Intervistë me Sibel Halimin, drejtoreshë e Kulturës në Komunën e Prishtinës, për rikthimin e Galerisë së Arteve në Prishtinë.
«Në vitet ’80, ajo shfaqej si formë e ndërgjegjes kulturore dhe e identitetit tonë. Kryeqyteti e kuptonte vetveten përmes artit, duke përjetuar tensionet, dilemat dhe aspiratat e tij brenda historisë dhe kufizimeve të kohës. Rikthimi i saj sot nuk është thjesht një akt institucional, por rikthim i kuptimit të artit në hapësirën e tij identitare»

Gazeta Express: Galeria e Arteve në Prishtinë ka pasur një rol të rëndësishëm në jetën kulturore të qytetit gjatë viteve ’80. Çfarë përfaqëson për Komunën e Prishtinës rikthimi i këtij institucioni sot?
Sibel Halimi: E themeluar në vitet e para të zhvillimit kulturor të kryeqytetit, Galeria ka qenë dëshmitare e rritës sonë estetike, duke ruajtur në muret e saj gjurmët e brezave të artistëve doajenë, që i dhanë emër e ngjyrë idesë së lirisë.
Galeria e Arteve ka qenë gjithmonë më shumë se një hapësirë ekspozimi. Në vitet ’80, ajo shfaqej si formë e ndërgjegjes kulturore dhe e identitetit tonë. Kryeqyteti e kuptonte vetveten përmes artit, duke përjetuar tensionet, dilemat dhe aspiratat e tij brenda historisë dhe kufizimeve të kohës. Rikthimi i saj sot nuk është thjesht një akt institucional, por rikthim i kuptimit të artit në hapësirën e tij identitare. Për Komunën e Prishtinës, kjo është një mënyrë për të rivendosur vazhdimësinë midis kujtesës, të tashmes dhe angazhimit artistik.
«Identiteti historik i Galerisë së Arteve nuk ruhet përmes konservimit pasiv, por përmes një dialogu të vazhdueshëm me të tashmen»
Gazeta Express: Në ç’mënyrë është menduar që kjo galeri të ruajë trashëgiminë dhe frymën e funksionimit të saj të dikurshëm, duke u përshtatur njëkohësisht me nevojat dhe praktikat bashkëkohore të artit?
Sibel Halimi: Qasja jonë ka qenë që Galeria të kuptohet si institucion që ekziston në marrëdhënie me kohën, dhe jo jashtë saj. Identiteti i saj historik nuk ruhet përmes konservimit pasiv, por përmes një dialogu të vazhdueshëm me të tashmen. Kujtesa institucionale, historia e arteve pamore kosovare dhe respekti ndaj brezave që e ndërtuan këtë hapësirë janë marrë si pikënisje për të menduar rolin e saj sot. Njëkohësisht, Galeria është konceptuar si hapësirë e hapur ndaj praktikave bashkëkohore dhe reflektimeve kritike, duke synuar të mbajë një koherencë të brendshme mes asaj që trashëgon dhe asaj që krijon.

«Sfida ka qenë ta mendonim jo si strukturë funksionale, por si hapësirë ku kujtesa kulturore mund të aktivizohet dhe të bëhet pjesë e përvojës së sotme. Për ne, tejkalimi i vështirësive nuk lidhej vetëm me vendosmërinë apo qartësinë e qëllimit, por edhe me bindjen se arti është më shumë se një krijim individual»
Gazeta Express: Sa ka qenë sfidues procesi i rikthimit të Galerisë, si në aspektin infrastrukturor ashtu edhe në atë programor dhe institucional?
Sibel Halimi: Sfida e rikthimit nuk ka qenë vetëm teknike. Pas dekadash transformimesh, Galeria kërkonte jo vetëm riformësim institucional, por një rikthim të kuptimit të saj publik. Sfida ka qenë ta mendonim jo si strukturë funksionale, por si hapësirë ku kujtesa kulturore mund të aktivizohet dhe të bëhet pjesë e përvojës së sotme. Për ne, tejkalimi i vështirësive nuk lidhej vetëm me vendosmërinë apo qartësinë e qëllimit, por edhe me bindjen se arti është më shumë se një krijim individual. Ai është një vlerë përbashkuese dhe frymëzuese, një hapësirë ku shoqëria reflekton mbi vetveten, ku kuptimi individual ndërthuret me atë kolektiv, dhe ku veprimi estetik kthehet në një mjet për të menduar, për të bashkuar dhe për të transformuar botën rreth nesh.
«Roli i Galerisë nuk është prodhimi i hierarkive, por krijimi i kushteve për dialog dhe qarkullim idesh, si parakusht për një kulturë artistike të gjallë»
Gazeta Express: Çfarë roli synon të ketë Galeria e Arteve sot në zhvillimin e skenës artistike lokale dhe në lidhjen e saj me skenën rajonale dhe ndërkombëtare?
Sibel Halimi: Sot, Galeria synon të marrë rol aktiv në skenën artistike të Kryeqytetit, duke e vendosur atë në marrëdhënie të hapur me skenën rajonale dhe ndërkombëtare. Ajo konceptohet si hapësirë ku arti kosovar prezantohet me përgjegjësi dhe dinjitet, dhe ku praktikat dhe reflektimet bashkëkohore ballafaqohen në mënyrë kritike. Ky rol nuk synon prodhimin e hierarkive, por krijimin e kushteve për dialog dhe qarkullim idesh, si parakusht për një kulturë artistike të gjallë.
Gazeta Express: A mund ta shohim Galerinë si një hapësirë të qëndrueshme për artistët e rinj, por edhe si një pikë referimi për historinë e artit në Kosovë?
Sibel Halimi: Absolutisht. Galeria synon të jetë një hapësirë e qëndrueshme për artistët e rinj, pa e shkëputur këtë funksion nga përgjegjësia ndaj historisë së artit në Kosovë. Brezat nuk zëvendësojnë njëri-tjetrin, por bashkëjetojnë në kohë. Në këtë kuptim, Galeria funksionon si arkiv i gjallë i artit pamor, ku memoria nuk është e mbyllur në retrospektivë, por shërben si horizont formues për zhvillimin e individualitetit krijues.

«“Retrosinteza” artikulon filozofinë e rikthimit. Ajo bashkon ndjeshmërinë artistike dhe individualitetin krijues të së kaluarës me krijimet e së tashmes, duke ndërtuar kuptimin e vazhdueshëm të artit»
Gazeta Express: Ekspozita kolektive “Retrosintezë” ka qenë e hapur që nga inaugurimi i Galerisë. Pse u zgjodh pikërisht kjo ekspozitë për të shënuar rikthimin e hapësirës?
Sibel Halimi: Ekspozita e parë pas rihapjes i kushtohet artistëve që, përmes penelit dhe ngjyrës, krijuan modele e shkolla të artit vizual në Kryeqytet. Veprat e tyre mbeten dëshmi e një kohe, por edhe frymëzim për çdo artist që e sheh artin si mënyrë jetese në koherencë, si kujtesë estetike që individin e lirë e lidhë me shoqëroren.
Arti është ngjyra dhe toni i lirisë.
Veprat e artistëve më të shquar të kohës si Ibrahim Kodra, Muslim Mulliqi, Gjelosh Gjokaj, Agim Çavderbasha, Rexhep Ferri, Kadrush Rama, Tahir Emra, Nysret Salihihamixhiqi, Engjëll Berisha, Adem Kastrati, Svetozar Kamenoviq, Hamdi Bardhi e të tjerë, mbeten jo vetëm dëshmi historike, por edhe pika referimi për të reflektuar mbi marrëdhënien ndërmjet artit, individit dhe shoqërisë në të tashmen.
“Retrosinteza” artikulon filozofinë e rikthimit. Ajo bashkon ndjeshmërinë artistike dhe individualitetin krijues të së kaluarës me krijimet e së tashmes, duke ndërtuar kuptimin e vazhdueshëm të artit. Nuk është menduar si një akt përkujtimor, por si përpjekje për të rilexuar themelet e artit pamor në kryeqytet dhe për të reflektuar mbi vazhdimësinë e tij. Ekspozita, e kuruar nga Zeni Ballazhi në kuadër të Asociacionit të Artistëve Vizual të Kosovës, drejtuar nga Kamuran Goranci, dhe e realizuar nga koleksioni i Fatlum Haliti dhe Mirlinda Safa Haliti – të cilëve u shpreh falënderim të veçantë për pasionin dhe përkushtimin e treguar, ky bashkëpunim ka sjellë një model të ri të dialogut dhe koordinimit midis institucioneve dhe artistëve. Vetëm kështu mund të ngrihen vepra të mëdha, siç është Galeria, dëshmi e vizionit dhe angazhimit tonë të përbashkët.

« »
Gazeta Express: Si e lexoni ju konceptin e “Retrosintezës” në raport me historinë e Galerisë dhe me kontekstin aktual kulturor të Prishtinës?
Sibel Halimi: Ekspozita lexohet si proces mendimi dhe jo si kthim linear në të kaluarën. Ajo synon të krijojë një marrëdhënie reflektive mes historisë së Galerisë dhe kontekstit aktual kulturor. E kaluara dhe e tashmja nuk qëndrojnë në raport nostalgjik, por në një marrëdhënie kuptimformuese, që afirmon artin si shprehje të lirisë dhe hapësirë për zhvillimin e individualitetit krijues.
«(Kjo Galeri është) një vend ku arti rifiton kuptimin e tij më të thellë, si urë që lidh fort të bukurën me të madhërishmen, të drejtën dhe të mirën e individit që qenieson në liri. Aty Prishtina takon dhe njeh vetveten: shpirtin e vet të transponuar në ngjyra»
Gazeta Express: Cili ka qenë reagimi i publikut dhe i komunitetit artistik ndaj kësaj ekspozite, dhe a mendoni se do të arrijë të krijojë dialogun e synuar mes brezave të artistëve?
Sibel Halimi: Reagimi ka qenë jashtëzakonisht pozitiv. Galeria vazhdon të perceptohet si një pjesë thelbësore e kujtesës urbane dhe kulturore të Kryeqytetit. Ishte një moment i veçantë kur në hapjen e saj u përballën dy breza, artistët që kishin trasuar rrugën me veprat e tyre të para në Galeri dikur dhe gjenerata e re, që u përfshi në një dialog të gjallë me trashëgiminë, duke e rikrijuar atë në forma të reja të shprehjes artistike. Ky përballim, për mua krijoi një tablo të gjallë, ku pasioni, kujtesa dhe trashëgimia e artit pamor u ndërthuren në një imazh unik.

Prandaj, “Retrosinteza” ka hapur mundësinë për një dialog ndër gjenerata, duke riafirmuar artin si gjuhë që tejkalon kohët dhe historitë. Kjo galeri, e ringjallur sot në kryeqytet nuk është vetëm një hapësirë ekspozimi, por një arkiv i gjallë i artit kombëtar të Kosovës.
Një vend ku arti rifiton kuptimin e tij më të thellë, si urë që lidh fort të bukurën me të madhërishmen, të drejtën dhe të mirën e individit që qenieson në liri. Aty Prishtina takon dhe njeh vetveten: shpirtin e vet të transponuar në ngjyra.
Dhe pikërisht për këtë, Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, dhe unë si Drejtore për Kulturë ndihemi të lumtur që artistët tanë do ta gjejnë në këtë hapësirë frymëzimin për të krijuar dhe ekspozuar, ku arti kthehet në urë mes të kaluarës dhe të tashmes dhe ushqen vizionin për të ardhmen, duke bërë që secila vepër të reflektojë lirinë, përgjegjësinë dhe bukurinë që e ndërton identitetin tonë si Kryeqytet i artit dhe kulturës.

/Gazeta Express