Intervistë me Eshref Qahilin, piktor dhe profesor në Fakultetin e Arteve, njëherit edhe themelues i galerisë private, Galeria Qahili
Eshref Qahili ka diplomuar në Akademinë e Arteve Figurative – Dega e Pikturës në vitin 1983, në Prishtinë në klasën e profesor Rexhep Ferrit. Gjithashtu, ai ka marrë një diplomë master nën të njëjtin tutor në vitin 1997.
Eshref Qahili ka pasur mbi 15 ekspozita personale në vend dhe ndërkombëtar. Për më tepër, ai ishte pjesë e mbi 70 ekspozitave kolektive/grupore dhe rezidencave të ndryshme si dhe prezantimeve. Ai ka marrë një sërë çmimesh me kalimin e kohës.
Veprat e tij artistike përfaqësojnë tema të ndryshme, duke përfshirë atë të kujtesës kolektive, çështjeve sociale, historisë dhe fëmijërisë. Përdorimi i stilit abstrakt i mundëson Eshref Qahilit të ndajë imagjinatën e tij përmes përdorimit të ngjyrave të cilat në shumicën e rasteve kombinohen me kolazh. Prandaj, ai njihet duke përfaqësuar detaje specifike të jetës së tij me përdorimin e goditjeve të trasha të furçave.
Në vitin 2013 ai themeloi një nga galeritë e para private të artit në Prishtinë, Kosovë- Galeria Qahili e cila menaxhohet nga vajza e tij, Nita Qahili.
Intervistoi: Donjeta Abazi
Gazeta Express: Në ekspozitën ‘Muzeu i fëmijërisë’, ani pse na paraqitet jeta e përditshme në tri fazat jetësore, do të donim të ndaleshim te punimet që paraqesin periudhën e fëmijërisë. Si i perceptoni ndjesitë e asaj periudhe kohore, si ka ndikuar ajo periudhë në punën tuaj artistike?
Eshref Qahili: Ekspozita Muzeu i Fëmijërisë tregon atë periudhë të jetës sime ku të gjithë kemi qenë fëmijë e vitrinat kanë qenë ndër pjesët që i ke parë në çfarëdo vendi që ke vizituar. Në anën tjetër i prezanton ato lojëra që kanë nxitur një energji pozitive e vullnet të pandalshëm për të fituar. Është një ekspozitë, një cikël punimesh, një seri punimesh që reflektojnë nostalgji, endje e kërkesë. Në anën tjetër është një kujtim i fëmijëve të mi gjatë periudhës së dhjetvjeçarit të tyre ku ka të bëjë me një ndjenjë që nuk mund ta shpjegosh në detaje, por mund ta kujtosh, nuk mund ta kthesh por mund ta përjetosh.
G.E: Në 2023 ju vizituat Shkupin me ‘Muzeun e Fëmijërisë’, a do të ketë destinacione tjera që do t’i vizitojë kjo ekspozitë?
E.Q: Deri më tani pjesë të këtyre punimeve janë prezantuar nëpër vende të ndryshme të botës. Fillimisht ka qenë në Paris, e që ka vazhduar me pjesëmarrje me vepra specifike në ekspozita kolektive. Por, po është një ekspozitë që pritet të udhëtojë edhe nëpër vende të tjera. Jo domosdoshmërisht me të gjitha punimet e prezantuara si në Galerinë Qahili apo në Muzeun Çifte Hamam të Shkupit, por pjesë të ndryshme të saj.
G.E: Keni mbajtur ekspozita personale e kolektive, brenda e jashtë Kosovës, jeni nderuar ndër vite me çmime. Në vendin tonë ka një peripeci të padiskutueshme në jetën e një artisti, ka të bëjë me vendet e vogla ky problem, apo thjesht mungon ndërgjegjja kolektive mbi artin dhe artistin?
E.Q: Të qenit artist është çdoherë një sfidë në vete. Është një sfidë që shpesh të shkakton probleme, e ndoshta ndonjë të shtyn me një univers tëndin, që është mjaftë vështirë të dalësh, por në anën tjetër, në atë univers e gjen gjuhën për të cilën ti do të transmetosh në materialin që do të përdorësh për krijimin e veprës tënde. Ndoshta ndonjëherë ka të bëjë me luftën me unin tënd si artist. Por, ndoshta vlen edhe ana e informimit të jetës së një artisti.
G.E: Në Galerinë ‘Qahili’ shpesh u jepet mundësi artistëve të rinj ta promovojnë veten dhe punën e tyre. Cili është potenciali artistik i tyre dhe a po marrin shtytjen që u nevojitet?
E.Q: Qëllimi i Galerisë Qahili është promovimi i artit në vend të artistëve vendor, qofshin ata të rinj apo që tashmë kanë një karrierë të tyren. Në anën tjetër promovimi i artistëve ndërkombëtarë. E me anë të kombinimit të këtyre dy elementeve të bëhet shkëmbimi dhe krijimi i urave lidhëse dhe rritjes së kapitalit shoqëror. Për 10 vite që është hapur galeria, kemi parë një potencial të jashtëzakonshëm. E mira e kësaj është se janë artistë të cilët në mënyrë të pandalshme janë në shfrytëzim të mundësive që iu ofrohen por edhe kërkimit për të zhvilluar karakterin e tyre si artistë. Është një proces në të cilin artisti gjendet çdoherë, e gjatë këtij procesi shpeshherë nevojitet shtytja, mbështetja nga rrethi që e ka. Por, është diçka që ka nevojë për zhvillim të mëtejmë, pasi që edhe vetëm ka hapësirë për intervenim.
G.E: ‘Hijet e Bardha Blu’, ekspozita kolektive tashmë tradicionale në Galerinë Qahili…
E.Q: Hijet e Bardha është një ekspozitë kolektive që organizohet për nder të festave të fundvitit dhe të festohet me art me artistët e artdashësit. Është një ekspozitë që na mundëson të kërkojmë forma të ndryshme të ekspozimit, të prurjes së bashku të artistëve për të festuar bashkë me artdashësit gjithnjë duke i sfiduar me temat që trajtohen.
G.E: Si e shihni evoluimin e artit në Kosovë në periudha të ndryshme, a ka pasur një pikë kyçe në të cilën arti pamor tek ne ka prekur majat?
E.Q: Arti në Kosovë është zhvilluar bukur shumë gjatë viteve të fundit. Një evoluim që ka ndikuar është edhe nga kushtet e ofruara në shoqërinë tonë qofshin ato pozitive apo negative. Çdoherë kur vjen një gjeneratë e re e gjen pikën e tyre të zhvillimit kulmor, e kjo pastaj ndikon se sa punon për të mbajtur artisti atë, për të qenë një hap me kohën. Një hap me kohën jo në aspektin të kopjohet arti i ndonjë artisti tjetër, por në aspektin që të jetë i informuar dhe të ofrojë diçka të veçantë që të dallojë nga artistët e tjerë.
G.E: A mungojnë hapësira për promovimin e artisteve dhe si e shihni punën e institucioneve përkatëse në këtë fushë, a po bëhet mjaftueshëm?
E.Q: Hapësira për promovim të artistëve është një diskutim i vazhdueshëm. Është një faktor që çdo here nevojitet dhe për artin, artistin e komunitetin asnjëherë nuk duken që janë të mjaftueshme, e kjo si një element pozitiv i shtyn përpara institucionet të nivelit qeveritar, lokal e edhe privat për të krijuar mundësi e ofruar mundësi.
G:E Cilat janë synimet për ekspozitat e ardhshme?
E.Q: Unë tashmë e kam një karrierë të artistit prej 40 vjet e plani për vazhdim të zhvillimit tim e ekspozim të punës sime. Të jesh artist, është një punë e vazhdueshme, je çdoherë në kërkim të sfidës së ardhshme që do të tejkalosh.
Këtë vit, më specifikisht në pjesën e dytë të vitit, pritet të filloj realizimin e projektit të ri ku do të prezantohen disa hapa specifikë dhe vende specifike të rrugëtimit tim në vitet e para të kyçjes në botën e artit e që lidhet edhe me ekspozitën Muzeu i Fëmijërisë.
/Gazeta Express