Intervista/ Vjollca Aliu: Muzeu Kombetar i Kosovës të pavarësohet, por jo pa kuadër ligjor, profesional dhe mjete të nevojshme buxhetore - Gazeta Express
string(132) "intervista-vjollca-aliu-muzeu-kombetar-i-kosoves-te-pavaresohet-por-jo-pa-kuader-ligjor-profesional-dhe-mjete-te-nevojshme-buxhetore"

Intervista/ Vjollca Aliu: Muzeu Kombetar i Kosovës të pavarësohet, por jo pa kuadër ligjor, profesional dhe mjete të nevojshme buxhetore

Arte

Donjeta Abazi

17/11/2023 18:16

Intervistë me Vjollca Aliu, zv. Drejtoreshë në Muzeun Kombëtar të Kosovës

Intervistoi Donjeta Abazi

Lexo Edhe:

Gazeta Express: Muzeu Kombëtar i Kosovës, njëri prej institucioneve më të rëndësishme kulturore në vend, është pa drejtor prej kohësh. Kur pritet të zgjidhet?

Vjollca Aliu: Nga muaji mars, më saktësisht nga data 8 mars e këtij viti e ushtroj detyrën e zëvendësdrejtoreshës së Muzeut Kombëtar të Kosovës. Unë besoj që do të hapet konkurs për zgjedhjen e drejtorit të Muzeut dhe njëherit Ministria e Kulturës do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm ne përputhje me legjislacionin në fuqi, në mënyrë që Muzeu Kombëtar i Kosovës të ketë drejtor.

Vjollca Aliu zv drejtoreshe e Muzeut Kombetar

GE: Rikthimi i 1200 objekteve/artefakteve të rëndësishme për trashëgiminë kulturore të Kosovës, është një temë shumë e përfolur tash e sa vite, cilët janë hapat konkret që po ndërmerren në këtë drejtim?

V. A:. Flasim për një numër te artefakteve të cilat janë marrë dhe për të cilat ka dokumentacion-Librat e revesit dhe janë eksponatet më të rëndësishme respektivisht më të veçanta të fondit muzeor të Muzeut Kombëtar të Kosovës. Janë  676 artefakteve që i takojnë pjesës së trashëgimisë arkeologjike dhe 571 eksponatet në fushën e trashëgimisë etnologjike.

GE: A posedoni ju të dhëna të sakta, regjistra për këto artefakte?

V. A.: Po, sigurisht.

GE: Cilët janë hapat konkret që po ndërmarrën në kthimin e tyre?

V. A.: Unë për këtë periudhë nuk mund të deklaroj diçka  konkrete dhe kur them kështu mbaj përgjegjësi, nuk është kërkuar dhe nuk është deleguar ndonjë detyrë ose përgjegjësi drejtpërdrejt në Muzeun Kombëtar, por po besoj që në kohën e duhur kur mund të ketë diçka më konkrete atëherë Muzeu apo Ministria e Kulturës do t’i bëjë publike. Mund të rikujtoj dy kërkesa të cilat kanë qenë te adresuara më herët por periudhën në të cilën po flasim aktualisht nuk mund të deklaroj diçka më konkretisht.

GE: Cilat janë problemet tjera me të cilat ballafaqohet muzeu momentalisht?

V. A.: Ndoshta nuk mund të flasim për probleme, do ta orientoja temën kah zgjidhjet duke filluar nga aspekti i legjislacionit, qoftë legjislacioni primar dhe sekondar. Muzeu Kombëtar i Kosovës aktualisht veprimtarinë e tij e bazon edhe në ligjin për Institucionet e Kulturës edhe në Ligjin për Trashëgimi Kulturore dhe aktet tjera nënligjore. Muzeu, gjithashtu ka statutin përmes të cilit e ushtron veprimtarinë. Gjatë kësaj periudhe, prioritet mbetet përfundimi i Rregullores për organizmin e brendshëm për Muzeun, përshkrimi i detyrave për stafin profesional dhe teknik/mbështetës si dhe klasifikimin e vendeve të punës. Ky është një  detyrim që rrjedh edhe nga korniza e re ligjore e cila tanimë ka hyr në zbatim. Konsideroj që kjo është një pikë kyçe sa i përket funksionimit të Muzeut Kombëtar të Kosovës, institucionin e nivelit qendror në Republikën e Kosovës.

GE: A është duke u bërë digjitalizimi?

V. A.: Konsideroj që është jetike që ky institucion që është një nga institucionet kryesore në Republikën e Kosovës për fushë veprimtarinë e Muzeologjisë, duhet të përmbyllë disa procese. Duhet të përmbushë disa nga detyrat dhe obligimet ligjore në përputhje edhe me legjislacionin që e kemi tani në fuqi dhe kjo nënkupton, inventarizimin e të gjithë fondit muzeor që aktualisht e ka në dispozicion, kjo nuk do të thotë që nuk ka ndodhur më herët, nuk do të thotë që nuk ka pasur angazhim nga menagjmentet e kaluara, por mendoj rirenditja e prioriteteve e ka një rëndësi të jashtëzakonshme. Dua të besoj që kjo rirenditje tani është prioritet i Ministrisë së Kulturës dhe Muzeut Kombëtar. Krahas kësaj, ne jemi në pritje të inicimit të procedurës për projektin e renovimit të Muzeut Kombëtar të Kosovës që nënkupton, ndërtesën në tërësi duke përfshirë dhe hapësirën e jashtme. Brenda ndërtesës edhe ruhet edhe prezantohet fondi muzeor. Renovimi i ndërtesës do të hapë një perspektivë të re për këtë institucion, për kolegët këtu që punojnë për më shumë së dy dekada. Të riregjistrohet fondi i Muzeut të trajtohet njëkohësisht dhe përfundimisht krahas renovimit të hapësirave të dilet edhe me një dokument, në formë të regjistrit  nacional si inventar i përgjithshëm i fondit të Muzeut Kombëtar te Kosoves. Fondi, në këtë rast, nënkupton edhe fondin e kompleksit etnologjik ‘Emin Gjiku’, që administrohet drejtpërdrejt nga Muzeu, administrohet po ashtu edhe Muzeu Shtëpia e Pavarësisë ‘Ibrahim Rugova’. Fondi i tyre duhet të ketë një regjistër të plotë.

GE: Sa është numri i vizitorëve brenda këtij viti në Muze?

V. A.: Mund të flas për statistika nga janari i këtij viti sepse mund të jem shumë selektive nëse flas nga marsi kur kam pranuar detyrën, sepse kjo është shumë pak e rëndësishme. Numri i vizitorëve në Muze dhe në kompleksin Emin Gjiku, si  dy ndërtesat më të vizituara, eshët numër qe ritet vazhdimisht dhe ka vizitore nga te gjitha grup moshat. Theksin do ta vendos tek kompleksi Emin Gjiku, sepse aktualisht nuk ka ekspozitë, ndërtesa është rinovuar vitin e kaluar por megjithatë për shkak të kompleksit, të vlerave dhe të arkitekturës kompleksi dhe Muzeu vazhdojnë të mbesin nder objektet më të vizituara në kryeqytet.

Vizitohet Muzeu i Kosovës por në një mënyrë apo tjetër vizitohet Lapidariumi, Kompleksi Emin Gjiku dhe Shtëpia e Pavarësisë Dr.Ibrahim Rugova. Ne vazhdimësi ka patur vizita, këtë e kam përcjellë edhe në kohën kur kam punuar ne ministri. Ka pasur dhe ka vizita nga delegacione të ndryshme, vendore dhe ndërkombëtare.

Mendoj që aq sa na bëjnë krenar vizitat, aq më shumë na bëjnë dhe mbajnë përgjegjës për ruajtjen, prezantimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore të luajtshme rrjedhimisht të fondit që prezanton Muzeu Kombëtar i Kosoves dhe tjerat qe administrohen.

Grup moshat që vizitojnë Muzeun Kombëtar të Kosovës janë nga parashkolloret e deri tek studiuesit dhe hulumtuesit.

GE: Edhe shfaqja ‘Babai dhe Babai’  gjithashtu luhet në Emin Gjiku, kjo ndikon në numrin e vizitorëve…

V. A.: Po, ka qenë shfaqja që ndoshta në një mënyrë e ka inauguruar përfundimin e punimeve ne ndërtesën kryesore.

Ka zgjuar një interes të jashtëzakonshëm. Përtej rëndësisë dhe mesazhit që kjo shfaqje ka dhënë është një lloj vlerësimi qe në këtë kompleks vazhdojnë të organziohën dhe aktivitete tjera. Ashtu si ka ndodhur dhe më herët.  Krahas kësaj shfaqje është prezantuar dhe historia e Nënës Ferdonije ( Ferdonije Qekezi nga Gjakova). Të dy këto aktivitete e kanë shenjëzuar  kompleksin Emin Gjiku, jo rastësisht mbetet kompleksi me i vizituar. Shfrtyezoj qe ti falënderoj per përzgjedhjen qe kane bere, qe aktivitetet e mbahen ne ketë kompleks.

GE: Sfidat e Muzeut?

V. A.: Muzeu Kombëtar ka sfida. E përmenda ndërtesën, kompleksitetin në kuptimin e renovimit, këtu flasim edhe për renovimin e hapësirave administrative ku aktualisht punon stafi profesional dhe teknik,  për hapësirat e depove dhe laboratorëve të cilat për një kohë të gjatë nuk iu nënshtruan një renovimi të domosodoshëm. Ka hapësirë për përmirësime. Në anën tjetër krahas zhvillimit të fushës së muzeologjisë mendoj që Muzeu Kombëtar ka nevojë për numër tjetër (shtesë) të stafit profesional dhe e potencoj këtë sepse duhet  arritur disa objektiva, duhet të plotësohen disa detyrime dhe dua të besoj që këto detyrime Muzeu Kombëtar nuk ka mundësi t’i arrijë i vetëm por normalisht me mbështetje edhe të Ministrisë së Kulturës. Sigurisht që ka edhe sfida tjera por renovimi i ndërtesës, trajtimi i fondit rrjedhimisht plotësimi i disa detyrimeve ligjore që Muzeu krahas disa prioriteteve tjera nuk i ka arritur t’i përmbushë deri tani. Kërkohet një angazhim jashtëzakonisht i madh në arritjen /përmbushjen e këtij qëllimi.

GE: Çfarë po ndodh me laboratorin?

V. A.: Këtu ka disa faktor që ndërlidhen me çështjen e laboratorit. E para është funksionimi i plotë Muzeut Kombëtar, nuk është se laboratori nuk funksionon për çështje specifike por për ta përmbushur Muzeu detyrimin e tij ligjor konsideroj që ka nevojë për shumë avansime të tjera. Kërkohet staf shtesë-kuadër profesional, pajisje dhe materiale të punës. Me atë që aktualisht është në dispozicion mund të përmbushë vetëm disa nevoja.

Një çështje tjetër që mendoj se do të duhej të preokuponte Muzeun Kombëtar, menagjmentin por edhe stafin profesional, bashkëpunëtorët profesionalë janë çështjet e ekspozitave. Aktualisht në Muze e kemi të hapur një ekspozitë që është e ndarë në pavijone, vizitohet, por konsideroj që në përputhje me vizionin dhe mandatin ekspozitat në Muze (po flas për ekspozitat me karakter të përhershëm) duhen t’i nënshtrohen një rikonceptiimi duke përfshirë shumë elemente, shumë fusha. Kjo vlen edhe për kompleksin Emin Gjiku edhe për Muzeun ‘Shtëpia e Pavarësisë’, pavarësisht që fushëveprimi i ndërtesës së fundit që e përmenda mund të jetë tepër i ngushtë por e kemi  obligim edhe ligjor edhe ndaj publikut që të prezantojmë në mënyrën më të mirë, ka fonde dhe ka potencial mbi të gjitha kemi histori që na bën krenar.

GE: Si funksionon planifikimi i buxhetit, a ka nevojë për rishikim?

V. A.: Mendoj që nga përvoja ime, edhe në Ministrinë e Kulturës, ka pasur viteve të fundit disa përpjekje për pavarësinë e institucioneve qendrore, por pse jo edhe atyre në nivel lokal, tanimë janë marrë disa veprime por nëse flasim për rritje të buxhetit (kjo mund të jetë njëra nga çështjet kryesore që do të duhej ta ndihmonte institucionin), krahas kësaj mendoj që duhet të ndërmerren edhe disa veprime tjera edhe në pavarësinë e institucioneve të kulturës dhe trashëgimisë kulturore. Duhet të plotësohen edhe vendet e punës, nëse Muzeu Kombëtar në këtë rast do ta këtë edhe pavarësinë buxhetore (pavarësia buxhetore nuk nënkupton që Muzeu mund të realizojë aktivitete të cilësdo natyrë, sigurisht që duhet t’i nënshtrohet një rregullative ligjore) e rregullativa ligjore duhet të pasurohet me resurse humane, kështu që njëra pa tjetrën nuk e kanë asnjë kuptim. Në anën tjetër do të doja ta shihja edhe Muzeun të pavarur por jo pa plotësimin e këtyre dy komponentëve sepse njëra pa tjetrën nuk mund të funksionojnë.

GE: Cili është bashkëpunimi mes Muzeut dhe Ministrisë së Kulturës?

V. A.: Muzeu në strukturën e tij organizative ka Këshillin drejtues dhe  këshill profesional. Nuk mund të flas për bashkëpunimin por do të flas për plotësimin dhe përmbushjen e detyrimeve ligjore që kemi secili karshi një mekanizmi që ka mandat dhe përgjegjësi t’i përmbush detyrat e veta.

GE: Cilat janë bashkëpunimet e Muzeut?

V. A.: Kohëve të fundit është shumë aktual shqyrtimi i projektligjit për artin dhe kulturën, një nismë ligjore e iniciuar nga Ministria e Kulturës që flet edhe për reformën edhe për administrimin, funksionimin e këtyre institucioneve, Muzeu e ka një bazë ligjore tek ligji për institucionet e kulturës dhe ligji për trashëgimi kulturore. Është hartuar një raport që flet për themelimin dhe zhvillimin e Muzeve dhe ndoshta në të përgjithshme per muzeologjisë në Kosovë.

E vlerësoj qysh edhe më herët komunikimin e Muzeut Kombëtar me institucionet tjera qofshin në nivelin qendror qofshin në nivelin lokal por edhe nga jashtë Kosovës. Besoj që muzeologjia në përgjithësi në Republikën e Kosovës dalëngadalë mund të marrë vendin e merituar krahas gjithë këtyre nismave. Jam e vetëdijshme që Republika e Kosovës ka shumë prioritete por njëra ndër to është ruajtja, prezantimi dhe promovimi i trashëgimisë kulturore.

Sa i përket bashkëpunimeve në nivel ndërkombëtar, Muzeu Kombëtar ka pasur mjaft bashkëpunim edhe më herët. Muzeu renditet si njëri ndër institucionet që përveç rolit ka bërë më të mirën në rrethanat në të cilat ka funksionuar. Theksojmë bashkëpunimet me institucionet e Francës me Muzeun e Saint- Germain, muzeun arkeologjik, kur Muzeu Kombëtar i Kosovës në bashkëpunim me Institutin Arkeologjik kanë realizuar ekspozitën ‘Hyjnitë e Ballkanit’. Flasim për rrjetin e Muzeve Ballkanik, një konferencë e cila nuk ka arritur të mbahet në vendet tjera por është mbajt në Muzeun Kombëtar të Kosovës. Ka patur aktivitete tjera që kanë qenë të organizuara në Muze, si nisma dhe bashkëpunime. Së fundi jemi pjesë e ekspozitës në SHBA, ekspozita vazhdon të mbetet e hapur në Çikago, ku Muzeu Kombëtar prezantohet me tri artefakte, e njëjta ekspozitë do të hapet në Kanada në fillim të vitit të ardhshëm. Së fundi kemi organizuar një konferencë me Ambasadën e Francës, Ministrinë e Drejtësisë se Francës, për sa i përket trafikimit të aseteve të trashëgimisë së luajtshme.

Bashkëpunimet e ardhshme përfshijnë institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare, javën e ardhshme do të hapet një ekspozitë që organizohet në bashkëpunim me Agjencinë e arkivave te Kosovës, jemi pjese e fushatës 16 dite aktivizimi kundër dhunës ne barazi gjinore ne kryesim te Ministrise se Drejtësisë, sigurisht se do te këtë edhe aktivtete që mbahen ne Muze dhe per shënimin e festave te nëntorit.

/Gazeta Express