string(67) "interviste-ag-apolloni-koha-na-mitizon-ose-na-parodizon-te-gjitheve"

Arte

Gazeta Express

23/11/2022 14:37

Intervistë / Ag Apolloni: Koha na mitizon, ose na parodizon të gjithëve

Arte

Gazeta Express

23/11/2022 14:37

Intervistë me Ag Apollonin rreth romanit të tij më të ri, Kësulëkuqja – përrallë për të rritur, botuar nga Bardbooks

Ag Apolloni (1982) është shkrimtar, studiues dhe profesor në Universitetin e Prishtinës. Ka botuar veprat: Zomb, Ulurima e ujkut, Zazen, Hamleti simbas Horacit, Mesjeta ime, Sandalet e Senekës, Një fije shprese, një fije shkrepëse. etj. Veprat e tij janë përkthyer në disa gjuhë dhe janë shpërblyer me disa çmime.

Së fundmi Apolloni ka botuar romanin Kësulëkuqja – përrallë për të rritur, pranë shtëpisë së vet botuese Bardbooks.

Intervistoi: Arben Idrizi

Gazeta Express: Z. Apolloni, romani juaj i më i ri, Kësulëkuqja, mban një nëntitull gati se shfajësues, por po ashtu edhe tundues: përrallë për të rritur. Thua se lexuesin – atë hipokrit – duhet bindur me druajtje.

Ag Apolloni: “Kësulëkuqja” është ndër përrallat më të famshme në botë. Si titull më dukej i stërpërdorur (në folklor, në teatër, në film), prandaj mendova se duhej të bëja një nëntitull si ftesë për lexuesin e rritur. Nuk ia kam ndërruar zhanrin, por vetëm destinacionin e moshës. Kur një përrallë e tillë i drejtohet lexuesit të rritur, atëherë nuk mund të shmangen shenjat e ngacmimit estetik dhe etik: estetik, sepse jepet si version i ri i një përralle të vjetër; etik, sepse ka shumë referenca mbi seksualitetin (striptizi, pedofilia, përdhunimi, sadomazohizmi etj.). Pra, nëntitulli është një “vërejtje” që i bëhet lexuesit para se të hyjë në tekst, në mënyrë që të mos skandalizohet.

GE: «Koha na bën përrallë të gjithëve». Tingëllon si një sentencë gijotine. Ndoshta më butë, thjesht si një proverb. S’e ke dëgjuar kurrë, por posa ta dëgjosh të bëhet sikur e ke pasur gjithmonë maje gjuhe. E gjithë e vërteta, Historia, pastaj do të jetë vetëm një përrallë?

Apolloni: Më pëlqejnë konotacionet që keni nxjerrë nga kjo frazë, e cila nënvizon rolin e kohës mbi jetët tona. Jeta jonë është vetëm një shfaqje në kohë, një shfaqje që distanca kohore e bën përrallë. Kjo shprehje lidhet edhe me idiomën “u bë përrallë”, por duke i mbivendosur kuptime të reja. Koha na mitizon, ose na parodizon të gjithëve. 

«Kjo përrallë kërkon një lexues niçean që kërkon ta tejkalojë vetveten»

GE: Në pyllin magjik të tregimtarisë, ujku i Kësulëkuqes tuaj është Ujk disident. Në të vërtetë, është një ujk i mençur, i urtë, simbol – të themi kështu – i profesorit, urtakut, shkuar më tej: i euriditit. E ndoshta nuk e teprojmë po shtuam edhe: i burrit joshës – jo një seks simbol në kuptimin modern të shprehjes, por më tepër një person aurës magjepsëse të të cilit nuk mund t’i bëjë ballë asnjë kësulëkuqe.

Apolloni: Ujku është një figurë që lidhet me shkollën, me dritën e dijes, me liceun. Nëpërmjet dijes hiqet frika, prandaj kemi dijen si një tërheqje seksuale. Ujku im është një ujk në pritje, më shumë sesa një ujk në pritë. Ai nuk i del në pritë Kësulëkuqes (është kjo që e ngacmon dhe e fut në lojë Ujkun), por është në pritje të kohës së tij, në pritje të asaj kohe që do ta refuzojë nënshtrimin dhe do ta zgjojë jehun e egërsisë brenda nesh. Në këtë kuptim, kjo përrallë kërkon një lexues niçean që kërkon ta tejkalojë vetveten.

«Unë i kthehem modelit paramesjetar, kur ujku ishte një ndërmjetës mes njerëzve dhe perëndive. Dhe ky ujk, që e sheh se Mesjeta s’ka mbaruar as në shekullin 21, pret kohën e vet»

GE: Do të mund të shihej edhe si një ujk urban? Ndoshta, në njëfarë mënyre, një pasardhës i atij të stepës?

Apolloni: Ujku i stepës është krijuar sipas modelit të personazhit të tëhuajësuar dostojevskian. Mirëpo, para këtij modeli letrar ishte modeli real i lykantropit, të cilin shoqëria besëtyte e Mesjetës e demonizoi dhe, për pasojë, e persekutoi dhe e ekzekutoi. Unë i kthehem modelit paramesjetar, kur ujku ishte një ndërmjetës mes njerëzve dhe perëndive. Dhe ky ujk, që e sheh se Mesjeta s’ka mbaruar as në shekullin 21, pret kohën e vet. Ai është një ujk i sëmurë, një ujk që po plaket, por që nuk tërhiqet nga qëllimi i tij, se siç thotë një fjalë e urtë, ujku qimen e ndërron, por zanatin s’e harron. Sigurisht, ky është ujk urban, një ujk mes nesh, apo ndoshta njëri prej nesh.

«Unë i marr faktet dhe ua jap formën e fiksionit. A do t’i bëjë koha përrallë këto histori tragjike, këtë s’mund ta dimë ne, duhet t’ia lëmë kohës»

GE: Supozohet që edhe historia e Kësulëkuqes të jetë një histori përdhunimi. Ju keni përdorur artin kombinatorik te Kësulëkuqja juaj po ashtu për t’i trajtuar përdhunimet seksuale në luftën e fundit, për të cilat një kohë të gjatë, për arsye të ndryshme, është heshtur. Si për ta sfiduar atë heshtje, mbase edhe atë pamundësi rrëfimi, përralla vjen si një zgjidhje ideale, e një fuqie të pamohueshme artistike?

Apolloni: Sipas disa studiuesve, që i komenton edhe folkloristja Maria Tatar, Kësulëkuqja është një përrallë e përdhunimit. Në anën tjetër, kontinenti ynë mban emrin e një femre të përdhunuar nga perëndia. Kështu, u lidh edhe linja e përdhunimeve të luftës. Dua të sqaroj se historitë e përdhunimeve të luftës që jepen në këtë roman janë të vërteta, unë kam bërë vetëm ndërhyrje stilistike, duke i përpunuar në makinën time retorike. Pra, i marr faktet dhe ua jap formën e fiksionit. A do t’i bëjë koha përrallë këto histori tragjike, këtë s’mund ta dimë ne, duhet t’ia lëmë kohës.

«Nëse politika s’ka aq pushtet sa për ta shndërruar armikun në mik, atëherë le të merret mësimi historik që thotë “ta bëjmë armikun mik”, ose atë biblik që na mëson ta duam armikun tonë»

GE: Duke qenë pra se romani flet edhe për luftën, përkatësisht pasojat e saj, kam veçuar edhe një replikë, për fund, që konsideroj të jetë me rëndësi: «Ne s’duhet të mbajmë armiqësi në të ardhmen për shkak të luftës në të kaluarën. Dhe këtë duhet ta kuptojmë në të tashmen». Kush janë ata ne që duhet ta kuptojn/më këtë në të tashmen? Apo më mirë, kush janë ata ata konkretisht që në të vërtetë nuk po e kuptojnë këtë, që ndoshta në të vërtetë nuk duan ta kuptojnë këtë?

Apolloni: Ju keni nxjerrë një frazë nga kapitulli më politik i romanit, dhe keni nxjerrë pikërisht frazën çelës, të cilën e thotë Dramaturgu (shqiptar) teksa pi birrë me Regjisorin (shqiptar) dhe Aktorin (serb). Pra, “ne” janë ata (shqiptarë dhe serbë) që e rrezikojnë të ardhmen e tyre, nëse nuk e kuptojnë domosdoshmërinë e pajtimit. Natyrisht, pajtimi vjen si rezultat i lëvizjes së dy palëve. Nëse politika s’ka aq pushtet sa për ta shndërruar armikun në mik, atëherë le të merret mësimi historik që thotë “ta bëjmë armikun mik”, ose atë biblik që na mëson ta duam armikun tonë. E kuptoj që në politikë duket skandaloze, por kjo është një mënyrë për të treguar epërsi ndaj tjetrit.

/Gazeta Express

aaaaa