e shfaqjes. Tutje, po, hapësirat e improvizuara janë tejet sfiduese, fillimisht për aspektin krejt teknik (leja, vendi, kërkesa, zhurma) e tutje për mbarëvajtjen e provave e shfaqjes. Në hapësira alternative nuk ke siguri asnjëherë, duhet përcjellë kushtet atmosferike, duhet kujdesur për zhurmat që shkaktohen në atë vend, që i bie, duhet merresh edhe me një duzinë gjerash e fenomenesh që nuk hyjnë në aspektin krijues. Gjithashtu frekuenca e njerëzve gjatë procesit shpesh here di të jetë bezdisëse, paçka se në disa raste edhe motivuese e frymëzuese. Pastaj edhe ndriçimi, qasja në energji elektrike për aspektin final të shfaqjes, janë sfidë në vete, deri tek finalja, një shfaqje në hapësira alternative varet madje edhe prej perëndimit të diellit, e që këto çka i listova më lartë nuk janë probleme në një objekt teatri konvencional. Megjithatë nëse do më duhej të zgjidhja 100 herë, 98 here do të zgjidhja skenën alternative.

«Në aspektin përmbajtjesor dhe në aspektin teknik kjo shfaqje (“Burgu i Idealit”) ka përmbushur në plotësi pritshmëritë»

GE: Si rrodhi ideja e shfaqjes “Burgu politik”?

Mehmeti: Shtatori i vitit 2017 ka qenë hera e parë që kam lexuar veprën “Dashuria kuantike e filanit” të autorit Adem Demaçi, kjo është edhe pikënisja e shfaqjes “Burgu Politik”, atëherë kisha veç njëdromcë ideje. Pastaj me veprën “Filozofia politike e çështjes shqiptare” e Ukshin Hotit veç u plotësua nevoja që të vendosi në skenë diçka nga jeta e vepra e idealisteve shqiptar. Tutje mblodha materiale, intervista dhe shkrime të Adem Demaçit e Ukshin Hotit deri sa në vitin 2020 hapet si muze për një periudhë të shkurtër “Burgu i Idealit”. E vizitova, sepse e dija se aty ka qëndruar Adem Demaçi, Ukshin Hoti e shumë veprimtarë të tjerë. Gjatë vizitës aty arrita ta konceptoj një draft ide (nëse mund t’i themi) dhe nga aty prita që t’i vijë koha “Burgut Politik” që ta punoj si shfaqje. Dhe krejt në fund së bashku me Kaltrim Balajn si bashkëregjisor punuam deri në vënien në skenë të kësaj shfaqje që për mua do të mbetet përgjithmonë në mendje e në zemër.

GE: A i ka  përmbushur kjo shfaqje pritshmëritë tuaja si regjisor?

Mehmeti: Një shfaqje për një regjisor është si një fëmijë, prindërit janë regjisori e aktori, ndaj, nëse nisemi nga kjo premisë shfaqja që nga embrioni ka qenë tejet e ndjeshme dhe tepër e vështirë të realizohet, veç aspektit kreativ ka pas edhe sfida teknike, të punosh në tri hapësira të ndryshme dhe të njëjtit aktor të lëvizin nga njëra hapësirë në tjetrën në të njëjtën kohë, veç pjesës artistike të duhet të njohësh mirë edhe matematiken, sepse çdo vonesë rrëzon gjithçka që ke ndërtuar. Nëse e njëjta pyetje do më shtrohej derisa kemi përfunduar katër herët e shfaqjes do të përgjigjesha me një po skeptike. Por, pas atyre herëve e kam obligim të them se po, edhe në aspektin përmbajtjesor edhe në aspektin teknik kjo shfaqje ka përmbushur në plotësi pritshmëritë e mia. Nëse diçka mund të kem peng do të doja që ai proces të zgjatej dhe me dy muaj të tjerë pune.

«Objektet fetare janë vendi ideal për ngjarje kulturore, historia dhe gjithçka bartin me vete ato objekte duhet kthehen si reminishencë e kohës dhe të punohet në misionin e teatrit e që është në mos identik, i përafërt me atë që mëtojnë ato institucione»

GE: A parashihet të luhet sërish në të ardhmen?

Mehmeti: Kjo varet shumë nga donacionet që mund t’i sigurojmë, krejt procesi ka përfunduar nga dëshira, vullneti dhe dashuria që ekipi ka pasur për teatrin dhe punën, ndaj në momentin që do të sigurojmë mjete financiare që mundësojnë ta rishfaqim përsëri “Burgun Politik”, atëherë do t’i fillojmë provat që shpejt ta përjetojmë emocionin e njëjtë.

GE: Tek festivali i Teatrove në Ferizaj do të merrni pjesë në kuadër të ‘retroteatrit’. Pse e keni zgjedhur të shfaqni në një objekt fetar, si kisha katolike?

Mehmeti: Është një projekt i veçantë, dhe kjo me ka tunduar që gjithsesi të jem pjesë e kësaj forme te re teatrore. Retro Teatri i cili synon të kthejë në retrospektiv disa monumente të trashëgimisë kulturore, së bashku me formën e teatrit 48 orësh i cili do të vije përmes Festivalit te teatrove në Ferizaj, për mua është një hap i duhur i një festivali i cili veç reprezentimit synon edhe krijim brenda festivalit. Vendi i përzgjedhur është më shumë nga drejtuesit e festivalit. Tashmë jam mishëruar me tekstin “Qëndresë” dhe historinë e shfaqjes në vitin 1995, në një vend alternativë, atëherë në mungesë hapësire, por sot si kërkesë e kohës. Objektet fetare janë vendi ideal për ngjarje kulturore, historia dhe gjithçka bartin me vete ato objekte duhet kthehen si reminishencë e kohës dhe të punohet në misionin e teatrit e që është në mos identik, i përafërt me atë që mëtojnë ato institucione.

GE: Çka mund të na thoni më gjerësisht rreth shfaqjes?

Mehmeti: Vepra “Qëndresë” e autorit Ismajl Rama, bazuar në librin “Martirët e Karadakut” është një vepër historike për nga përmbajtja, por edhe shfaqja e punuar në Ferizaj në vitin 1995. Po ashtu tani është një shfaqje historike, së pari për nga rëndësia kulturore, tutje për nga rezistenca deri në vetëmohim e njerëzve që me çdo kusht mbajtën gjallë shpresën edhe në kohë të errëta historike. Kur sheh personazhet e veprës që kalojnë numrin 36 dhe kur takon personat që kanë punuar atë shfaqje, atëherë rritet motivi të punosh dyfish më shumë në këto kushte që tani i quajmë minimale, e atëherë kanë qenë luks i kohës. Krejt kjo shfaqje, por tani jo më numër dyshifror aktorësh do të tentohet të vijë në po të njëjtin vend si një jehonë e kamotshme që bën thirrje dhe merr kushtrimin, jep mesazhin dhe largon pluhurin që na ka kapluar ndër vite, i trokas mendjes së secilit që vlerat historike t’i rikthejmë e t’i kultivojmë. Tashmë jemi në proces dhe shpresojmë e besojmë që publiku do ta mirëpresë një tendencë për të rikthyer diçka nga vepra madhështore e asaj ekipe të vitit ‘95.

/Gazeta Express