Intervistë / Fatos Berisha: Prifilm ka dhënë rezultate të prekshme në zhvillimin e kinematografisë kosovare - Gazeta Express
string(106) "interviste-fatos-berisha-prifilm-kane-dhene-rezultate-te-prekshme-ne-zhvillimin-e-kinematografise-kosovare"

Arte

Gazeta Express

03/10/2022 16:52

Intervistë / Fatos Berisha: Prifilm ka dhënë rezultate të prekshme në zhvillimin e kinematografisë kosovare

Arte

Gazeta Express

03/10/2022 16:52

Intervistë me regjisorin e teatrit dhe filmit si dhe producentin Fatos Berisha, me rastin e përfundimit të edicionit të 14-të të Prifilmit dhe angazhimit të tij, pas një periudhe të gjatë, në një projekt të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Fatos Berisha është regjisor i filmit, teatrit dhe televizionit. Në vitin 2010 mori titullin Master për regji. Ka vijuar kurse të ndryshme profesionale në Londër, përfshirë atë në Royal Court Theatre në vitin 2000, dhe National School for Film and Television në vitin 2002. Ndërsa në vitin 2004 ai vijoi International Residency, progamin e Ambasadës amerikane për Menaxhimin kulturor. Ka punuar në shumë projekte në teatër, film dhe televizion, duke përfshirë regjinë e mbi 290 episodeve të serialit televiziv shumë të njohur ‘Familja Moderne’, të transmetuar në televizionin publik të Kosovës (RTK). Më 2019, përfundoi filmin e metrazhit të gjatë me titullin ‘Cirku Fluturues’ ku Fatos Berisha ishte skenarist dhe regjisor. Nga 2011-2013 ishte drejtor i Qendrës Kinematografike të Kosovës. Udhëheqës artistik i Teatrit ‘Bekim Fehmiu’ në Prizren, si dhe anëtar i Akademisë Evropiane të Filmit dhe i Parlamentit Kulturor Evropian.

Lexo Edhe:

Filmografi / – ‘Cirku fluturues’, film i metrazhit te gjate, 2019. Premiere në Tallinn Film Festival, Estoni, fitues i çmimit Fabriquede Cinema, Romë 2019; – ‘Tensioni i lartë”, film për televizion, 60 min, për RTK, viti 2007; – Seriali ‘Nina’ për RTSH, sezoni i parë (10 episodi) viti 2021; – ‘Familja Moderne ‘ serial televiziv, prodhimi i RTK-së, nga 2002-2010, regjia e mbi 290 episodeve; – ‘Një ditë pas…’ film i shkurtër, 17 min, pjesëmarrës ne Festivalin 9/11 Prishtine.

Regji teatri / – ‘Makbethi’, Teatri Dodona Prishtine, viti 1996; – ‘Hamleti’ bashkëregjisor me David Gothard, Teatri Kombëtar i Kosovës, viti 2000; – ‘Vdekja dhe vasha’ nga Ariel Dorfman, Teatri Urban & Teatri Kombëtar i Kosovës, viti 2008; – ‘UN Inspektori’ nga David Farr, Teatri i Qytetit Gjilan, viti 2009; – ‘Beselam, pse me flijojnë’ nga Rexhep Qosja, Teatri Kombëtar i Kosovës, viti 2010; – ‘Psikozë n’4:48’ nga Sarah Kane, Teatri Adriana Ferizaj, 2016; – ‘Armiku i popullit’ nga Henrik Ibsen, Teatri i qytetit‘ Bekim Fehmiu’ Prizren, 2017; – ‘At Sergi’ nga Leo Tosltoy, adaptuar nga Shpetim Selmani, Pagan Tiranë dhe Teatri Urban Prishtinë, premiera në Teatrin Kombetar Eksperimental, Tiranetetor 2018;   – ‘Derisa vdekja nuk na ndanë’ nga Nina Horvat, TeatriAdriana Ferizaj, dhjetor 2019, etj.

Intervistoi A. Idrizi

Gazeta Expres: Z.Berisha, sapo ka përfunduar edicioni i 14-të i Prifestit, i cili i është kushtuar themelueses dhe drejtoreshës së festivalit, bashkëshortes suaj të ndjerë, Vjosa Berishës. Për ju personalisht sigurisht ka qenë një përvojë ndjenjash të përziera. Si do ta përshkruanit tash këtë përvojë?

Fatos Berisha: Pikërisht me ndjenja të përziera. Një ndjenjë krenarie që arritëm ta organizojmë edicionin 14 përkundër humbjes së madhe që patëm me ikjen e Vjosës nga kjo botë, dhe në anën tjetër një ndjenjë mërzie dhe zbrazëtie që Vjosa nuk ishte me ne të festojmë së bashku, sic e këmi bërë për 13 vjet me rradhë. Dedikimi për të ishte më e paktë që kemi mundur ta bëjmë, sepse ajo ishte koka dhe zemra e PriFest-it. Me këtë rast dua të falenderoj stafin e PriFest-it për dedikimin dhe angazhimin e madh, si dhe të gjithë ata që na ndihmuan, e që ishin të shumtë, si me përkrahje morale, ashtu edhe me punë vullnetare apo me përkrahje të ndryshme e deri te mbështetësit e sponsorët. Pa ta, do të ishte e pamundur.

GE: Prifilmi është festivali më i madh i filmit në Kosovë. Cilat janë sfidat e organizimit të tij?

F.Berisha: Sfidat janë të shumta dhe nganjëherë më duket se e mërzis edhe veten dhe të tjerët me sfidat dhe problemet që dalin gjatë organizimit të një eventi të tillë. Gjithsesi, është një event i madh një javor, me aktivitete të shumta brenda javës kur mbahet festivalit, por që në të vërtetë kërkon pregaditje një vjetore paraprake. Vitin që vjen besoj do ta kemi pak më lehtë, së paku në aspektin e mbështetjes financiare si sfidë më e madhe, sepse Ministria e Kulturës ka ndryshuar qasjen e mbështetjes së festivaleve dhe organizatave të pavarura kulturore, duke mbështetur programet vjetore e jo vetëm eventin.

GE: Cili është në të vërtetë roli i një festivali, ndikimi i tij në inkurajimin, zhvillimin dhe përhapjen e filmit?

F. Berisha: Festivali i filmit, kuptohet kur është i mirë, është pjesë përbërëse e zhvillimit të industrisë së filmit të një vendi, por edhe më gjer. Te ne festivalet e filmit kanë ndikuar për të mirë në shumë aspekte. Së pari në ofrimin e filmave audiencës vendore në kohën kur nuk kishte fare kinema në Kosovë. Pastaj, në rrjetizimin e kineastëve vendorë me ata ndërkombetarë, e në rastin e PriFest-it edhe me platformën e vecantë për industrinë filmike PriForum-Prishtina Film Forum, si vendtakim i kineastëve kosovarë me ata të rajonit dhe Europës, si dhe mbajtjen e punëtorive, trajnimeve, prezantimit të projekteve që nga faza e skenarit, takimeve me programer të festivaleve të rëndësishme botërore, takimet me producentë, distributorë e kasting agjentë. E gjithë kjo ka kontribuar edhe në promovimin dhe zhvillimin e kinematografisë kosovarë, dhe rezultatet janë të prekshme tani.

GE: Ju jeni regjisor filmi dhe teatri. Filmi juaj ‘Cirku fluturues’, skenarin e të cilit po ashtu e keni bërë vetë, është prezantuar në disa prej festivaleve më të vlerësuara në botë, si ai në Tallin të Estonisë. Ndërkohë, si është pritur në Kosovë.

F. Berisha: Cirku Fluturues pati një fillim shumë të mirë duke pasur premirën botërore në kategorinë kryesore garuese në festivalin e Talinn-it, që është festival i kategorisë A. Më pastaj kishte një udhëtim të mirë në festivale ndërkombëtare, duke fituar edhe cmime, si në Santa Barbara (USA), Cottbus (Gjermani), Sofia (Bullgari), Ëar on Screen (Francë), Monaco Film Festival etj. Por, e pati fatin e keq që në ditën kur duhej të shfaqjes në gjitha kinematë e Kosovës ndodhi mbyllja totale për shkaqe të pandemisë, pra më 12 mars 2020. Më pastaj, pas pandemisë u shfaq në kinema, por me kapacitete të kufizuara, kështu që nuk pati numrin e dëshiruar të shikuesve. Së fundi, në mbyllje të PriFest e shfaqën si In Memoriam për nder të Vjosës që ishtë producente e filmit, dhe salla e Kino Armatës ishte përplot, shumica e njerëzve që nuk e kishin parë më herët. Andaj, disi u mbyll rrugëtimi i filmit nëpër kinema në mënyrë simbolike, me shumë shikues, e fatkeqësisht pa producentën Vjosën.

GE: Meqë filmi bazohet në një ngjarje të vërtetë, a mund të na tregoni pak për historinë e asaj historie? Pastaj, si ju erdhi ideja e filmit?

F. Berisha: Është skenar i bazuar në një përvojë timen gjatë një udhëtimi në të cilën mora pjesë. Baza e skenarit është ai udhëtim për në Shqipëri në kohën e paraluftës, por që është mbindërtuar pas një punë shumëvjecare që kemi pasur bashkë me Vjosën si producente në punëtori të shumta ndërkombëtare dhe me ekspertë ndërkombëtarë të skenarit.

GE: Megjithatë, ju keni një përvojë shumë më të pasur në regjinë e teatrit. Keni vënë në skenë ndër të tjera edhe autorë të rinj, tendenca të reja teatrore, siç është për shembull rasti me dramaturgen Sarah Kane, që njëkohësisht tregojnë shijen tuaj të përzgjedhjes. Si i qaseni një teksti teatror? Çka ju nxit së pari që të vendosni ta vini në skenë?

F. Berisha: Nuk di të jap përgjegjen e saktë lidhur me përgjigjen e tekstit, sepse janë disa komponente që ndikojnë, së paku tek unë. Për ta shpjeguar këtë ndoshta mund ta marr një shembull të një teksti të cilin e kam punuar në vitin 2014, ‘Shopping and Fucking’ nga autori britanik Mark Ravenhill. Për herë të parë e pata lexuar në vitin 2000, kur isha në rezidëncë në Royal Court Theatre në Londër e ku edhe e takova autorin e tekstit. Dhe edhe pse isha tejet i fascinuar dhe i shokuar si me përmbajtjen e tekstit por edhe mënyrën e shkrimit, që për mua ishte dicka e re, mendova se nuk ishte koha e duhur të vihet në skenë në atë vit apo edhe një vit më vonë. Pra, duhej të vinte momenti dhe teatri i duhur, e ai erdhi shumë më vonë, 13 vjet më pas si bashkëprodhim i Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe Teatrit Urban Prishtinë.

GE: Çfarë mund të na thoni për këtë gërshetim të punës suaj regjisoriale, përkatësisht kalimit prej teatrit në film dhe anasjelltas?

F. Berisha: Për mua është një gjë e natyrshme puna në teatër dhe në film, biles do ta shtoja edhe në televizion. Dhe gjersa filmi merr shumë kohë për realizim, e besa edhe serialet televizive, teatri për mua mbetet hapësira ku unë ushtroj me shumë pasion  zejen e regjisë, e cila po nuk u aplikua me rregull, edhe harrohet.

GE: Ndërkohë jemi duke punuar në një shfaqje të re, për Teatrin Kombëtar të Kosovës, komedinë e Çajupit, ‘Pas vdekjes’. 

F. Berisha: Po, kemi filluar pregaditjet për shfaqjen “Pas vdekjes” të bazuar në veprën e Cajupit, por të cilën do ta përpunojmë. Në fakt, këtë është duke e bërë poeti, aktori dhe dramaturgu Shpëtim Selmani. Jam i lumtur që do të punoj përsëri në teatër me aktorin Armond Morina me të cilën kam punuar shumë në projekte të ndryshme filmike e televizive, por në teatër ka një kohë të gjatë.

GE: Ndonjë projekt tjetër të ardhshëm?

F. Berisha: Shpresoj menjëherë pas vitit të ri të realizoj një shfaqje të re në Teatrin Shqiptar në Shkup, një tekst interesant të autorit boshnjak Almir Bashoviq. Ndërsa në film shpresoj të fillojmë xhirimet e filmit ‘Gruja e shpisë’ të cilin sikurse edhe PriFest-in do t’ia dedikojmë Vjosës.

/Gazeta Express